E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirënjohje e qytetit për Gaqi Vishin

Vlorë Titulli i jepet pas vdekjes familjes së aktorit vlonjat

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së aktorit të mirënjohur të skenës vlonjate, Gaqi Vishi, në teatrin “Petro Marko” të Vlorës është zhvilluar një veprimtari e quajtur, “Gaqi Vishi, Sharloti shqiptar”. Humori, mjeshtëria e pantonimës, parodisë dhe sidomos karakteri njerëzor që fali Gaqi Vishi në skenën vlonjate, kanë qenë pikat bazë të aktivitetit, i cili ishte konceptuar në trajtën e një bashkëbisedimi me publikun, ku njerëz të artit dhe skenës sollën kujtimet e tyre, por edhe ngjarjet plot humor, të cilat Vishi ua la bashkëqytetarëve të vet.

Aktiviteti u çel me një dokumentar të prodhuar për jetën dhe veprimtarinë e aktorit të humorit vlonjat. Në të u soll kontributi i Vishit në teatrin “Petro Marko”, 800 rolet e tij të larmishme në skenë, e sidomos ajo çka e bën të veçantë këtë aktor, ngjashmëria me çaplinin e madh. Aktorët Leka Kruta e Myqerem Ferra, si dhe ata të brezit pasardhës, Afrim Agalliu e Muhamet Lika, kanë sjellë histori të lëna nga Gaqi Vishi. Titulli “Mirënjohje e Qytetit” u është dorëzuar familjarëve nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. “është detyrim yni, por edhe mirënjohje për këtë kastë aktorësh, të cilët i kanë lënë Vlorës një traditë të pasur humori”, tha Gjika.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›