E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingjet PD-PS, Rama: Jo pushtetit që grabit votën Berisha: Votoni Europën

TIRANE- Fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore po i vjen fundi, për t'i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 8 maj. Dy partitë më të mëdha në vend, PD që drejton koalicionin “Aleanca për Qytetarin” dhe PS që drejton koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” zyrtarizuan mbylljen e fushatës elektorale me dy mitingje. 

Mitingjet finale të dy partive kryesore PD e PS u zhvillohen në të njëjtën kohë por në dy vende të ndryshme, duke vënë para një zgjedhjeje të vështirë jo vetëm TV që transmetonin direkt të dy evenimentet, të cilët shpesh u detyruan të kalonin transmetimin nga një miting në tjetrin, por dhe vetë teleshikuesit të cilët ishin të detyruar të kalonin vëmendjen ( (ndoshta dhe kur nuk donin) nga një miting në tjetrin.

Ndërsa në sheshin Nënë Tereza valëvitej flamuri blu i Partisë Demokratike, dhe dëgjoheshin thirrjet pro kandidatit Lulzim Basha. Në Pallatin "Asllan Rusi" dëgjoheshin thirrjet Edi Rama dhe valviteshin flamujt e kuq me simbolin e PS-se.

Mitingu i Partisë Socialiste në pallatin e Sportit “Asllan Rusi”  nisi në orën 19. 20 minuta, ndërsa në sheshin  “Nënë Tereza” PD nisi mitingun në orën 19.30 minuta.

NIS MITINGU PD, BERISHA: TË VULOSIM TË ARDHMEN ME VOTËN E LIRË
Nga sheshi “Nënë Tereza” kryeministri Berisha i ka kërkuar të gjithë shqiptarëve të votojnë alternativën e tij, si e vetmja që hap rrugën e Europës, ndërsa qytetarëve të Tiranës t’i japin votën Bashës, njeriu qe sipas tij që do punojë për Tiranën jeshile, për Tiranën e shëndetit.

“Qytetarë dhe qytetare krenarë të mbarë Shqipërisë, ju bëtë realitet ëndrrën shekullore të lëvizjes së lirë. Ju bëtë që Shqipëria të jetë destinacioni turistik i globit. Shqiptar dhe shqiptare kudo që jeni, sot secili prej nesh, ka vetëm një ëndërr: Tiranën e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, Tiranën Europiane, Shqipërinë Europianë. Qytetarë dhe qytetare vota për Lulzim Bashën është vota për të ndërtuar së bashku Tiranën jeshile, Tiranën e shëndetit”, tha kryeministri Berisha.

Kreu i qeverise  i kërkoi nga ky shesh, të gjithë shqiptarëve të mbajnë së bashku, zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme në histori, pasi sic tha ai, ato vulosin të ardhmen tonë.
“Le të shkojmë në këto zgjedhje që mbahen në ditën e ngajdhnimit të lirisë dhe vlerave, në ditën e zotimeve tona ndaj vlerave. Le të nderojmë ne miqtë tanë që na mbështetën. Të vulosim të ardhmen tonë me votën e lirë”, shtoi kreu i qeverisë.

BASHA: RAMA NUK MUND TË JETË MË KRYEBASHKIAK
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha mori i pari fjalën në fushatën përmbyllëse të Partisë Demokratike, duke premtuar se ai në krye të Bashkisë do t’i kthejë Tiranës shpresën e munguar, vendet e reja të punës, investimet dhe zhvillimin, ndërsa shtoi se për tu bërë të mundura këto duhet të largohet kryebashkiaku aktual Edi Rama. I gjithë fjalimi i Bashës ishte i mbushur me krahasime negative me krysocialistin Rama, ku sipas tij ai nuk dëgjon zërin e qytetarit po vetëm cirret.
“Tiranën e preka dhe e ndjeva në cdo qelizë, në cdo pasion, në cdo ëndërr të fshehtë dhe të hapur. Tirana, kjo zonjë e rëndë që shumë herë ka njohur edhe mosmirënjohjen është kthyer në qëllim të madh të jetës sime. Tirana ka nevojë për shumë dashuri. Përjetova një rizgjim të ëndrrave të mia më të forta, larg qytetarëve kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur. Tirana nuk ka nevojë për lot, dhe britma, Tirana ka neviojë për të rinj dhe të reja te shkollura, të bindur dhe idealistë. Shkova në cdo derë, për të dëgjuar shqetësimet. Askush nuk mund të drejtojë pa dëgjuar. Kjo është ndarja mes kandidatit që ju dëgjon dhe njëri që cirret dhe dëgjon vetëm zërin e tij”, tha Basha.

