E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i përkthyesit në kulturën tonë postkomuniste

Puna e përkthyesit si mision. Kronikat e Pouquevillit për Ali Pashën, një model i shqipërimit, si të mos qe përkthim i sotëm, por një kronikë e shkruar drejt e në koinenë tonë jugore, në ag të shek. XIX.

A ka ndonjë kërkesë kultura e cilësdo bashkësie të izoluar njerëzish? Natyrisht e ka; përkon me të njëjtën kërkesë të gjindjes që përfaqëson: gjallimin. E ashtu si njerëzit, edhe kultura gjallon përmes komunikimit me veten dhe me simotrat e saj rretherrotull.

Sistemi totalitar që u instalua në Shqipëri pas 1944-ës, ndërmori menjëherë një aksion ideologjik dykahësh: ndërprerjen e lidhjeve kulturore e gjuhësore me të kaluarën nga njëra anë, dhe shpalljen e produktit të ri kulturor shqiptar si të vetëmjaftueshëm nga ana tjetër.

Kjo vetëmjaftueshmëri, që duhej të përftohej prej një populli që "jetonte e punonte si në rrethim", rrezikoi thellësisht gjallmeninë dhe vlerat kulturore që u servireshin shqiptarëve. E sakaq u vu në dyshim dhe çdo prurje e jashtme, nga botë në mos të lira, ku e ku më me liri se jona.

Pikërisht këtu do kërkuar shkaku i rëndësisë së pashoqe që shqiptarët i atribuan Përkthyesit. Për dekada me radhë shqipëruesit u panë si figura mistike e ndonjëherë më të rëndësishme edhe se vetë shkrimtarët.

Asokohe gjithkund flitej nën zë për do shpirtëna të lirë që prodhonin shqipërime magjiplote edhepse kumtet e këtyre shpirtnave vinin sa nga toka edhe nga nëntoka, pasi kish syresh të ndryrë në qeli a burgje të angështa. Kësisoj, gjatë gjithë asaj periudhe izolimi kulturor, puna e përkthyesit, më fort se një profesion, jo rrallë u shndërrua në mision.

Këta të fundit u bënë dorëzanë të lirisë kulturore dhe çelën atë gallustër përmes të cilës gjindja shqipfolëse vijoi të këqyrë botën rrotull saj. Ky, pra qe misioni i fshehtë përkthyesve në kulturën shqiptare gjatë komunizmit, mision pa të cilin dogma do kish qenë ende më mbytëse.

E tash që shkruajmë, ka dy dekada që avllitë e nalta të rrethimit kulturor kanë rënë; një mori tituj autorësh klasikë e modernë janë sjellë e vijojnë me u sjellë në shqip. Në dukje të parë kurrgjë nuk e rrezikon jetën e kulturës shqiptare, e megjithatë, shqiptarët vijojnë ta ruajnë të pacënuar e ta respektojnë figurën e përkthyesit.

Ndonëse sot gjendet e mbështjellë nga informacioni, lexuesit e shqipes, me një këmbëngulje thuajse instiktive, e konsiderojnë ende shqipërimin jo thjesht si profesion teknik, por si diçka atmetare.

Pa mundur ta shtjellojnë hollë thelbin e pritmenisë që kanë prej tekstesh të shqipëruara, ata vijojnë me e pa përkthyesin si misionar të kulturës tyre. Si dikënd që u prin drejt rivendosjes së një tjetër lidhjeje, ndërprerë kohë më parë, lidhjes me shqipen-gjuhë-amtare. Por jo gjithkush mund ta prijë lexuesin kësi shtegu. Ardian Klosi, psh, ja ka dalë të jetë një i tillë prijës.

Në shqipërimin e kronikave të Pouquevillit për Ali Pashën, mund të thuhet plot gojë se ai ja ka dalë t'i shpërfillë kallëpet tjetërsuese që dogma e dikurshme prodhoi enkas për mjetin gjuhësor artistik. Kështu shqipja e qashtër e kësaj vepre ka një përkatësi të goditur krahinore e kohore, gati-gati si të mos qe përkthim i sotëm, por një kronikë e shkruar drejt e në koinenë tonë jugore, aty në ag të shek. XIX.

Këtë çlirim Klosi nuk e mbërrin formalisht, pra thjesht duke i dhënë shqipërimit të vet një patinë të stisur vjetëruese, por duke i vendosur mjetet gjuhësore të ligjërimit në një ekuilibër delikat mes të shkuarës e të tashmes.

E në këtë ekuilibër, elementet e moçme i takojnë sa formës aq edhe përmbajtjes. Thënë sosyrianisht, në këtë shqipërim të Klosit, koha dhe vendi përcillen bukur mirë përmes shenjuesish e të shenjuarish.

