Miratohet plani kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente
Grupi Ndërministror i Punës miratoi sot Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë ndërsektoriale të parandalimit e luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente për këta 12 muaj. Nën drejtimin e Ministrit të Shtetit, Genc Pollo, u miratua plani që detajon të tëra veprimtaritë që çdo ministri do të ndërmarrë për luftimin e korrupsionit. Plani i Punës ka të bëjë me rishikimin e procedurave e të veprimtarive ku korrupsioni është i mundur, si dhe masat që do të ndërmerren për ndëshkimin e keqbërësve të përfshirë në akte korruptive. Strategjia dhe Plani i Veprimit bëjnë të mundur që në çdo ministri, dikaster dhe agjenci shtetërore të verifikohet dhe reformohet çdo hap, veprimtari ose procedurë, që lë shteg për ryshfet apo të tjera veprime korruptive. Tashmë Strategjia kundër korrupsionit mbështetet me një projekt afro 2.1 milionë euro nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.