E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes lideri komunist i Koresë së Veriut, Kim Xhong II – Azia Lindore në tension

20-12-2011 / Gazeta 55

Ndërkombëtarët: Udhëheqja e re t’i japë fund izolimit ndërkombëtar


Koreja e Jugut, e cila është në konflikt me fqinjin e saj në veri për më shumë se 60 vjet, ka vënë ushtrinë e saj në gatishmëri. Mbikëqyrja është rritur përgjatë kufirit të dy vendeve, edhe pse presidenti Li Mjung Bak bëri thirrje për qetësi dhe u kërkoi banorëve të Jugut të vazhdojnë me jetën e përditshme


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Xhong II, ka ndërruar jetë, duke lënë pas vetes pyetje dhe dyshime lidhur me të ardhmen e dinastisë së familjes së tij, dhe të vendit që ka udhëhequr për 13 vite. "Po ju njoftoj me trishtim se udhëheqësi jonë i madh, Kim Xhong Il u nda nga jeta për shkak të sëmundjes së papritur gjatë një udhëtim më 17 dhjetor 2011”. Me këtë njoftim, të bërë nga një lexuesja e përlotur e lajmeve këtë mëngjes, Koreja e Veriut hyri në një epokë të re të pasigurisë duke vënë fqinjët e këtij vendi të armatosur me armë bërthamore në gatishmëri. Vitet e sundimit të 69 vjeçarit Kim, u shënuan me ndjekjen e tij për një program të armëve bërthamore në koston e izolimit ndërkombëtar dhe vuajtje të pathëna të popullsinë së uritur të këtij vendi të varfër. Vdekja e tij duket se do të lë djalin e tij të tretë dhe më të ri, Kim Xhong Un, në krye të vendit. Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA  përgëzoi Kimin e ri si një "pasardhës i madh" dhe "udhëheqës i shquar i partisë, ushtrisë, dhe njerëzve". U deshën dy ditë për të njoftuar vdekjen e udhëheqësit suprem, megjithatë u ngritën pyetje lidhur me të ardhmen e dinastisë së familjes. I njohur nga Koreja e Veriut, si "pasardhës i madh i çështjes revolucionare", Kim erdhi në pushtet nga vdekja e babait të tij, themeluesit të Koresë së Veriut, Kim  Sung, në vitin 1994. Kim Xhong II besohet te ketë lindur me 16 shkurt 1942 dhe sipas të dhënave zyrtare në Korenë Veriore, ditëlindja e tij ishte shoqëruar me shpërfaqjen e një ylli të posaçëm dhe një ylberi të ndritshëm. Lideri që ishte i njohur për pirje të duhanit dhe konjakut, besohet të ketë pasur diabet dhe sëmundje të zemrës. Nën sundimin e tij ekonomia e Koresë së Veriut ra më thellë në varfëri dhe deri në një milion bashkatdhetarë të tij llogaritet të kenë vdekur nga uria shkatërruese në vitet 1990. Kim Xhong II, i cili besohet të ketë pësuar një goditje në zemër në vitin 2008, thuhet se vdiq të shtunën (17 dhjetor) nga një sulm në zemër, ndërsa ishte në një udhëtim me tren. Koreja e Jugut, e cila ka qenë në konflikt me fqinjin e saj në veri për më shumë se 60 vjet, ka vënë ushtrinë e saj në gatishmëri. Mbikëqyrja është rritur përgjatë kufirit të dy vendeve, edhe pse presidenti Li Mjung Bak bëri thirrje për qetësi dhe u kërkoi banorëve të Jugut të vazhdojnë me jetën e përditshme. Presidenti Xhorxh Bush e pati listuar Korenë e Veriut në mesin e tre vendeve në "Boshtit të së Keqes", dhe kishte deklaruar se ai kurrë nuk do të tolerojë një Veri bërthamor. Vitet e konfrontimit mbi çështjen bërthamore të Koresë së Veriut e kishin bërë atë një shtresë të ulët ndërkombëtare, me Kinën që shpesh luante rolin e mbrojtës në sallat e Kombeve të Bashkuara. Koreja e Veriut kohët e fundit kishte treguar interes në rifillimin e të ashtuquajturave "bisedime gjashtë palëshe" mbi programin e saj bërthamor që u pezulluan në vitin 2009. Por drejtimi i politikës së jashtme të vendit është tani në duart e Kim Xhong Un, i cili ka mbajtur një pjesë të vogël e posteve ushtarake dhe të tjera, por kurrë nuk është takuar me udhëheqësit e botës. Zyrtarët e shtetit kanë deklaruar një periudhe zie kombëtare deri me 29 dhjetor.


