Misioni i OSBE-ODIHR-it: Financimi i fushatës, ndër fushat më të rëndësishme të monitorimit

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Financimi i fushatës elektorale për subjektet që garojnë në zgjedhjet e 11 majit mbetet në fokus të punës së misionit të monitorimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR-it.
Vëzhguesit nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) konfirmuan sot se financimi i partive mbetet ndër fushat më të rëndësishme në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit të vëzhgimit të ODIHR-it u shpreh se metodologjia e zgjedhjeve të ODIHR-it e përfshin edhe këtë temë.
“Vëzhgimi do të bëhet duke parë si është situata në terren dhe çfarë është zbatuar nga rekomandimet e mëparshme në këtë fushë. Kjo është një nga fushat më të rëndësishme”, shtoi ai.
Ndërsa zv.kreu i misionit të vëzhgimit të ODIHR-it, Mark Stevens theksoi se financimi i fushatave zgjedhore është një sfidë e madhe në shumë vende.
“Ne e shikojmë në dy këndvështrime. Në këndvështrimin e legjislacionit, nëse legjislacioni është aty ku duhet sa i përket transparencës, bëjmë rekomandimet përkatëse dhe më pas shohim se sa zbatohen këto rekomandime”, shtoi Stevens.
Këndvështrimi i dytë, tha ai, është administrimi i raportimeve të financimeve të fushatave zgjedhore në organizmat zgjedhore. “Si menaxhohen dhe administrohen raportimet mbi financimet e fushatës. Gjë tjetër që e komplikon këtë fushë janë edhe shpenzimet”, tha ai.
/r.e/j.p/