E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirdita, shkencëtar i vitit

Historianit Zef Mirdita iu dha shpërblimi ‘Shkencëtar i vitit 2011’ nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja mori vendim që t’i japë shpërblimin ‘Shkencëtar i vitit 2011’, profesorit Zef Mirdita, me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Vendimi për ndarjen e shpërblimit profesorit Zef Mirdita, siç u bë e ditur nga një komunikatë e dërguar nga Ministria e Arsimit, është bazuar edhe në Programin Kombëtar të Shkencës të Republikës së Kosovës edhe rekomandimin e Departamentit të Shkencës dhe Teknologjisë. Profesor Zef Mirdita ka një opus të gjatë të krijimtarisë shkencore. Që nga viti 1965 e sidomos pas mbrojtës së suksesshme të doktoraturës në vitin 1972, në temën ‘Dardanët dhe Dardania në antikë’ ishte shumë i përkushtuar për studimin dhe ndriçimin e periudhës së antikitetit.

Ai për shumë vite ligjëroi në Katedrën e Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës si profesor i rregullt. Në vitin 1978 ai u zgjodh anëtar me korrespodencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Që nga viti 1993 jeton në Kroaci dhe punon në Institutin kroat të historisë si bashkëpunëtor i lartë shkencor. Ai ka udhëhequr projektin "Vllehët –banorë të vjetër të Ballkanit nga prania historike deri më sot". Nga viti 1980 deri në vitin 1990 ishte anëtar i Komitetit nacional të Jugosllavisë për Ballkanologji. Ndërsa nga viti1999 nënkryetar i Shoqatës kroato-shqiptare.

Në vitin akademik 1997/1998 me thirrjen e profesorit të rregullt në Fakultetin Filozofik J.J. Strossmayer në Osijek ligjëron historinë e mesjetës. Ai ka marrë pjesë në shumë kongrese shkencore vendore e ndërkombëtare. Si profesor ka mbajtur ligjërata në shumë universitete prestigjioze evropiane, në mesin e tyre edhe në Vjenë, Mynih, Romë, Sofje, Tiranë e Zagreb.

Mirdita ka punuar nëpër redaksi të revistave shkencore në Prishtinë e Zagreb (Mësimi i Historisë), ishte anëtar i redaksisë së redaksisë nga Kosova për "Enciklopedinë e Jugosllavisë" dhe bashkëpunëtor i përhershëm i “Enciklopedisë Kroate”. Në vitin 1973 mori pjesë në gjurmime arkeologjike në Shqipëri, kurse si bursist i qeverisë italiane në vitin 1974 ishte në specializim në Katedrën e historisë së mesjetës në Universitetin e Romës "La Sapienza". Kurse nga viti 1976-1977 dhe nga viti 1991-1992 si bursist i Alexander von Humboldt-Stiftung- ishte në specializim të historisë së mesjetës dhe arkeologjisë paleoballkanistike në – Heidelberg të Mynihut.

Përveç shtatë titujve të librave shkencor të botuara në gjuhën shqipe, gjermane e kroate, ka botuar dhe mbi 100 studime, artikuj, punime shkencore, recensione, polemika dhe shkrime në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane, italiane në revista vendore e ndërkombëtare. Në vitin 2005 ka fituar çmimin e Akademisë Kroate të Shkencës dhe Arteve për librin "Vllahet në historiografi".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›