Miratohet vendimi për dhënien e të drejtës pronarëve për të përdorur letrat me vlerë për 80% të vlerës së objekteve publike në privatizim apo ankande
- Kryeministri Berisha: Qeveria i konsideron letrat me vlerë të vlefshme dhe të paskaduara
Sot, qeveria miratoi vendimin, me të cilin u lejohet pronarëve që, në të drejtën e parablerjes, 80 për qind të vlerës ta blejnë me letra me vlerë dhe vetëm 20 për qind të saj ta blejnë me lekë. Kryeministri Berisha u dha porosi Ministrit të Ekonomisë dhe atij të Financave të ngrenë grupe pune për të shqyrtuar modalitetet e përdorimit të letrave me vlerë nga zotëruesit e tyre, natyrisht jo në vlerë leku, por në formën e letrave të vlefshme për përdorim në privatizime dhe ankande të pasurive publike.
Kryeministri Berisha theksoi se kjo kërkon një studim të hollësishëm dhe rishqyrtim tërësor të legjislacionit dhe vendimeve të mëparshme. Por ai theksoi se qeveria e tij i konsideron të vlefshme dhe të paskaduara letrat me vlerë, të lëshuara prej saj në mesin e viteve ’90.
17/12/2008