E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëri ekstreme e mendimit artistik

Skulptura e parkut / Korça ka tri vjet që organizon konkursin ndërkombëtar të skulpturës së parkut në gur.


Elbasani ka njoftuar hapjen e një konkursi me të njëjtën natyrë. Organizatorët nuk janë në gjendje të kuptojnë rëndësinë e këtij aksioni dhe dëmin që i sjellin dy qyteteve duke imituar njëri-tjetrin

Në vitin 1973 shkova në Progër për të parë veprat e skulptorit popullor Thimi Grazhdani. Që atëherë tema e artit popullor në gur, sidomos në rrethin e Korçës, ka qenë një nga ato me të cilat jam marrë në studimet e mija dhe i kam botuar mbas '90-ës: "Mjeshtri popullor i gdhendjes së gurit Thimi Grazhdani nga Progri" Revista Letrare Nr. 4 1996; "Dekori i thjeshtë linear në gur" Revista Monumentet 2002; "Punimi i gurit në fshatin Dardhë" Monumentet 2003; "Deko art në Korçë" Gazeta "55" 21 dhe 28 Shtator 2003; "Maska tragjike dhe komike në gur" Monumentet 2004.


Studimi i punimit të gurit në qytet po edhe në fshat, më çoi në paraqitjen e propozimit në Këshillin e Kulturës të Bashkisë së Korçës në shkurt 2008 për një konkurrim ndërkombëtar për skulptura parku në gur.


Bashkia e organizoi më 2008 dhe 2009 dhe si rezultat i kolonisë së artistëve janë realizuar 16 skulptura. Këtë vit do të organizohet edicioni i tretë nga data 25 qershor deri më 5 korrik. Por kam dy shqetësime të cilat dua t'i ngre në këtë artikull.


Nga shtypi lexova se edhe Bashkia e Elbasanit po organizon të njëjtin aktivitet: Simpozium Ndërkombëtar Skulpture, dhe se Genti Tavanxhi do të jetë drejtor artistik për të dy simpoziumet.


Kjo iniciativë e Bashkisë së Elbasanit është tërësisht e gabuar dhe pa vend.
Koleksioni i veprave në gur që u krijuan në Korçë nuk ka dyshim që është më i rëndësishmi i artit modern në Shqipëri (isha i sigurt që kur e propozova), por po veprojmë si provincialë dhe të papjekur.


Në çdo rast do të tregojmë se nuk dimë të ruajmë vlerat unikale dhe të veçanta. Arti ka vlerë kur është unikal.
Koleksioni i Korçës nuk duhet imituar.


Më çudit fakti që Genti Tavanxhi ka qenë dakord, kur duhej t'iu sqaronte nëpunësve të Bashkisë së Elbasanit se kjo gjë nuk shkon.


Unë nuk jam kundër që edhe Elbasani si edhe qytetet e tjera, të bëjë skulptura parku.
Përkundrazi, do të ndihmoja çdo qytet me konsulenca. Kam 15 vjet që luftoj për këtë dhe kam bërë disa projekte. Por kopjimi i idesë në këtë mënyrë nuk është veçse varfëri, provincializëm dhe antikulturë.


Elbasani fare mirë mund të bëjë konkursin e veprave në dru, p.sh. në dru ulliri.
Skulptura e parkut mund të bëhet me shumë materiale: me gur, dru, çelik, xham, qeramikë, alumin, çimento etj. Kur ka një diapazon kaq të gjerë të mundësive përse kopjojmë si ata nxënësit kopjacë?


Mendimi im për skulpturat e parkut në Korçë ishte i lidhur me një specifikë të veçantë të Korçës në përdorimin e kolonave të gurit. Korça duhej të respektohej e vetme për këtë kontribut në rang kombëtar dhe Ballkanik. Tani, vlera e këtij koleksioni merr fund. Përse Bashkia e Korçës e lejoi dhe nuk proteston?


Sepse nuk është në gjendje të kuptojë rëndësinë e këtij aksioni dhe t'i sqarojë Bashkisë së Elbasanit, dëmin që i sjell asaj dhe vetë Elbasanit. Çdo qytet duhet të krijojë vlerat e veta dhe mos bëhet majmun.


Çfarë mund të thuash kur në Elbasan, Pogradec, Korçë sheh po të njëjtin tesut në shtrimin me pllaka të bulevardeve apo të trotuareve?


Çfarë do të thotë një i huaj kur të shohë në parqet edhe në Elbasan edhe në Korçë po të njëjtat skulptura (jo të njëjtat ekzakt por të të njëjtit impresion total)?


Vërtet më vjen keq dhe jam shumë i indinjuar dhe i zhgënjyer për këtë varfëri ekstreme të mendimit artistik tonin.


Skulpturat e Genti Tavanxhiut në Korçë janë nga më të mirat në këtë koleksion të krijuar aty, por ai pikërisht sepse është një artist me kaq vlera nuk duhet të lejojë një shabllon kaq të ulët. Kjo vetëm sa ul dinjitetin artistik të Elbasanit.


Ku janë skulptoret? Po profesorët e Akademisë? Ku janë kritikët e Galerisë së Arteve? Ku janë specialistët e Ministrisë së Kulturës?


Kur propozova këtë aksion të madh artistik, njëkohësisht i propozova Kryetarit të Bashkisë edhe bërjen e kompleksit skulpturor të emigrantit.


Korça ka nxjerrë emigrantët e parë që në fillim të nëntëqindës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë emigrantët edhe në shekujt e mëparshëm niseshin nga një lëndinë e vogël në dalje të qytetit, të cilës populli i vuri emrin "Lëndina e lotëve". Ajo është edhe sot.


Ky monument duhet bërë. Për të gjithë emigrantët që ka nxjerrë Shqipëria. Mendimi im ishte dhe është që Kompleksi Skulpturor Emigranti të vazhdonte gjatë me disa kilometra drejt kufirit të Kapshticës, me veprat në gur të autorëve nga gjithë bota, në dy parteret me bar anës rrugës. Ky do të ishte rrugëtimi ynë artistik, i Korçës në veçanti, e cila ka qene ajo që ka lidhur e para Shqipërinë me Europën dhe Amerikën.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›