Miratohet referendumi për ligjet e BE-së – shembet bllokada parlamentare e Ramës
Me votat e plota të mazhorancës është miratuar dje nisma për mbajtjen e referendumit për 3 ligjet e rekomanduara nga Bashkimi Evropian. Gjatë debatit parlamentar, kryeministri ftoi sovranin të flasë për aspiratën evropiane, ndërkohë që kujtoi sjelljen e Edi Ramës në 2005-n, si bashkëpunëtor në rrëzimin e qeverisë socialiste të Fatos Nanos
Kryeministri Sali Berisha ftoi opozitën dje në Kuvend, të marrë përgjegjësitë që i takojnë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë diskutimit të kërkesës së PD për organizimin e një referendumi popullor, lidhur me 3 ligjet e mbetura nga 12 rekomandimet e Komisioni Europian, Berisha i la kohë për reflektim opozitës, por përgjigja e ligjvënësve socialistë ishte negative. “Nëse ju keni nevojë për kohë për të reflektuar, nëse ju zotoheni se po i skedulojmë për muajin mars, referendumi bëhet i paqenë. Por, u them unë këtu, qe të tentosh të bësh një shpenzim të tërë për vendin kur e zgjidh këtu me vota... Gjithsesi sovrani do të flasë, por nuk do të jetë mirë për ju. Ju ftoj në mënyrën më të sinqertë urdhëroni t’i votojmë ligjet”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq, kreu i qeverisë shkoi dhe më tej kur deklaroi se Edi Rama, kryetari i sotëm i Partisë Socialiste, bashkëpunoi me demokratët për rrëzimin e Fatos Nanos. “Doni ta dini komplotin se si u rrëzua Fatos Nano? T’ua them unë? T’ua jap të regjistruar se si u stis komploti nga Edi Rama me ca bashkëpunëtorë të mitë? Dilni nga qerthulli o miqtë e mi kokëprerë. Çfarë po bën ai, a ka kryetar partie…?! A ka kryetar partie që merr dhe paraqet një kandidat në Kukës për tu thënë deputetëve të veriut e këputa kokën e maçokut. Tani çon në Fier dikë që thotë dy javë rresht nuk pranonte”, u shpreh Berisha.
Menjëherë pas këtij momenti, Kuvendi hodhi në votim kërkesën e mazhorancës, e cila u miratua me 73 vota “pro”, ndërsa PS doli nga seanca.
Qytetarët do të votojnë referendumin për hyrjen në Bashkimit me Europën
Qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të shprehen për të ardhmen e tyre europiane. Kuvendi miratoi me votat e maxhorancës referendumin popullor për tre ligjet e kërkuara nga Bashkimin Europian, që mundësojnë marrjen e Statusit të vendit Kandidat për në BE. Nisma u miratua me 73 vota pro, por opozita nuk votoi, por la sallën e Kuvendit, pak pasi kryeministri u drejtoi thirrjen e radhës për votimin e 3 ligjeve të cilësuara, si ligjet e integrimit.
Procesi i integrimi europian është marrë peng prej kohësh nga Edi Rama, por kjo ka marrë fund me votimin e djeshëm të 73 deputetëve të parlamentit shqiptar që s’kanë mundur të bindin kolegët socialistë dhe kreun e opozitës Edi Rama të votojë tre ligjet e integrimit: ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjin për Nëpunësin Civil dhe Rregulloren e Parlamentit. Këto tre ligje janë refuzuar për t’u votuar nga ana e opozitës dhe Edi Ramës me alibinë e qarkut të Fierit dhe më pas se në vend mungonin jo tre ligjet por tre pushtetet duke u kthyer në një parti dhe opozitë antagoniste. Prej këtij momenti e tutje qytetarët shqiptarë do të marrin në dorë fatin e fëmijëve të tyre duke votuar referendumin popullor të mundësuar prej mazhorancës.
Padyshim për dy vite radhazi Shqipërisë iu refuzua Statusi i vendit Kandidat nga BE-ja, pasi rekomandimi pozitiv ishte i pamundur në kushtet kur në opozita ishte jashtë parlamentit duke bojkotuar, në rrugë me protesta, përballë kryeministrisë me çadra greve urie, në bulevard me demonstrata të dhunshme, me tentativa për të ardhur në pushtet me mjete jo demokratike. Në vitin e tretë gjasat ishin të shumta për një vendim pozitiv pas marrëveshjes konsensuale të nëntorit të palëve politike që për ligjet e integrimit do të kishte një shumicë të cilësuar në parlament. Kësaj marrëveshje për miratimin e ligjeve të integrimin, Partia Socialiste i ka qëndruar skiç.
Jo pak herë PS-ja është treguar refraktare duke shfaqur qëndrime bllokuese në Parlament. Në momentin më deçiziv për të shprehur vullnetin “pro” europian të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama ngriti krye duke bllokuar deri në fund tre ligjet e kërkuara nga Brukseli me alibinë e çështjes së qarkut të Fierit. Me votimin e djeshëm në parlament qytetarët do të votojnë referendumin e bashkimit me Europën.
L. Lita