E Shtunë, 31 Tetor 2026

Don King: Monarku i ringut të boksit

Krifa e flokëve që i rri përpjetë gjithë kohës është kurora e tij. I rri mbi kokë, siç ka thënë dikush, sikur i shpëtoi karriges elektrike në çastin e fundit. Vetë Don King deklaron: "Një aureolë e dhënë nga Zoti". Një tjetër version, më i besueshëm, është se një gangster nga Klivlendi, për të mos e lejuar Kingun të dëshmonte kundër tij, i qëlloi pas koke me shotgan, duke i dëmtuar rrënjët e flokëve.

Don Kingut i pëlqen të thotë se "jam prova e gjallë e ëndrrës amerikane. Jam mishërimi i këtij kombi të madh. Vetëm në Amerikë një Don King mund të arrijë aty ku është". Është një prej shumë frazave të thëna nga ai e që kanë marrë dhenë. Pasi është mjeshtër i keqpërdorimit të maksimave. Përzien pa iu dridhur qerpiku metafora dhe thënie (në fakt i shtrembëron sipas qejfit) nga të gjitha, që te Virgjili te Çurçilli, nga Shekspiri te Solzhenicini. Thotë se librat e këtyre njerëzve, bashkë me fjalimet e Hitlerit, i ka lexuar kur gjendej në burg për vrasje.

Ndodhi në vitet shtatëdhjetë që Kingu, sot 77-vjeçar, theu tabunë e menaxherëve të bardhë të boksit. Ka organizuar personalisht më shumë se 400 ndeshje për tituj botërorë, përfshi atë mes Muhamed Aliut e Xhorxh Forman dhe është përgjegjës për shtrirjen e këtij sporti në Kinë e Rusi.

Për herë të parë prania e tij u ndje në Karakas të Venezuelës në vitin 1974, një ditë përpara se Xhorxh Formani të hidhte në tapet Ken Nortonin në raundin e dytë. Në konferencën e shtypit pas ndeshjes të gjithë shqyen sytë kur King tha se ndeshja e radhës e Formanit do të qe ajo kundër Muhamed Aliut në Kinsasha të Zairesë dhe se për këtë kishte marrë miratimin e Presidentit të këtij vendi, Mobutu.

Gazetarët amerikanë shqyen sytë. "Cili është ky karagjoz". U mor vesh se King nuk qe i tillë. Nën mëngë kishte nja dy asa, të cilët i përdori përsëri kur bindi Presidentin Markos të Filipineve të zhvillonte në vendin e tij ndeshjen Ali-Frezer III.

Ka akoma lidhje me qarqe shumë të larta, nga Kremlini te Kastro dhe u shfaq pranë Obamës gjatë ceremonisë së inaugurimit presidencial. E megjithatë, ashtu si dhe me boksin, i pëlqen t‘i mbajë hapur dritaret. Para katër vjetësh u vendos përkrah Bushit, ndërkohë që veten e përkufizon republikan. Por nuk i pëlqen të rrijë me humbësit. Kur Xho Frezer u ndesh me Formanin në Kingston të Xhamajkës, në ring u ngjit me Frezerin, por u largua me fituesin, Formanin.

Nuk pi dhe nuk ka rendur kurrë pas fustaneve. Shkëlqen në nënshkrimin e marrëveshjeve ku njihet si njeri nga i cili mund të presësh gjithçka. Ajo që vështirë të dëgjosh nga goja e Don Kingut është një përgjigje e drejtpërdrejtë. Zgjatet e zgjatet dhe hidhet në histori, njeri me shumë fjalë, disa prej të cilave i ka sajuar vetë. I ka mbijetuar një operacioni në zemër, një bombe të vendosur në shtëpi - sipas policisë nga mafia - vdekjeve të të gjashtë vëllezërve, 3 viteve e 11 muajve në burg dhe një serie të gjatë hetimesh qeveritare.