Duke e përimtuar më tej këtë vëzhgim, përmes shembujsh nga teksti, le të ndalemi fillimisht te forma e fjalëve. Kështu themi se në këtë "arpezh" linguistik, i cili luhet i tëri në çelës toskë, janë intonuar me mjeshtëri të lakmueshme disa lloj regjistrash nga repertori i kësaj koineje të shqipes. Çdo dialog përfaqëson njimend gjuhën e folur, pikërisht ngase Klosi, në të tilla situata ligjërimore, i largohet me qëllim gramatikëzimit dhe transkripton kodin e folur.

Kësisoj vërehen lehtas replikat e Ali Pashës kur këlthet:
"Ai litar aty - u thoshte duke u treguar kurorën e maleve ngarkuar me borë që rrethonin Janinën, - do t'i marrë më qafë armiqtë tanë. [...] Më quajnë Kara Ali; por s'e kanë mirë, Elmaz duhet të më thoshnin; se nuk gjën dot në mbarë Turqinë edhe një si puna ime në këtë moshë. Do bëhen keq pishmën lepujt kur ta mësojnë se ç'hatara do t'u lë mbas, se ç'është në gjëndje të bënjë luani plak me trimat e vet që nuk ditën t'i çmojnë si duhej.

Më lëftojnë se duan të më marrnë thesaret, po do t'i marrën, do t'i marrën të lara në gjak! Do ta shohën se ç'tufan e ç'tërbim do t'u ngrë unë mbi krye, Edhe pak muaj e do ta shkunt dovletin me themelì, kush të më sulmonjë pastaj do dridhet si qën mu në zëmër të Stambollit. Qytet i pëgërë, prit, pa prit se nukë vdes Aliu pa t'i parë pallatet shkrumb e hì dhe ministrat makutër me zorrët përjashtë!".

Në zgjedhjen e mjeteve gjuhësore, Klosi nuk ndalet thjesht te makrodallimet dialektore, e as tek ato të mesme diamezike (regjistër shkrimor apo gojor), por vijon të rrëmojë edhe brenda vetë regjistrave, duke kërkuar nuanca të ndryshme ligjërimi në përputhje me situatat kumtuese. Kështu, ndonëse mbetemi brenda regjistrit të folur, ligjërimi i vënë në gojë të Aliut ndryshon edhe në varësi të personit kujt i drejtohet.

Për ta realizuar këtë dallim, përkthyesi herë-herë fut në punë të ashtuquajturat kundërvënie sintaktike. Kështu makrosintaksa e paragrafit të mësipërm, në të cilin Pashai u drejtohet rivalëve, ndryshon krejtësisht nga organizimi i fjalërenditjes kur u drejtohet të dashurve të zemrës, fjala vjen Vasiliqisë: "M'u duk, o vajzë e shtrënjtë, m'u duk se gjegja zërin tënd në mes të hijeve. Hajde këtu, o zonjë e zëmrës sime, nuk do t'më pushoç në krahëruar? [...] Oh, të dëgjonj! Aliu po troket te ora e tij e sprasme.".

Kushdo mund ta vërë re ndryshimin. Në paragrafin e parë fjalitë janë të llojit klasik, të shkurtëra, pa përsëritje e kthime prapa në rend; ndërsa në të dytin, makrosintaksa paraqitet krejt e kundërt.

Pjesët e fjalisë janë redondante apo të lëna në mes; ndërsa pika si shenjë fundore nuk e ruan rolin që ka në paragrafin e parë; vendi i saj shpesh zihet nga presja, çka e bën fjalinë më të labërguar e për pasojë edhe kumtin tejet më të zbutur.

Nuk lypet të jesh doemos aktor për ta marrë të qartë mesazhin e shqipes së Klosit.
Sikundër u tha qysh në fillim kjo melodi gjuhësore është e orientuar e gjitha në linjë të toskërishtes, pasi fragmentet e dialogjeve, herë në labërishte e herë në çamërishte të theksuar, pushojnë në një sfond narrativ (edhe ky nga po e njëjta gurrë ligjërimi, porse natyrisht me ngjyresa më të zbehta për të mundësuar dallimin e folësve nga kronisti).

Sjellim për shembëll një fragment narracioni: "Sapo që u davarit tymi ng'ajo anë, pikasi Kapllanin, pashanë e Krujës, që kishte bujtur dikur tek ai e, si ju fal (këtu 'fal' dmth lut, po të kemi parasysh që 'falem' në kuptim të parë dmth 'ulem, përulem' - shënim i autores) njëherë nënës që t'ja merrte shpirtin besëqenit, ja nguli plumbin në gjoks; Kapllani lëshoi një klithmë të mprehtë dhe u valavit mbi kalin që rendi tej i tromaksur, duke përhapur òorodinë ndër ushtarët e Drinit.

