Në Apoloni nuk do të zhvillohen më aktivitete
Duke marrë shkas nga dëmtimet që ka lënë pas organizimi i një veprimtarie kulture në ambientet e qytetit antik të Apolonisë, drejtori i parkut, Marin Haxhimihali, ngre shqetësimin dhe bën apel që aktivitete të përmasave të mëdha nuk duhet të zhvillohen më në këtë qytet muzeal. “Kjo nuk është hera e parë, shprehet drejtori Haxhimihali, që pas çdo lloj aktiviteti, organizatorët e tij nuk merrnin masa që të kontribuonin për këtë park mbas përfundimit të aktivitetit që është zhvilluar”. Për të ngritur këtë shqetësim, Haxhimihali ka marrë shkas nga aktiviteti “Shqipëria është kulturë”, për të dhënë ultimatumin që asnjë veprimtari kulturore nuk do të zhvillohet më në mjediset e parkut. Ai bën me dije se javë më parë është zhvilluar një aktivitet në kuadrin “Shqipëria është Kulturë” dhe pas përfundimit të tij jo vetëm ambientet ku u zhvillua aktiviteti, por edhe të tjera ambiente linin për të dëshiruar.
“Papastërtia ishte e jashtëzakonshme: pjata, gota, shishe të thyera të shpërndara gjithandej. Pra, ishte një gjendje shumë e keqe.
Në këto kushte, ne si drejtori parku nuk jemi dakord me një rrëmujë të tillë, që mund të dëmtojë parkun. Shumë statuja janë të ekspozuara jashtë për t’u parë nga vizitorët dhe kjo shkujdesje mund të rrezikojë dëmtimin e tyre”, u shpreh drejtori Marin Haxhimihali. “Duke parë se kjo situatë është në vazhdimësi, ne do të vendosim që të mos lejojmë më zhvillimin e të tilla aktiviteteve, pasi të gjitha shpenzimet për ta sjellë ambientin në gjendjen e më pashme bëhen prej drejtorisë së parkut”, vijon më tej ai. Edhe pse me organizatorët e aktivitetit “Shqipëria Kulturë” parku arkeologjik ka nënshkruar kontratë, pika të së cilës kanë parashikuar edhe rehabilitimin e pjesëve të dëmtuara, asgjë konkrete nuk është bërë.
#