Miss Shqipëria 2010 do të kurorëzohet në Gjirokastër
Kalaja e Gjirokastrës është Monumenti i Kulturës ku do të kurorëzohet “Miss Shqipëria 2010”. Në vijim të maratonës së tyre për promovimin e trashëgimisë kulturore, 32 vajza kandidate për kurorën e bukurisë shqiptare prekën së pari kolonat dhe muret e lashtë të qytetit 2300-vjeçar të Antigonesë dhe sfiluan në rrugët e këtij qyteti që Pirro, Mbreti i Epirit e projektoi, ndërtoi dhe ia dedikoi dashurisë së tij të parë, Antigonës, vajzës së mbretit Ptoleme të Egjiptit. Jo pa qëllim presidenti i “Deliart Association”, Petri Bozo, organizatori i spektaklit të bukurisë “Miss Shqipëria 2010” që do të mbahet në kështjellën e Gjirokastrës më 30 qershor dhe 1 korrik ka zgjedhur Antigonenë si pjesë të turit që pretendentet e kurorës po zhvillojnë në jug të Shqipërisë. Si çdo herë tjetër, 32 vajzat e përzgjedhura mes 450 kandidateve, vijnë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, trevat përreth, por edhe vende të tjera ku jetojnë prej vitesh bashkë me familjet, si Italia, Greqia etj. Stafi ka filluar ngritjen e skenës dhe mbylljen e detajeve të fundit të spektaklit. Deri më tani janë zbuluar dy emrat e prezantuesve, që janë Inis Gjoni dhe aktori Artan Imami. Ndërkohë që atmosfera do të mbushet edhe nga interpretimet e këngëtarëve të njohur, të ftuar në këtë konkurs të bukurisë.
#