E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj përsëri në gjyq

Nga Express më 23 gusht 2011 në ora 21:43

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj do të detyrohet të mërkurën që të mos merret me punët për të cilat është zgjedhur si deputet, por të ulet në bankën e të akuzuarve.

Burime të Portalit LajmeShqip kanë bërë të ditur se Limaj pritet që, të mërkurën, duke filluar nga ora 10:00, të paraqitet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës në seancën e konfirmimit të aktakuzës “për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës”, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Seanca kundër ish-komandantit të UÇK-së, “Çelikut”, është caktuar nga një gjyqtar i EULEX-it për 24, 25 dhe 26 gusht.

Gjatë këtyre seancave, mbrojtja pritet të kërkojë nga gjyqtari që të mos e konfirmojë aktakuzën, ndërsa prokurori Maorizio Salustro do të kërkojë që të konfirmohet ajo. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, gjykimi kundër 10 ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të fillojë në vjeshtë, dhe pritet të zgjasë më shumë se dy vjet.

Seanca për konfirmimin e aktakuzës është caktuar të mbahet një muaj pasi që prokurori italian e ka ngritur aktakuzën. Çeliku, i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, tash pritet që të gjykohet për krime që, sipas Prokurorisë, janë kryer në Kleçkë.

Bashkë me Limajn në gjykatë pritet të paraqiten edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhajt.

Po sipas burimeve të portalit, nëse kjo aktakuzë merr “vizën” për gjykim, gjatë gjykimit Limaj pritet që për dëshmitarë t’i ftojë të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Fatmir Limaj akuzohet për dhënie të urdhrit dhe pjesëmarrje në torturimin mizor të civilëve shqiptarë e serbë, të paraburgosur në Kleçkë.

Imuniteti i deputetit nuk ndalon që ta thërrasë Limajn në Gjykatë për seancën e konfirmimit të aktakuzës e as për gjykimin e tij, por e mbron nga arrestimi. Në shtator, ndërkaq, pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’i sqarojë dilemat rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Kushtetuesja pritet t’i përgjigjet kërkesës së Qeverisë së Kosovës për sqarimin e imunitetit.

Çështja e imunitetit është debatuar muajin e kaluar, pas vendimit të kryekuvendarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili refuzoi të nxirrte një rezolutë me anë të së cilës do ta detyronte Qeverinë të kërkonte interpretime nga Gjykata Kushtetuese për imunitetin. /lajmeshqip/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›