E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për financierët, me gjithë shenjat e mira kriza nuk ka marrë fund

Zyrtarë të lartë të financave nga vende të ndryshme të zhvilluara dhe ato në zhvillim janë mbledhur dje në Skoci për të diskutuar mbi situatën financiare. Në përfundim të takimit ata kanë rënë dakord që të vazhdojnë me paketat stimuluese në ekonomi deri në momentin e daljes nga recesioni dhe fillimin e rritjes ekonomike. Në një deklaratë të publikuar menjëherë pas takimit që bënte bashkë vendet e G20 u theksua se bota ende nuk e ka rimarrë veten nga kriza ekonomike, që nuk ka mbaruar dhe institucionet e rëndësishme financiare vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetje të herëpashershme për të kaluar periudhën e kolapsit dhe të krizës. Të gjithë ishin të një mendjeje se shqetësimi më i madh ishte papunësia dhe ritmet e saj që po shtoheshin ditë pas dite, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geinther, tha se procesi i rritjes ekonomike mbetet shqetësues, edhe pse ka nisur që të përvijohet në shumë ekonomi të goditura. Për të ishte ende shpejt që të hiqej dorë nga paketat e stimulit ekonomik. Sipas tij edhe shifrat e fundit në lidhje me papunësinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesnin një vlerësim të tillë dhe kërkonin vazhdimësi në ndihma. "Nëse do ta ndërpresim ndihmën shumë shpejt dhe pa u rimëkëmbur plotësisht, atëherë do të përballeshim me pasoja të rënda", ka thënë sekretari i Thesarit. Megjithatë, në deklaratën përfundimtare thuhet se situata është shumë më e mirë se në ditët e pikut të krizës. Zyrtarët e G20 që përfaqësojnë ekonomitë e 90% të planetit, 80% të tregtisë botërore dhe dy të tretat e popullsisë ranë dakord që të ndërmarrin masa për t‘u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike dhe kërcënimin që një çështje e tillë përbën për të gjithë. Edhe pse për shumë analistë konferenca e ardhshme e Kopenhagenit për klimën që do të zhvillohet në dhjetor nuk do të konkludojë në ndonjë masë të rëndësishme dhe të shpejtë në takimin e djeshëm në Skoci, zyrtarët dukeshin më optimistë për një arritje pozitive. Për një përfundim pozitiv duhet që të bihet dakord mes të gjitha vendeve për të kontribuar në një paketë që do të financojë vendet në zhvillim për reduktimin që do t‘u bëjnë emetimit të gazeve të dëmshme. Pikërisht qëndrimi indiferent i vendeve të zhvilluara ndaj çështjeve të klimës ka qenë edhe nxitësi i shumë protestave që janë zhvilluar në Skoci rreth vendit ku u organizua takimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›