Takim me njeriun që di ta dëgjojë tjetrin

Jacques Lacan
Elsa Demo
Takim me Lakanin (Rendez-vous chez Lacan) një film nga Gérard Miller na njeh nga afër me Jacques Lacan-in (1901-1981), përfaqësuesi më i rëndësishëm e më me influencë i psikanalizës pas Frojdit. Duke qenë se pak dokumente ekzistojnë për reformatorin e psikoanalizës frojdiane, për ata që do të ndjekin sonte dokumentarin, ora 18.30, në Sallën Çehov, Teatri i Metropolit, marrin vlerë të veçantë dëshmitë e të afërmve, të nxënësve e të pacientëve të tij, njerëz që e kanë njohur në përditshmërinë e tij.
I lindur me shekullin e njëzetë në një familje katolike të borgjezisë së mesme, me formim psikiatër dhe kulturë enciklopedike, mik i Picasso-s, Lévi-Strauss-it, Sartre-it, Jacques Lacan-i e nisi aktivitetin e tij si psikoanalist në vitin 1938. Ishte e pashlyeshme dhe konsekuente përvoja e gjatë që pati në spitalin e Shën Anës në Paris, ku nga matanë mureve dëgjonte ata që shoqëria nuk donte ti dëgjonte e që shkenca beson se i kupton: të çmendurit. Diçka ruaja në zemër prej këtyre mureve, do të thoshte ai më vonë. Por në vitet pesëdhjetë, hapja nëpërmjet gjuhës që ai i bën psikanalizës konsiderohet vërtet revolucionare dhe këtë e dëshmon influenca e tij edhe në mendimin teorik letrar e sidomos te një brez artistësh pamorë.
Teksa vazhdon të shpjegojë Lakanin me kurse të përjavshme në Paris, dhëndri Jacques-Alain Miller, edhe në një nga referatet e fundit Të lexosh një simptomë (përkthyer shqip nga Jolka Nathanaili dhe Ardian Vehbiu), trajton pse psikanaliza nuk është vetëm çështje të dëgjuari, po është edhe çështje leximi. Çka më ka përcjellë Lakani është pikërisht mirëleximi, thekson Miller. Saç janë terma të ligjërimit, aq i atribuohen detyrave të analistit atij që nëpërmjet mirëdëgjimit dhe mirëleximit të subjektit, do ta çojë të pavetëdijshmen tek Qenia, do të shfaqë atë që është e ndrydhur, atë që përbën statusin e fshehtë të qenies, e paarritshme nga njohja. Është operacioni i ligjërimit që vë në veprim psikanalizën, nënvizon Miller.
Seminaret që Lakani mbajti prej viteve 1953 deri më 1979, u botuan falë Jacques-Alain Miller-it, duke dokumentuar nëpërmjet tyre gjenialitetin e psikoanalistit, si mjek i shquar dhe teoricien i pashoq, e që megjithatë, kolegët e tij do ta shkishëronin sikur të ishte djalli. Ttridhjetë vjet pas vdekjes së Lakanit vijnë edhe këto kundërshti e dyshime si jehona të asaj kohe aktive të psikoanalistit në kulmin e kërkimeve të tij mbi qenien, po edhe të krijimit të tij.
Dokumentari i sotëm i Gérard Miller-it, është realizuar në kuadrin e këtij përvjetori, 9 shtator 20011. Miller ka patur shansin ta takojë falë të vëllait, Jacques-Alain, më besniku i nxënësve që u martua me të bijën e Lacan-it, Judith-in. Këta të dy kanë veçanërisht shumë për të treguar. Judith Miller flet për raportet, të tendosura po aq sa të privilegjuara mes të atit dhe Glorias, asistentja e tij për tridhjetë vjet. Ndërsa Jacques-Alain Miller vite më vonë do të kujdesej për botimet e Lacan-it.
Por është Judith Miller ajo që prej pak kohësh po jep një kontribut të madh në Shqipëri, siç e dëshmon psikoanalistja Jolka Nathanaili psikoanalistja në këtë intervistë, e cila e ftoi dhe krijoi një rreth lakanian të Fushës Frojdiane në Tiranë. Jolka është shpirti i këtyre iniciative për futjen e psikoanalizës bashkëkohore në Shqipëri nëpërmjet seminareve me studentët e psikiatrisë, me botime dhe diskutime.
Shfaqja e filmit Takim me Lakanin dhe seminari i 26 majit: Mund ta quajmë një takim me psikoanalizën bashkëkohore në Tiranë?
