Rikthim emocional në FEST 64- Alis Kallaçi prezanton baladën prekëse “NAN”, një dedikim për nënën dhe dashurinë

Pas suksesit të vitit të kaluar, këngëtari Alis Kallaçi do të rikthehet në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH (Fest 64) me një baladë shumë personale dhe emocionuese. I ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH me Fjodora Fjora, Kallaçi zbuloi detaje ekskluzive rreth pjesëmarrjes së tij të re dhe impaktit të këngës tek ai.
Alis Kallaçi, i cili një vit më parë u rendit i treti në Fest 63 me këngën “Mjegull”, ka treguar se rikthimi i tij në festival është një sfidë dhe përgjegjësi e madhe.
“Festivali dhe marrja e një çmimi vitin e kaluar më dha edhe më shumë përgjegjësi përpara publikut… aty kuptova se ka filluar lufta e vërtetë dhe kush do të jetë rruga ime artistike,” tha artisti, duke shtuar se emocionet para daljes në skenë janë të jashtëzakonshme.
Balada “NAN”
Këtë vit, Kallaçi do të garojë me baladën e titulluar “NAN”. Artisti theksoi se teksti i këtij materiali muzikor e ka prekur thellë emocionalisht, diçka që rrallëherë i kishte ndodhur më parë.
Kënga është një dedikim i fortë për figurën e Nënës, të cilën ai e cilëson si “botën, universin” e tij.
“Kënga flet për figurën e Nënës, por jo vetëm. Unë uroj ta përfaqësojë si duhet këtë këngë me një mesazh kaq të veçantë. Mua nuk më kishte ndodhur të isha prekur kaq shumë nga një tekst më parë,” rrëfeu Alis Kallaçi. “Me mamanë kam një lidhje të fortë, sepse përveçse është shoqe e ngushtë, më mbush me energji.”
Një krijim shpirtëror familjar
Këngëtari zbuloi se një detaj tjetër që e bën këtë baladë kaq të veçantë është fakti se tekstin e ka shkruar e dashura e tij, duke krijuar një lidhje të dyfishtë personale dhe shpirtërore me materialin.
“Nëna dhe e dashura ime janë dy femrat më të rëndësishme të jetës sime, pa dashur të lë pas babin dhe vëllain,” tha ai.
Kallaçi tregoi gjithashtu se pjesëmarrja me baladën “NAN” erdhi si “një lloj aksidenti” pasi aplikoi në minutat e fundit, duke shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e njerëzve që kanë besuar tek ai.
/rtsh.al/