Misioni i NATO-s nuk do të lejojë trazira

“Na e kanë bërë të qartë se KFOR-i do të mbrojë popullatën civile, dhe se nuk do të kursehet për të ndalur turmat e ngjashme si ato të vitit 2004”, i ka thënë kësaj gazete një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës.
Sipas burimeve të gazetës, paralajmërimet janë bërë në takimet e shumta të zyrtarëve të KFOR-it me ministra, me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe me presidenten Atifete Jahjaga.
Mesazhin, veç të tjerash, e ka sjellë në Kosovë komandanti i NATO-s në komandën e Napolit, admirali Bruce W. Clingan. Komanda në Napoli është autoriteti që i jep urdhra KFOR-it në zinxhirin komandues të NATO-s që selinë e ka në Bruksel.
Mesazhi i komandantit të NATO-s është dhënë edhe në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
“Admirali Clingan theksoi që NATO-ja përcjell nga afër zhvillimet në Kosovë dhe pret që institucionet dhe populli i Kosovës të jenë vigjilentë ashtu si edhe deri më tani dhe të mos lejojnë që incidentet individuale të përdoren për arritjen e qëllimeve politike dhe krijimit të një klime të pasigurisë e jotolerancës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.