Ndryshon Ligji Antiduhan, gjobitet kush “kapet” me cigare
Personat që do të kapen duke pirë cigare në vende të ndaluara, do të gjobiten. Ky është ndryshimi që pritet të pësojë ligji tashmë i dështuar kundër konsumimit të duhanit në ambiente publike, ndërkohë që nuk dihet nëse kjo do të jetë përpjekja e radhës apo e fundit për të zbatuar ligjin. Por, ajo që parashikohet është se qytetarët që do të pinë duhan në ambientet e ndaluara do të gjobiten nga shteti. Dështimi i Ligjit Antiduhan, që synon ndalimin e pirjes së tij në ambiente publike, sidomos në lokale ku situata është edhe më problematike, ka bërë që autoritetet shëndetësore të mendojnë edhe për një mënyrë tjetër gjobitjeje, që mund të jetë më efikase. Në pamundësi për të ndëshkuar subjektet abuzuese të ligjit, specialistët propozojnë vendosjen e gjobave të trefishta për duhanin, njërën nga të cilat do të duhet ta paguajnë edhe qytetarët që kapen duke pirë cigare në ambiente të ndaluara. Tashmë specialistët do të propozojnë që gjoba, përveç menaxherit apo pronarit të lokalit, t’i adresohet edhe personit që e konsumon atë në ambientet e ndaluara. Drejtori i Politikave pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Pëllumb Pipero thotë se ky propozim është kryer gjatë një takimi mes ministrit të Shëndetësisë me ekspertët e fushës. Ai shtoi se edhe inspektorët sanitarë kanë dështuar gjatë detyrës së tyre dhe për këtë arsye u ngrit dhe një Task-Forcë. “Ministria e Shëndetësisë ndihet e keqardhur për mungesë të angazhimit të Inspektoratit Sanitar, qoftë për mungesë të koordinimit apo të bashkëpunimit me pushtetin lokal dhe veçanërisht me policitë respektive bashkiake apo të shtetit. Ky ligj nuk gjeti, si të thuash zbatimin e duhur. Gjoba aktualisht prek vetëm pronarin, në një të ardhme të afërt do prekë dhe qytetarin dhe atë që pi duhan atje ku nuk duhet të pijë duhan”, - thotë Pëllumb Pipero. Nga ana tjetër, drejtor i Politikave në MSH shprehet se dhe gjobat kundrejt pronarëve të bareve dhe restoranteve do të mblidhen më lehtë tani, pasi do të hartohen si tituj ekzekutivë. Ndërkohë ai shton se nuk do të lihet asnjë gjobë pa u vjelë, përfshi këtu dhe ato të prapambeturat. “Ajo çka kishim për të rregulluar ishte fleta e gjobës, nga një fletë gjobe e zakonshme në një titull ekzekutiv. Natyrisht shumë prej tyre do paguhen vullnetarisht, shumë prej tyre përmes gjykatës, por do të ekzekutohen”, - deklaron Pipero. Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit hyri në fuqi më 26 maj të vitit 2007. Nenet kryesore të këtij ligji kanë të bëjnë me ndalimin e pirjes së duhanit në të gjitha mjediset e mbyllura publike dhe reklamës të produkteve të duhanit. Vlera e gjobës për çdo subjekt shtetëror kap shifrën e 50 mijë lekëve, ndërsa për subjektet private ajo shkon në shifrën e 100 mijë lekëve, duke shtuar kamatëvonesën. Ndërsa për reklamat për duhanin gjoba ka shkuar edhe deri në 3 milionë lekë.