Mandati i Fidel Yllit në Këshillin e Rregullores së Mandateve. Mazhoranca: Deputeti socialist ka shkelë Kushtetutën, përfitoi pasuri publike
Këshilli i Rregullores së Mandateve u mblodh mesditën e sotme për të vendosur mbi mandatin e deputetit të PS-së Fidel Ylli. Para një jave deputetët e Partisë Demokratike i kërkuan Kuvendit të Shqipërisë që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për heqjen e mandatit të Fidel Yllit. Sipas demokratëve zoti Ylli ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës, pasi në dhjetor të 2009-ës, kur ai kishte disa muaj që ishte shpallur deputet, kishte në pronësi një radio.
Deputeti socialist gjatë fjalës së tij duke e cilësuar kërkesën e demokratëve “gjueti shtrigash", u shpreh se PD synon të largojë vëmendjen nga konfliktet e interesit të saj. Sipas Yllit, për këtë çështje ka edhe një vendim gjykate, që thotë se ai nuk ka asnjë konflikt interesi. Deputeti Ylli ka sqaruar faktin që licencën e radios lokale të cilën tashmë e ka në pronësi motra e tij, nuk e ka marrë në kohën kur ai mori mandatin e deputetit.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi sqarime nga Ylli, nëse ka qenë në pronësi të një pasurie publike siç janë frekuencat, në kohën kur mori mandatin e deputetit në vitin 2009. Topalli rikujtoi se rasti i Yllit nuk është precedenti i parë me deputetët socialistë, pasi sipas saj edhe Ilir Beqja është akuzuar për konflikt interesi.
Ilir Rusmali: Ju keni deklaruar se jeni ortak i vetëm i kësaj radioje, në shkurt të 2010. Ju thatë që në 2009 ia keni dhuruar motrës?
Fidel Ylli: Jo ia kam dhënë në 2010.
Ilir Rusmali: Ia ke dhënë në 12.01.2010, ndërkohë që më 31 mars 2010 ti rezulton ende pronar, kur more mandatin e deputetit.
Fidel Ylli: Unë nuk kam qenë asnjëherë administrator i kësaj radioje dhe sipas ligjit jam korrekt. Mund të jesh pronar, por jo administrator. Ka 4 vite që është mbyllur, hapeni se janë punësuar 5 persona. Është e turpshme të bëni ‘gjueti shtrigash’, zhbllokojeni atë biznes. Kjo nismë është një çmenduri, është e turpshme. Jeni në momentin e gabuar, në vendin e gabuar dhe me njeriun e gabuar.
Jozefina Topalli: Ti mund të ndjehesh i shqetësuar po ne kemi të drejtë të shqyrtojmë çdo kërkesë që na vjen.
Edi Paloka: “House of Arts” Sh.p.k çfarë aktiviteti ka?
Fidel Ylli: Është një biznes për qëllim fitimi, brenda saj ka disa biznese. Kjo shoqëri ka Bar Ëest, Restorant Royal dhe ambientet e zyrave në pronësi të kësaj kompanie. Kjo kompani nuk përfaqëson individin Fidel Ylli. Në fund bëhet bilanci i kësaj kompanie.
Jozefina Topalli: Ke deklaruar që Hause of Arts ka prodhuar një divident prej 700 mijë euro?
Fidel Ylli: Këto janë të ardhurat e mia personale, nuk është fitimi i kompanisë. Është një derdhje nga një firmë ndërtimi me të cilën kam qenë aksioner... Ato janë lekët e 15 viteve, i kanë kaluar në bankë, i kam paguar shtetit divident.
Ilir Rusmali: Po radio transmeton sot?
Fidel Ylli: Që në 22.12.2009 kur erdhi shkresa dhe tre ose 4 ditë më pas është mbyllur transmetimi.
Damian Gjiknuri: Fidel Ylli po akuzohet për diçka që nuk ekziston.
Gramoz Ruçi: Kundërshtarët e tu politikë, kanë bërë një ankesë që t’i disponon një licencë të pasurisë kombëtare. Kur e keni marrë?
