Marrin peng një të ri, dy në pranga

KRUJË/ Policia ka arrestuar Ded Bushgjokën, si dhe Ndue Ndojin pasi morën peng një bashkëfshatar të tyre
Të rinjtë kishin vjedhur një motor dhe ia kishin shitur pengut të tyre, të cilit të zotët e vërtetë ia kishin marrë
DURRËS - Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Krujës pas marrjes peng të një personi. Në pranga kanë përfunduar 19-vjeçari Ded Bushgjoka, lindur në Tropojë e banues në Dukagjin i Ri Krujë, si dhe 21-vjeçari Ndue Ndoj, lindur në Pukë dhe banues në të njëjtin fshat.
Mësohet se ata i kanë dalë përpara shtetasit B.D. dhe pasi e kanë kërcënuar me armë, e kanë goditur me dorezë hekuri në kokë duke i shkaktuar plagë.
Më pas, e kanë vënë në makinën qe e dispononin dhe kanë shkuar me të deri në Kamzë të Tiranës personi u ka shpëtuar nga duart dhe ka thirrur policinë duke u deklaruar se dy persona e kishin marrë peng. Një gjë e tillë ka çuar në ndërhyrjen e uniformave blu, të cilat kanë prangosur dy të rinjtë dhe më pas kanë zbardhur edhe ngjarjen.
Ngjarja
Dy të rinjtë banues në fshatin Dukagjin i Ri kanë vjedhur së bashku një motoçikletë dhe pas disa ditësh kanë gjetur blerës, i cili ishte 21-vjeçari B.D. Ky i fundit e kishte pëlqyer motorin dhe kishte bërë pazar me ta. Çmimi i shitjes kishte qenë 300 mijë lekë të vjetra. Blerësi kishte kërkuar që të bënte një provë se si u shkonte motori dhe kishte kërkuar një javë afat. Pas një jave ai u kishte dhënë garanci se do t'u jepte paratë e vlerës së motorit.
Duke qenë se blerësi premtoi se do t'ua likujdonte paratë pas një jave, ata bien dakord. Më pas pretendenti për t'u bërë pronar i motorit udhëton në një fshat afër me këtë motor dhe takon 2 persona që e kanë ndaluar dhe i kanë kërkuar motorin, pasi ai ishte motori i tyre dhe ua kishin vjedhur. I përballur me kërkesën e pakundërshtueshme të tyre, 21-vjeçari B.D. u ka dhënë motorin dhe ka shkuar e ka takuar 2 të rinjtë që ia kishin shitur motorin e vjedhur.
Kur u thotë ngjarjen, ata shprehen se nuk duan të dinë për këtë dhe se me çdo kusht ai duhej t'u likuidonte paratë e motorit që i kishin shitur. Konflikti është acaruar dhe atë e kanë rrahur duke e goditur në mesnatë me dorezë hekuri, si dhe e kanë kërcënuar duke qëlluar me automatik në ajër.
Për të shpëtuar nga presioni dhe kërcënimet e tyre, 21-vjeçar ka thënë se kishte një kushëri në Kamëz dhe do t'i merrte atje paratë. Ata e kanë futur në makinë dhe në momentin kur janë afruar para postës së policisë së Kamzës, pengu i motorit të vjedhur u ka thënë ta prisnin se arritën. Ata kanë ndaluar, ndërsa ai ka shkuar menjëherë në polici dhe ka bërë denoncimin.
Policia
Uniformat blu kanë bërë të ditur se në pranga kanë përfunduar Ndue Ndoj e Ded Bushgjoka. Ata janë arrestuar pasi "rreth orës 00:30 të datës 22.03.2010, në fshatin Dukagjin i Ri Krujë, për motive të dobëta kanë ndaluar e marrë me forcë (duke e goditur me dorezë hekuri në kokë e kërcënuar me armë zjarri automatik duke qëlluar në ajër) me një automjet të rastit ende të paidentifikuar, shtetasin B.D. i vitlindjes 1989, lindur në Tropojë e banues në Dukagjin i Ri Krujë, të cilin e kanë transportuar për në Kamëz Tiranë, ku ky shtetas ka mundur të ikë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ded Bushgjoka u gjet e sekuestrua në cilesinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56, të cilin ky shtetas e mbante pa leje". Materialet për veprat penale të "armëmbajtjes pa leje" dhe "heqjes së paligjshme të lirisë" i kaluan prokurorisë.