Që nga dënimi për rrahjen e një njeriu për vdekje, mbi të janë ngritur shumë akuza për shkelje financiare, por asnjëherë nuk është gjykuar fajtor. Pasi i shpëtoi një rasti evazioni fiskal - në burg përfundoi sekretarja e tij - e dërgoi gjithë jurinë në një udhëtim dëfrimi në Londër dhe për peshkim në Bahamas.

Mbi të shkuarën e vet të dhunshme, thotë: "I pranoj mëkatet e mia, vëlla! Por Zoti nuk ka ardhur të shpëtojë të mirët. Erdhi të shpëtojë mëkatarët". Mëkatet e tij janë të dokumentuara. Gjatë një sulmi në një lokal kumari të Klivlandit, më dy dhjetor 1953, Kingu, që atëherë njihej si "Vogëlushi Donald" qëlloi në kokë Hillari Braun me një revolver rus, duke e lënë të vdekur në vend. Gjykata e konsideroi vrasje për vetëmbrojtje.

12 vjet më pas rrahu për vdekje Garret, i cili i detyrohej 600 dollarë. Fjalët e fundit para se të vdiste qenë: "Do të t‘i kthej paratë, Don". Gjykatësi pranoi ta zbuste akuzën nga vrasje e shkallës së dytë, në vrasje për motive të dobëta. "Zoti më vuri në provë dhe guvernatori i Ohajos më dhuroi faljen e plotë", thotë sot King.

Sot krenohet se ka bërë milionerë më shumë se 100 boksierë. "Askush nuk vjen tek unë pa qenë futur në kurth nga dikush tjetër më parë. Të gjithë boksierët e zinj duan menaxherë të bardhë, vijnë te Don Kingu vetëm pasi menaxherët e bardhë ua fusin. I nxjerr këta tipa nga burgjet apo gjirizet dhe i bëj në njerëzit më të pasur që ka parë bota. I ngre nga lluca e balta dhe i bëj të tregojnë veten në fushën e nderit e të trimërisë".

"Unë gjej para kudo. Nxjerr para nga guri. Por më pëlqej të jem unë që ua fut të tjerëve dhe jo të ma fusin mua. Sigurisht, siç thoshte Uilliam Shekspiri: ‘Po më shpove, do më rrjedhë gjak‘. Plako, unë kam doktoraturë në kaukaziançe. U mësova atyre të bardhëve pak negrologji". Kur nisi të promovonte ndeshje në Rusi tha se po u jepte një leksion kapitalizmi, duke qeshur: "Ai tipi, Leningradi, do jetë duke u përpëlitur në varr".

Gjithçka i është vërsulur kundër - policët, mafiozët, rivalët - nuk ka arritur kurrë ta prekë me grushte. Duket se ato ua lë boksierëve. Mendohet se pasuria e tij prek 2 miliardë dollarët dhe ndërsa disa prej boksierëve të tij e kanë hedhur në gjyq - jo gjithnjë me sukses - shumë të tjerët i kanë qëndruar besnikë. Ka promovuar të gjithë boksierët e peshave të rënda të kohëve moderne - Aliun, Formanin, Frezerin, Holmsin, Ljuisin dhe Holifildin - por tani e përshkruan kategorinë e peshave super të rënda si "pa vlerë, katrahurë", ndoshta ngaqë prej kohësh nuk ka në duar ndonjë talent të spikatur. Shpresat hëpërhë i ka varur te një boksier i peshave të lehta, Angel Santana, emigrant kuban në Amerikë.

Gjithnjë ka pasur karaktere të çuditshme të kontroversave në botën e boksit, por për 35 vjet monarku i ringut nuk ka lënë askënd tjetër të dëgjohet më shumë se ai. Kur flet me gjithë forcën e zërit, dëgjohet nga të gjithë të pranishmit në sallë, pavarësisht sa e madhe është. Padrinoja i boksit ia del ende të jetë zëri më i rëndësishëm i ringut profesionist dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›