E Diel, 1 Nëntor 2026

"Misioni i OKB-së në Kabul i kaloi kompetencat"

Zyrtarët e rinj të qeverisë së Afganistanit për t‘u përballur me kritikat e ashpra të ndërkombëtarëve për mënyrën e qeverisjes dhe korrupsionin kanë bërë të ditur dje se zyrtari kryesor që përfaqëson OKB-në në vendin e tij i kishte kaluar shumë kompetencat e detyrës. Sipas deklaratës së bërë nga ministri i Jashtëm i vendit, shefi i OKB-së në Afganistan i kishte dhënë urdhra qeverisë për të hequr dorë nga lidhjet me shefat e fiseve të ndryshme. Shefi i OKB-së së bashku me figura të tjera të rëndësishme të politikës ndërkombëtare si Obama, apo Kryeministri britanik, Braun, kanë kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe nga qeveria afgane ndërmarrjen e hapave konkretë për çrrënjosjen e korrupsionit në radhët e saj, si dhe heqjen dorë nga futja në drejtimin e vendit e njerëzve të dyshuar për krime. Por komentet e fundit të shefit të OKB-së duket se kanë irrituar shumë qeverinë afgane, e cila ka vendosur që të reagojë duke e quajtur sjelljen e fundit të shefit të OKB-së një tejkalim të kompetencave. Përfaqësuesi i OKB-së tha dje se qeveria afgane nuk duhet të ishte më e sigurt në vijimësinë e ndihmave financiare nga ana e Perëndimit nëse do të vazhdonte që të ushqente korrupsionin dhe të fuste në gjirin e saj njerëz me të kaluar të dyshimtë e shpesh edhe kriminale. Të tilla momente pak a shumë kanë bërë edhe përfaqësuesit e disa përfaqësive ndërkombëtare në Afganistan. Ndërsa për ministrin e Jashtëm afgan kjo mënyrë sjelljeje e diplomatëve të huaj ishte në fakt një shkelje e sovranitetit të vendit. Qeveria e Karzait është akuzuar vazhdimisht për një shkallë të lartë korrupsioni dhe për lidhje e bashkëpunim me disa prej figurave më të errëta të shefave tribalë në vend. Karzai me fillimin e mandatit të dytë premtoi për një spastrim të radhëve të qeverisë nga individë problematikë, por duket se deri më tani nuk ka bërë asgjë të tillë. Kjo ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar që e mbështet fuqishëm Afganistanin jo vetëm me trupa, por edhe me një ndihmë jashtëzakonisht të madhe financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›