Dakord jam. Filmi është shfaqur për herë të parë në shtator 2011 nga Televizioni Publik Francez (France 3) me rastin e 30-vjetorit të largimit të Lacan-it nga jeta. Judith Miller, vajza e tij, shprehu dëshirën për ta shfaqur edhe në vende të tjera ku Lacan-i nuk njihej shumë. Filmi i regjisorit Gérard Miller na shfaq grimca të karakterit dhe të jetës së tij në një format metrazhi relativisht të shkurtër, rreth 50 minuta. Publiku shqiptar do të ketë mundësinë të dëgjojë dëshmitë e pacientëve dhe nxënësve të cilët kanë qenë në analizë me të por bashkë me intervistat e tyre hedh dritë mbi psikoanalistin më të rëndësishëm pas Freud-it. Viti që lamë pas, 2011, ishte një vit përkujtimor mbushur me aktivitete e botime nga më të ndryshmet rreth figurës dhe veprës së Lacan-it. Nuk është e rastësishme që një broshurë e vogël e titulluar Jeta e Lacan-it u botua po në shtator të 2011-s dhe është çdo gjë tjetër përveçse një biografizim ku lypset kopsitja e ngjarjeve të jetës së tij nën një diktat kronologjik të pajetë. Ne sot kemi në dorë një sërë veprash, tekstesh të Lacan-it në sajë të një pune të mrekullueshme ndërmarrë prej Jacques-Alain Miller që prej disa dekadash, i cili është njeriu i përzgjedhur nga vetë Lacan-i si publikuesi besnik i integralitetit të veprës së tij. Mbase publiku shqiptar nuk e di por Lacan-i i është rezervuar publikimit të seminareve të tij. Mbase për këtë arsye etike por edhe nga shtresëzimi i spikatur i ligjërimit të tij, ende sot çdo tekst i tij kalon më parë nga J.A.Miller, si në vrimën e gjilpërës përpara se ne ti lexojmë këto tekste si qëndisje të mirëfillta lakaniane.
Sa është bërë prezent rrethi lakanian shqiptar, nëse mund ta quajmë të tillë?
A ka njohës të veprës së Lakanit në Shqipëri? A ka ai admirues këtu?
Rrethi lakanian shqiptar është në hapat e parë të tij dhe pikërisht aktivitetet tona mundësojnë një prezantim me veprën e Jacques Lacan-it por edhe me praktikën e tij. Në Shqipëri gjen tek-tuk njohës të veprës së tij, por që nuk janë lexues të përhershëm. Më ka rënë rasti të takoj njerëz nga fusha e artit, kinematografisë por edhe e politikës të cilët e lexojnë atë, sidomos në Kosovë falë citimeve të përhershëm të filozofit Slavoj Zizek. Përshtypja ime është se në qarqet psikiatrike dhe psikologjike shqiptare ai njihet pak thuajse aspak. Mbase edhe pse ai i përket mirëfilli botës frankofone dhe më vjen keq të them se shpesh ata preferojnë amerikanizimin e instrumentalizimin e praktikës së tyre duke hedhur poshtë rishtazi përpjekjet shekullore të praktikës klinike franceze megjithëse paradoksalisht psikiatria pioniere shqiptare u specializua në Francë, kam ndërmend dok. Xhavit Gjatën, dok. Ulvi Vehbiun etj. Sot ngrihen pyetje mbi praktikën klinike në Shqipëri ku shpeshherë referimi ndër kolegë psikiatër por edhe psikologë ngelet i vështirë nga një tjetërsim që i është bërë punës klinike këtu.
Vëmë re përpjekjen që po bëni për të sjellë tekste edhe në shqipe prej Zhak Lakanit po edhe prej njohësve të tij si Jacques-Alain Miller. Duke pasur parasysh edhe vështirësinë e gjuhës lakaniane, a ekziston mundësia që këto tekste të vijnë në shqipe dhe të mos kenë fatin e përkthimeve të Frojdit, Fromit, Jungut?
Sa mirë kjo pyetje për përkthimin e psikoanalistëve të mëdhenj në shqip. Godet në thembrën e Akilit. Prej më shumë se një viti po punojmë së bashku me përkthyesin Ardian Vehbiu për botimin e një libri të parë të Lacan-it në shqip. Përkthimi është një odise më vete, një rrugëtim i bukur por sigurisht i gjatë. Urojmë që në nëntorin e ardhshëm të përfundojë kjo vepër e parë për lexuesin shqiptar!
Zhak Lakan ka pasur një udhëtim në Shqipëri në vitet 70, për të cilin nuk është folur ndonjëherë. Çfarë dini për këtë?
Më lejo ta ruaj si surprizë këtë ngjarje sepse është e lidhur si me botimin e librit ashtu edhe me vetë familjen e doktor Vehbiut!