Haxhi Bedua i Himarës, i mbiquajtur Buzëlepuri, Mustafa Barbërushi i Konicës, Ibrahim Vrajemadhi i Kolonjës, binjakët e Vlorës, Bajrami dhe Islami, ranë të gjithë njëri mbas tjetrit nën të shtënat e tij".

A nuk ju duket se i keni takuar a njohur prej kohësh këta luftëtarë me llagape mesjetare?

Këtë shkrirje harmonike mes dialogjeve agramatike dhe sfondit narrativ përgjithësisht të gramatikëzuar Klosi e mundëson edhe duke ngjëruar aty-këtu forma të toskërishtes si: zhurmhurì, i lojtur mënç, njerëzit vanë e u mblodhën, vrau të anë, e çkalli nga qelitë, korat e shënjta (për 'ikona') etj.

Të tilla ndërthurje janë po aq të hajthme, sa edhe ndërkalljet mbresëlënëse stilemore të turqizmave në mes të fjalive si: "tani që berber-bashit i doli bafti, edhe baftit të Kalet efendiut i ndriti ylli".

Duke u shtyrë më thellë nga ekuilibri i formës, tek ai i përmbajtjes së fjalëve, a më saktë tek shtresëzimi semantik i tyre në rrjedhë të kohëve, nuk mund të mos e kesh lakmi artin shqipërues të Ardian Klosit, aftësinë e tij për t'i dhënë gjuhës së tekstit motnimin e natyrshëm magjiplotë.

Me ca vëmendje, kushdo, sadopak i lëçitur, mund ta verë re se një numër i konsiderueshëm i shenjuesve të tekstit përfaqësojnë në fakt jo kuptimet që kanë sot, por ato që kanë pasur njëherë e një mot, para se të zhvendoseshin vertikalisht drejt kuptimësive aktuale.

Kështu: 'gjegj' është përdorë për 'dëgjoj', ndërsa 'dëgjonj' (dëlgonj) për 'marr vesht, kuptoj'; apo 'ta vështroni' = ta ruani, ta mbroni, sipas kuptimësisë së rrënjës indoeuropiane *vronio; e kështu me radhë: 'i ftohën suljotët' = i vranë; 'sërë-sërë' = me radhë (sirá-sirá, sipas rastit); 'i dëftoi gjalmën' = i drejtoi pushkën (ku, me meronim, pjesa shenjon të tërën, pra: gjalmë = dyfek); 'rroj në çipin tjetër të jetës', ku jetë = botë (në toskërishten e vjetër, sikundër del edhe te Reinholdi apo dhe ndër këngë folklorike: u mbush jeta = u mbush bota); 'vëngjëllon' = vigjëlon; 't'i irnosim' = t'i zemërojmë; 'shtinak' = i dështuar (drejpërdrejt nga folja shtinj = dështoj); 'i kishin truar jetën' = kushtuar, blatuar, falur (siç del edhe në vargjet e Fishtës: nji kryq druni t'kjosha true, xjerre e venma përmbi mue); 'vraponi rend!' = vraponi rrëmbyeshëm (duke shkuar kështu në kërthizë të etimonit rend nga rrënja indoeuropiane *rhin, prej nga vjen përrenj - thënë ndryshe: vrulltakë).

Pa dashur të zgjatem tejet me radiografinë e shqipes së Ardian Klosit, sadoqë performanca të tilla gjuhësore të joshin të ndash me të tjerët çdo mirakandje që përjeton gjatë leximit, dëshiroj t'i rikthehem mesazhit tim nistor e të theksoj se: pavarësisht shembujve të tillë, marrëdhënia e shqipfolësve me shqipen-gjuhë amtare sot vijon të mbetet e denatyruar si trashëgim genetik i totalitarizmit të dikurshëm në gjuhë; e mb'anë tjetër, gjithkush është tashmë i vetëdijshëm për ndikimin masiv që ka fjala artistike në mbrujtjen dhe në selitjen e vijuar të ligjërimit të çdo shqiptari.

Ndaj kish të drejtë Charles Baudelaire, duke iu drejtuar shkronjësve publikë, kur thosh: "manier savamment une langue, c'est pratiquer une espèce de sorcellerie évocatoire". Ardian Klosi e dha sërish shembullin e ndorimit me urti të shqipes.

Të tilla ndorime gjuhësore, njëlloj siç thotë më sipër Baudelaire, kanë fuqi magjike të evokojnë atë limfë të ngrirë të shqipes, sot jetike për gjallimin e kulturës sonë ende të atrofizuar. Të tilla ndorime gjuhësore duket se do të përbëjnë edhe misionin e përkthyesit në kulturën shqiptare post-komuniste.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›