E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Brenda mandatit të katërt përmbyllim projektin kombëtar të furnizimit 24 orë me ujë

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot komentit të një qytetari në rubrikën “Sy m’Sy”, që u shpreh se Durrësi akoma furnizohet me një orë ujë në ditë, ndërsa sipas qytetarit ky qytet është vendosur në listën e zonave që furnizohen pjesërisht me 24 orë ujë në ditë.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama i ka shpjeguar qytetarit arsyet se pse Durrësi figuron si zonë e furnizuar me 24 ujë pjesërisht.

“Kur ti më dhe votën, kishte a s’kishte tre orë ujë në ditë gjithandej. Që kur ti më dhe votën kemi investuar për ujin e pijshëm në Durrës rreth 60 milionë euro më shumë se të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku, me përfitues banorët e të gjitha njësive administrative të asaj bashkie, ku të mos harrojmë s’ka pasur kurrë ujë 24 orë”, tha Kryeministri.

“Atëherë, ne kemi rindërtuar apo ndërtuar krejt nga e para linjat e ujit të pijshëm në shumë segmente. Këtu kam shumë, por po të përmend nga Lagjja 1, në lagjet 13 plazh, 14 Shkozet, 15 Spitallë, nga Ishmi, sektori Rinia dhe deri në Manëz. Nga Hamallaj, Rashbull, Romanat, Shijak dhe Xhavzotaj dhe si rezultat, sot që flasim, disa zona të qytetit si Spitalla, Porto Romano, një pjesë e Durrësit të ri, ose ish-Këneta, siç e quan bufi, apo zona e Nishtullës, furnizohet 24 orë ujë në ditë dhe ndërkohë në pjesët e tjera, furnizimi varion 18 deri 20 orë maksimumi, deri në minimumi katër orë. Ndërsa në zonën rurale, 28 fshatra kanë furnizime me ujë 24 orë”, pohoi Rama, teksa shtoi se 9 fshatra kanë furnizim me ujë 4-8 orë dhe 11 fshatra kanë furnizim me ujë 2 deri në 4 orë.

Sipas Kryeministrit, në zonën e plazhit furnizimi me ujë ka arritur 7-8 orë në ditë, ndërsa pritet që brenda këtij viti, projekti i financuar nga Agjencia Franceze për Zhvillim të hyjë në fazën e realizimit dhe brenda mandatit të katërt të përmbyllet programi i furnizimit me ujë 24 orë në Durrës.

“E pra, shumë e thjeshtë. Shkop magjik nuk ka, por ama ta përsëris, çfarë është bërë dhe çfarë është investuar për ujin e pijshëm në këto tre mandate, nuk është bërë dhe nuk është investuar në dekada e dekada të tëra të marra së bashku”, nënvizoi Rama.

“Dhe mos harro, në rang vendi, kur ne morëm detyrën, kishim vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë. Sot kemi 43 dhe 98 të tjera zona rurale, ndërkohë që 11 zona urbane janë në kantier dhe deri në fund të mandatit të 4 përfundon gjithë programi kombëtar i furnizimit me ujë 24 orë edhe për 16 zona urbane dhe 37 rurale, duke e përmbyllur transformimin historik në sektorin e ujit të pijshëm”, përfundoi Kryeministri. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›