E Diel, 1 Nëntor 2026

Proces jotransparent

Qysh prej nisjes së procesit të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk po jep asnjë informatë rreth kësaj pune. Ditëve të fundit, kjo ministri bashkë me komisionet që i ka krijuar për këtë proces, kanë përjashtuar nga mbledhjet edhe vetë drejtuesit e PTK-së duke mos i lënë ata të marrin pjesë në to. MEF-i ka refuzuar të japë edhe emrat e kompanive që janë ftuar për të marrë pjesë në konferencën e sotme dhe ato që nuk kanë dashur të marrin pjesë e janë ftuar. Asnjë raport nuk ka lëshuar as kompania konsulente Telco Ag.

Burime të gazetës Express tregojnë se konferenca po mbahet sa për sy e faqe, andaj dhe nuk publikojnë dhe nuk bëjnë të ditur asgjë.

“Po e mbajnë procesin kështu misterioz që përzgjedhja e kompanisë së caktuar të jetë më e lehtë”, tha ky burim. Sipas po këtyre burimeve, mësohet se në garë janë tash dy kompani nga shtetet gjermanofolëse. Saktësisht Deutsche Telecom dhe Mobilcom nga Austria. Në saje të kësaj edhe është përzgjedhur kompania konsulente po ashtu nga Austri Telco AG. Këtë e deklaroi edhe një ditë më herët organizata Çohu, e cila e konsideroi privatizimin e këtij aseti shtetëror, si konflikt interesi dhe proces me shumë dallavere. Në këtë ditë do të mblidhen disa nga kompanitë më të mëdha të telefonisë mobile në Evropë.

Mësohet se pjesëmarrëse në konferencë dhe të interesuara për këtë kompani janë Deutche Telecom nga Gjermania, Telefonia Matavi nga shteti i Hungarisë, Mobilcom nga Austria. Telenor nga Norvegjia dhe Cabel and Wireles nga Anglia. Së fundi, interesim ka shprehur edhe kompania telefonike nga Kroacia - Croatia Telecom. Kryetari i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, tash sa ditë është ankuar nëpër koluare të shehrit se nuk po ftohet në mbledhjet për privatizimin e PTK-së.

Se investitorët austriakë janë pretendentët kryesorë për privatizimin e gjigantëve ekonomikë të Kosovës, e pati pranuar kohë më parë për Express edhe vetë Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Walter Maria Stojan. Ai pati thënë se kompanitë nga shteti i tij janë të interesuar të privatizojnë PTK-në dhe Brezovicën.

Sipas tij, nuk do të jetë konflikt interesi nëse kompania më profitabile e Kosovës blihet nga pronarë të të njëjtit shtet, që edhe po e përgatisin atë për privatizim.
“Nëse këto përgatitje janë transparentë, edhe angazhimi i kompanive austriake do të jetë transparent për të evituar dyshimet”, pati thënë Stojan. MEF-i ka organizuar konferencën për privatizimin e PTK-së dhe ka ftuar mjaft kompani, të cilat do të marrin pjesë sot. Një natë më herët, delegacionet kanë darkuar me drejtuesit e Qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›