Reagimi i Botës ndaj vdekjes së udhëheqësit të Koresë së Veriut


Lajmi i vdekjes së udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Il, ka shkaktuar reagime në mbarë botën. Në Uashington, Presidenti Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton u njoftuan menjëherë për vdekjen e udhëheqësit koreanoverior. Në një deklaratë të lëshuar dje, Shtëpia e Bardhë tha se ishte në "kontakt të ngushtë" me aleatët në Korenë e Jugut dhe Japoni. Në deklaratë thuhet se zoti Obama foli me Presidentin e Koresë Jugut Lee Myung-bak dhe riafirmoi angazhimin e Uashingtonit për stabilitetin në gadishullin Korean si dhe për lirinë dhe sigurinë e aleatëve të saj. Deklarata thotë se dy udhëheqësit ranë dakord të udhëzojnë ekipet e tyre të sigurisë kombëtare për të vazhduar koordinimin e ngushtë. Në Korenë e Jugut, Presidenti Lee anuloi të gjitha aktivitetet e planifikuara. Udhëheqësi i Koresë së Jugut thirri një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe e vendosi ushtrinë në gatishmëri të lartë, duke shtuar vëzhgimet nga ajri përgjatë kufirit me Korenë e Veriut. Dy Koretë vazhdojnë të jenë teknikisht në luftë që nga konflikti 3-vjeçar në gadishullin Korean, i cili përfundoi me armëpushim në vitin 1953. Në Tokio, kryeministri japonez Yoshihiko Noda thirri një takim të këshilltarëve të lartë për të formuluar reagimin ndaj vdekjes së udhëheqësit të Koresë së Veriut. Agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, tha se zyrtarët në Pekin shprehën hidhërim për lajmin e vdekjes së Kim Jong Il-it dhe i përcollën ngushëllime popullit të Koresë së Veriut. Kina shihet si aleati dhe partneri tregtar më i ngushtë i Koresë së Veriut. Në Londër, Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hague tha se vdekja e zotit Kim mund të jetë një pikë kthese për Korenë e Veriut. Zoti Hague i bëri thirrje udhëheqjes së re të Koresë së Veriut të pranojë se angazhimi me bashkësinë ndërkombëtare ofron perspektivën më të mirë të përmirësimit së jetesës për koreanoveriorët. Ai gjithashtu inkurajoi Korenë e Veriut të punojë për paqen dhe sigurinë në rajon dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të lejuar rinisjen e bisedimeve gjashtëpalëshe rreth programit bërthamor të Phenianit.


Trashëgimtari enigmatik i pushtetit përballet me një tranzicion të pasigurt 


I riu Kim është emëruar kryetar i komitetit që do të mbikëqyrë varrimin e babait të tij më 28-dhjetor, një veprim që nga disa analistë interpretohet si dëshmi se transferimi i pushtetit tek i biri është një procedurë pa probleme, të paktën në ditët e para. Analistët thonë se funerali do të jetë një shfaqje mirë e përpunuar publike, e cila do të ketë si qëllim që të tregojë jo vetëm “respektin” e popullit ndaj liderit të sapo vdekur, por edhe idenë se populli koreano-verior është i bashkuar.  "Prova e parë e udhëheqjes së re do të jetë mënyra sesi ajo do të trajtojë vetë vdekjen”, thotë John Delury, një profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Yonsei në Seul. Analistë thonë se Kim Xhong, gjatë tre viteve të fundit, është përpjekur që të ndërtojë një figurë të suksesshme për djalin e tij të paprovuar që është afër të 20-ve.  "Kim Jong II ka përdorur vitet e fundit të tij për të gjetur një konsensus ne mesin e elitës komuniste, në mënyrë që të pranohej djali i tij si pasardhës pas vdekjes së tij", thotë Kim Yeon-su, një profesor i studimeve për Korenë e Veriut në Universitetin e Seulit. Ai shtoi se kjo është një fytyrë e lehtë për t’u pranuar: me faqe të shëndosha, flokë të shkurtra dhe një shikim të vështire, tipare këto të ngjashme me gjyshin e tij Kim Sung. Për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë pas varrimit, duhet të analizojmë vdekjen e babait të të ndjerit Kim Xhong II, King Sung. Në këtë precedent të vitit 1994, Kim Xhon II mbikëqyri periudhën tre vjeçare të zisë tradicionale e më pas mori kontrollin e pushtetit të kombit, një veprim ky që pasqyron çuditshëm ndërthurjen e traditës të monarkisë konfuciane me kultin e individit të Stalinit. Me vdekjen e Kim Jong-II, shumë analistë presin që i riu Kim të mbikëqyri një periudhë të ngjashme zie, e më pas të marrë pushtetin. Ndërsa liderit të sapo vdekur komunist iu deshën dekada për t’u përcaktuar si trashëgimtar i pushtetit, i riu Kim pati fatin që të prezantohej publikisht si pasardhës në shtator të vitit 2010, gjatë përvjetorit të themelit të Koresë së Veriut. Masao Okonogi, një specialist për Korenë e Veriut në Universitetin Keio në Tokio, thotë se gjatë viteve të para të udhëheqjes së re, Koreja e Veriut ka të ngjarë që t’u rijë larg konfrontimeve me SHBA-në dhe aleatëve të saj. Kjo është ajo çka bëri vetë Kim Jong II pas vdekjes së babait të tij. Sipas z.Okonogi, ai po mban një degë ulliri, për të respektuar një marrëveshje të negociuar nga babai i tij në vitin 1994, për të pezulluar ndërtimin e dy reaktorëve bërthamorë, të dyshuara për prodhimin e armëve bërthamore.


...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›