Fidel Ylli: Licenca është marrë në 2003. Është rinovuar në 2006, dhe në 2009 në maj më vjen mua një kërkesë sipas rregullores që duhet të rinovosh. Licenca mbaronte në shtator, por vjen një licencë në maj dhe me thotë ta rinovoj, në maj më erdhi në qershor unë e çova dosjen. Këto duhet të mblidheshin dhe ta shqyrtonin dhe nuk e bënë.
Gramoz Ruçi: Ti ke paqartësitë e tua, je ankuar gjëkundi?
Fidel Ylli: Jam ankuar dhe i kam dërguar shkresë KKRT-së, dhe i them se ke shkelur ligjin, pasi brenda 3 muajsh duhet të më kthente përgjigjie. Në dhjetor më dërgon shkresën që duhet ta mbyllësh sinjalin se je bërë deputet dhe unë pres përgjigjie nga dy institucione ILDKP dhe Kuvendi. ILDK tha se nuk kemi të bëjmë me shkelje. Dhe gjykata tha se nuk ka shkelje.
Ruçi-PD: Kërkesa juaj nuk është për pasuritë e Fidelit, por për një frekuencë. Ju kujtoj kolegëve se dhe ju se keni deklaruar pasurinë para së të bëheshit deputet. Dhe tani kërkoni të merrni përgjigjie.
Edi Paloka: Licenca e radhës Zoti Ylli thatë se mbaronte në shtator, ndërkohë që mandatin e deputetit e keni marrë në gusht. Ju ndërkohë e dinit që qenia në pronësi të frekuencave ishte kundër ligjit apo jo?
Fidel Ylli: Nuk ka lidhje pyetja. Komisioni i mandateve duhet të më kthente përgjigje se nuk të takon. Licenca ishte rinovim dhe nuk po kërkoja të re, shteti të thonte se nuk të takon.
Edi Paloka: Ju prisnit që shteti t’iu thoshte se po shkelni ligjin?
Fidel Ylli: S’e kam shkelur ligjin asnjëherë, por varet si e interpretoni ju.
Jozefina Topalli: Nuk kemi dëshirë të ta heqim mandatin. Kemi një qëllim të madh duke përsëritur se nuk jam kundra asnjë miliarderi të partisë tuaj, por ama para shqiptarëve ne duhet të vendosim një standart të lartë. E kemi vendos hapin e parë me Beqjen që merrte para publike kur ishte deputet. Sot jeni ju i dyshuar për shkelje.
Fidel Ylli: Nuk ke moral ti të më pyesësh mua kur e ke shkelur me dy këmbë Kushtetutën.
Jozefina Topalli: Unë kam shkelur faktin se mund të bëja mocion. Por unë nuk e kam bërë me asnjë deputet, pasi doja të thoja se unë jam kryetarja e të gjithëve. Por po të ishte për mua asnjë biznesmen nuk do lija në Parlament.
Fidel Ylli: I ke brenda grupit miliarderët. A mund të them diçka për ta mbyllur.
Jozefina Topalli: Paraardhësit e mi kanë qenë të pasur, por gjyshi im ndau pasurinë dhe u mor vetëm me politikë standard i vendosur 100 vite më para.
Fidel Ylli: Nëse gjyshi juaj ju ka lënë pasuri të trashëguar do e shisnit, këtë kam bërë unë, e dhashë pasi doja të hyja në politikë. Unë i kam lënë bizneset dhe i jam përkushtuar politikës. Ke një pronë ti, por edhe unë kam familje. Unë përpiqem të jem me etikë, edhe kur flas ndonjë fjalë mundohem të kem argumenta, por si do ishte më mirë që të kishe bërë miliona dhe të hyjë në politike, apo nga politika të ktheheshe në milioner.
Jozefina Topalli: As në legjislaturën e ardhshme nuk do bëj mocion për asnjë deputet.
Topalli pasi i kërkoi administratës të bëjë transkriptimin e mbledhjes kërkoi që Këshilli i Mandateve pasi të shqyrtojë materialin të mblidhet sërish për vendim.