E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet raporti financiar 2010

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 13:00

Opozita e ka vënë në “kryq” Qeverinë e Kosovës për shpenzime të mëdha gjatë shqyrtimit të raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, duke vlerësuar se Qeveria Thaçi jo vetëm që nuk u është përmbajtur premtimeve për ulje të shpenzimeve në sektorë të ndryshëm, por madje i ka rritur ato.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paraqitur shkurtazi raportin dhe është larguar nga salla, përderisa as kryeministri dhe shumica e ministrave nuk ishin të pranishëm. Kjo ka shtyrë LDK-në si partia më e madhe opozitare ta braktisë seancën gjatë shqyrtimit të kësaj pike.

Ministri Hamza, gjatë prezantimit të raportit, ka thënë se arritjet substanciale të këtij raporti janë ngritja e të hyrave, ngritja e planit të të hyrave për disa kategori, përfshirë këtu kategorinë e investimeve kapitale dhe ngritje simbolike e shpenzimeve në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

“Të hyrat e përgjithshme gjatë vitit 2010 duke mos përfshirë grantet e donatorëve, kanë qenë 1 miliard e 178 milionë e 589 mijë euro, që paraqesin 95.8 për qind të planit të përgjithshëm vjetor. Të hyrat e mbledhura në kufij arrin 59 për qind të të hyrave të përgjithshme, dhe kapin shifrën prej 700 milionë e 657 mijë euro, ose 99.8 për qind të planit vjetor. Krahasuar me vitin paraprak kemi një rritje prej 10.3 për qind. Të hyrat e ngjashme të mbledhura nga ATK-ja, arrijnë në 16 për qind të të hyrave të përgjithshme dhe janë në vlerë prej 221 milionë e 234 mijë euro, ose 2 për qind më tepër se plani vjetor, kurse krahasuar me vitin paraprak kemi një rritje prej 7.2 për qind”, tha Hamza.

Komisioni për buxhet dhe financa i ka dhënë mbështetje këtij raporti, sikurse edhe partnerët e koalicionit, ndërkohë LDK dhe AAK nuk e kanë votuar këtë raport.

Hikmete Bajrami nga LDK-ja, është ndalur veçmas tek shpenzimet e Qeverisë për udhëtime jashtë shtetit, për vetura të shtrenjta dhe për qira.

“Për mallra dhe shërbime, kjo qeveri ka shpenzuar 162.6 milionë euro, 7.6 milionë euro ka shpenzuar për udhëtime jashtë shtetit. Kjo qeveri që po lavdërohet se ka subvencione në bujqësi, vetëm vitin e kaluar ka harxhuar 7.6 milionë euro për udhëtime jashtë vendit dhe këto udhëtime dhe janë shoqëruar me hotele të shtrenjta dhe mëditje të majme”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se gjatë vitit 2010 Qeveria ka shpenzuar 38 milionë euro për telefona dhe internet dhe shpenzimet e qirasë janë rritur për 17 për qind, pavarësisht premtimit të kryeministrit Thaçi për zvogëlimin e qirasë.

Përderisa Bajrami në emër të LDK-së ka kritikuar Qeverinë për shpenzime të mëdha dhe ka paralajmëruar mosmiratim të këtij raporti, shefi i GP të Vetëvendosjes Visar Ymeri ka bërë të njëjtat kritika, por ai ka thënë se do ta miratojë këtë raport, ngase sipas tij, paraqet një pasqyrë të qartë të shpenzimeve marramendëse dhe keqpërdorimin e parasë së popullit.

“Veturat janë mjet i transportit dhe qëllimi i vetëm është transportimi nga një vend tjetër. Prandaj vendimi për të blerë vetura të shtrenjta, çmimi i të cilave nuk është nën 70 mijë euro, është vetëm fyerje për qytetarët. Veturat e shtrenjta tregojnë se kjo qeveria e ka humbur kontaktin me qytetarët. Vetëvendosja do ta votojë këtë raport për shkak se e konsideron si pasqyrë të qartë të keqpërdorimit të parasë publike”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se një model krejtësisht tjetër i shpenzimit të parasë dhe i zhvillimit të ekonomisë i nevojitet vendit.

Kurse, Ardian Gjini, shef i GP të AAK-së ka theksuar se Qeveria e Kosovës po e shkatërron kulturën politike dhe po e shkatërron popullin e Kosovës.

“Kur diskutohet për shpenzimet, duhet të jetë këtu së paku ministri i Financave, e jo ta kemi një sallë me vetëm 20 deputetë të koalicionit qeverisës në kohën kur diskutohet për shpenzimet e buxhetit. Kjo qeveri po e shkatërron atë pak kulturë qeverisëse, po e shkatërron popullin e Kosovës”, ka thënë Gjini, duke mos i dhënë mbështetje këtij raporti.

LDK-ja e cila ka kundërshtuar vazhdimin e debatit për këtë raport, ka lëshuar sallën në këtë pikë të rendit të ditës, ndërsa ligjvënësit kanë miratuar raportin me 50 vota për, 21 kundër dhe 1 abstenim.

Ligjvënësit aktualisht po debatojnë për masakrën e Burgut të Dubravës gjatë majit të vitit 1999, me ç’rast kanë vlerësuar se kjo ishte një masakër e qëllimshme e shtetit serb, nga i cili duhet të kërkohet përgjegjësi. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›