Misioni Kastriot Islami në PS over
Z. Kastriot Islami e ka përdorur dhe donte ta përdorte ende PSSH-në si “lopë” për të mjelë përfitime sa nga PS-ja në pushtet dhe opozitë, për pasojë, me presionet e tij ndaj PS-së, të milte dhe vazhdon të mjelë nga ish-opozita dhe partia e sotme në pushtet, PDSH-ja.
Kjo nuk do as mend as kalem, po të shprehemi në zhargon popullor. Islami ka qenë një fizikan i talentuar dhe mund të bënte karrierë akademike, në mos jashtë shtetit (si kolegu i tij Progri në Francë), të paktën, në Shqipëri. Por dihet, arsimi i lartë nuk të jep para sa politika. Kështu, tinëzisht, u fut në listat elektorale të PS-së, pa qenë anëtar partie, dhe u bë speaker parlamenti. Menjëherë, ende President i Republikës, Ramiz Alia, i cili në vitin 1990 ia kishte ndërprerë Kastriot Islamit specializimin pranë një nobelisti në fizikë, e dërgoi në Moskë në krye të një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1991. Sapo ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes Moskës dhe Tiranës. U përfol se Islami kishte me vete në valixhen diplomatike një ngarkesë me dokumente të Sigurimit të Shtetit, që ia dorëzoi KGB-së.
Po ky Kastriot Islami, në vitin 2004, u dërgua në Moskë nga kryeministri i atëhershëm Fatos Nano për të nënshkruar marrëveshje me shërbimet sekrete ruse për shkëmbim informacionesh me homologet shqiptare. Këto janë të botuara. “Amanetin” e Nano-Islamit e plotësuan pas 7 vjetësh Berisha-Nishani, kur nënshkruan me shefin e antidrogës ruse një marrëveshje kundër Kosovës.
Paturpësia e Islamit është e pafundme. Përmendim rastin e emërimit të tij si ministër i Financave i qeverisë së Fatos Nanos. Një dite më parë, në prani të mediave, u betua se nuk do ta pranonte postin. Kjo, me të drejtë. Pasi ishte fizikan dhe ishte injorant në financa. Por të nesërmen u gdhi kryellogaritar i Shqipërisë. Dihen bëmat e tij si kusar i financave. Në varësinë e tij ishin doganat dhe tatimet me një evazion fiskal të tmerrshëm. Kastriot Islami dhe Fatos Nano u akuzuan, jo vetëm nga opozita e atëhershme, por edhe nga ndërkombëtarët. Islami dhe Nano, bashkë me Ilir Metën, ishin përgjegjës që çuan PS-në opozitë. Po ashtu “formulat” e Islamit vazhdojnë ta mbajnë PS-në në opozitë.
Misioni Kastriot Islami në PS mbaroi. Prandaj e ftojnë Ilir Meta dhe Sali Berisha në partitë e tyre.
