Misteri mbi vdekjen e Gene Hackman dhe bashkëshortes së tij, çfarë zbuluan autoritetet

Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë që Gene Hackman dhe gruaja e tij, Betsy Arakawa, të kenë vdekur nga helmimi me monoksid karboni në fillim të kësaj jave në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico.
Sherifi i qarkut Santa Fe, Adan Mendoza, tha se të premten ka folur me patologun nga zyra e hetuesit mjekësor në New Mexico, i cili konfirmoi se si Hackman ashtu edhe Arakawa rezultuan negativë për monoksid karboni.
Aktiviteti i fundit i regjistruar në stimuluesin kardiak të Hackman ishte më 17 shkurt. Mendoza tha se ishte një “supozim i mirë” që ajo ishte edhe dita e fundit e jetës së aktorit.
Zyrtarët kishin deklaruar më herët se autopsitë fillestare nuk kishin gjetur shenja traume të jashtme te aktori dhe gruaja e tij. Kjo e lë ende misterin e vdekjes së çiftit të pazbardhur.
Gene Hackman, aktori fitues i çmimit Oscar, i cili shkëlqeu në botën e kinemasë për më shumë se 60 vjet, dhe gruaja e tij u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në rrethana të dyshimta.
Trupat e tyre u zbuluan nga punëtorët e mirëmbajtjes të mërkurën, së bashku me një nga tre qentë e tyre, të racës bari gjerman.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se rezultatet e plota të autopsisë mund të duan disa javë për t’u publikuar.
Vdekja e papritur e çiftit ka tronditur fansat e filmave në mbarë botën dhe ka shkaktuar reagime të forta në Hollywood dhe New Mexico, ku ata kishin jetuar për dekada.
/vizionplus.tv