E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirëmbajtja e akseve malore, Qafë-Thore dhe Vermosh nën monitorim të ARRSH-së

15 nëntor-31 mars cilësohen si periudhë sfiduese dimri për autoritetin rrugor të rrugëve. Ky i fundit në bashkëpunim me firmat e kontraktuara ka hartuar një plan të posaçëm masash për menaxhimin e situatave të mundshme gjatë sezonit të dimrit në akset malore të qarkut Shkodër.

Qëllimi i këtij plani është të sigurohet qarkullim i pandërprerë dhe ndërhyrje e menjëhershme në rast të reshjeve të dëborës apo ngricave.

“Është hartuar një program pune për të gjithë kontraktorët që administrohen nga ana jonë. Të gjithë kanë paraqitur stafin, mjetet dhe makineritë që kanë në dispozicion si dhe sasinë e kripës që kanë të depozituar”, u shpreh Hajrullah Sylja, Kryeinxhinier, ARRSH Rajoni Verior.

Aktualisht ARRSH Rajoni Verior ka 12 kontrata që monitoron ndërkohë që 2 akset më problematike Qafë Thore dhe Vermosh kanë kaluar në administrim të ARRSH në qendër.

“Thethi dhe Vermoshi administrohen prej tyre ndërsa nga ne janë 12 kontrata. Aksi Qafë Laç – Koman është në rikonstruksion e sipër për të cilën përgjigjet firma kontraktore ndërsa ne kemi Qafë Mali – Fierzë”, u shpreh ai.

Ky plan masash synon të garantojë siguri dhe lehtësi në qarkullim përgjatë gjithë periudhës së dimrit, veçanërisht në akset me lartësi të madhe dhe në zonat ku reshjet janë më të dendura.

Gazetare: M. Gjoni  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›