Bastisen zyrat e PS-së në Durrës, vidhen shumë dokumente e CD
DURRËS- Mëngjesin e sotëm janë gjetur të bastisura zyrat e Partisë Socialiste në Durrës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, zyrat janë gjetur të hapura, ndërkohë që pas iventarit dëmi i shkaktuar raportohet të jetë 3 milionë lekë.
Sipas burimeve të PS-së në këtë qytet, vjedhja dyshohet të mos jetë ordinere, thjesht me qëllim grabitjen. Kjo, pasi sipas saj në zyra është bërë një vjedhje selektive. Është vjedhur laptopi i sekretarit të PS-së së Qarkut, shumë dokumente të rëndësishme partiake dhe një numër CD.
Pas denoncimit të ngjarjes, në vend ka mbërritur policia e cila po heton rreth vjedhjes dhe po punon për gjetjen e autorëve.