E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirënjohje vendeve që ndihmuan në çastet vendimtare

Njëmbëdhjetë vjet pas intervenimeve të NATO-s, Republika e Kosovës ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt demokratizimit dhe zhvillimit të brendshëm, drejt afirmimit dhe njohjes nga shtetet e demokracisë së zhvilluar. Kështu ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, në një deklaratë me rastin 11-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Në këtë përvjetor, Thaçi në emër të qytetarëve dhe institucioneve të vendit ka shprehur mirënjohjen për të gjithë liderëve botërorë, politikë dhe ushtarakë, të cilët i dhanë përkrahje Kosovës në momentet më vendimtare, që kulmuan me çlirimin e vendit.

“Intervenimi i organizatës më të fuqishme botërore ushtarake - NATO, mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe më 1999, është ngjarja më e rëndësishme e shekullit të shkuar për këtë aleancë, duke konfirmuar faktin se liria është vlera më e lartë e shoqërisë demokratike”, thekson kreu i Qeverisë.

Thaçi ka rikujtuar se në vitet 1998 - 1999 Kosova kishte hyrë në rrugën e pakthyeshme të rezistencës kundër okupimit shekullor, duke u ballafaquar me njërin nga regjimet më diktatoriale, që përmes ushtrisë, policisë dhe formacioneve paramilitare ushtronte dhunë, djegie, gjenocid dhe krime të papara mbi një popull të lashtë dhe liridashës.

“Vendimi politik për angazhimin e NATO-s në mbrojtje të popullit të Kosovës, duke ndëshkuar rëndë një politikë që ushtronte dhunë shtetërore sistematike, krime dhe gjenocid, është dëshmia më e mirë se vlerat e civilizimit evropian, liria dhe demokracia janë identiteti i pakapërcyeshëm që nuk lejohet të rrezikohen nga forcat e errëta me asnjë çmim”.

Më tutje, kryeministri Thaçi thekson se qytetarët e Kosovës, institucionet e lira dhe demokratike të shtetit më të ri të Evropës u janë mirënjohës të gjithë liderëve botërorë, politikë dhe ushtarakë për përkrahjen e madhe dhe të parezervë në momentet më vendimtare, që kulmuan me çlirimin e vendit, duke krijuar kushte që Kosova të ndërtojë identitetin e vet shtetëror dhe demokratik.

“Në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe duke përfaqësuar gjithnjë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, institucionet legjitime tejkaluan fazën emergjente të pasluftës, tranzicionin demokratik, duke finalizuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Njëmbëdhjetë vjet pas intervenimeve të NATO-s, sipas Thaçit, Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt demokratizimit dhe zhvillimit të brendshëm, drejt afirmimit dhe njohjes nga shtetet e demokracisë së zhvilluar. Ai ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sa më parë të përmbushen të gjitha kriteret dhe parakushtet për t’u bërë pjesë e integrimeve euroatlantike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›