Basha vazhdoi akuzat ndaj Ramës duke thënë se ai nuk merr përsipër të krijojë vende të reja pune dhe nga ana tjetër, sic tha Basha, ka si qëllim luftën politike e bllokimin e projekteve për qytetarin.
“Kam premtuar dhe do realizoj vende të reja punë, unazën e Tiranës, investime të reja. Kryetari Rama thotë se nuk është detyra e tij për vende punë, për mua vendet e punës për ju, proioriteti numër një. Unaza e re cliron trafikun, Rama është kundër unazës sepse refuzon të bashkëpunojë më kundërshtarët politikë, duke e mbajtur këtë projekt peng. Kryetari Rama ngre duart përpjetë për cmimet, unë mendoj se ai duhet të jetë i pari në krye të punëve dhe përgjegjesive të tij”, shtoi Basha.

NIS MITINGU I PS; KANDIDATET "E VETMJA RRUGE"
Pallati i sportit “Asllan Rusi” ishte mbushur plot me mbështetës të kandidatëve të “Aleancës për të Ardhmen”
Kryetari socialist, i cili në këto zgjedhje kërkon mandatin e katërt për kryetar bashkie të Tiranës shoqërohet nga bashkëshortja e tij, dhe dy fëmijët, djali dhe vajza e zonjës Linda Basha. Mitingu u hap me prezantimin e kandidatëve socialistë për kryetar të minibashkive në qarkun e Tiranës dhe 11 njësitë vendore. 

I pari që e hapi mitingun ishte kandidati socialist për bashkinë Kamëz, Rakip Suli.
“Kemi ardhur për të cliruar bashkinë e marrë peng.”- tha Suli, duke shprehur bindjen se “qytetarët e Kamzës do i thonë po programit tonë, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe ata do të jenë vendimmarrës për të gjithë vendimet.
Kamza, Bathorja, Valiasi kanë vendosur të hapin një faqe të re në historinë e tyre më 8 maj. Garantoj se do jem një shërbëtor i mirë i qytetaëerve të Kamzës”- tha Rakip Suli, kandidati PS për bashkinë e Kamzës.

Bashkim Hoxhiu, kandidati socialist për minibashkinë e Vorës tha se “Të gjithë kemi shansin me Edi Ramën e PS-në për fitore”. Duke iu referuar kandidatit kundërshtar të PD-së, Hoxhiu tha se “ më 8 maj populli do i thotë kurrë më arrogantit e matrapazit të votave”.

Kandidati i PS-së për bashkinë e Kavajës, Elvis Rroshi tha se “Më 8 maj do çlirojmë Kavajën dhe do të nisë rruga europiane për këtë qytet. ”
Edhe Ervin Culi, aktori i njohur i teatrit bëri thirrje që më 8 maj të votojnë Partinë Socialiste si e vetmja rrugë pasi “Saliu qimen e ndërron por zakonet kurrë si harron”.

Më pas e morën fjalën 11 kandidatët socialistë për 11 njësitë vendore të Tiranës, të cilët bënë thirrje për të votuar Edi Ramën për të vazhduar ëndrrën për Tiranën dhe për të zhbllokuar këshillin bashkiak”. Kandidatët e 11 njësive bashkiake janë Lindita Nikolli, Artemon Cukalla, Enver Sulollari, Vait Kalaja, Jeta Seitaj, Krenar Cenollari, Erion Koka, Sadi Vorpsi, Armond Halebi, Enada Aliko, Naim Asllani

“Do i kthejnë drejtimin e minibashkisë qytetarëve. Duke i hequr nga duart pushtetin e korruptuar, për të vazhduar ëndrrën që ka Rama për Tiranën dhe për të zhbllokuar këshillin bashkiak të Tiranës” tha kandidatja PS për njësinë nr 5 znj. Jeta Seitaj.

RAMA: KURRE ME PUSHTETIT QE GRABIT VOTEN
Pas paraqitjes së një videoje me pamjet filmike ku tregohej si ka qenë Tirana ku është tani dhe të ardhmen e saj e mori fjalën kryetari i PS-së, kandidati për kryetar i bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Rama tha se vetë ai dhe PS “jemi angazhuar për të luftuar papunësinë,... Do heqim tatimet e qeverisë cdo biznesi të vogël...lehtësira fiskale cdo biznesi prodhues... do garantojmë të drejtat e papunësisë. .. asnjë taksë për të gjithë kategoritë në nevojë .... 50 % të qerasë për cdo familje të pastrehë që nuk ka atë ardhura për të marrë një qera.. dhe kredi lehtësuese për familjet me të ardhura të vogla”

“Kurrrë më mësues të vënë nën presion për interesat e pushtetit. Kurrë më një pushteti që tenton tu lexojë dhe grabisë votën”- nënvizoi më tej Rama, fjalimi i të cilit shoqërohej me brohorima të shumta për “fitore” dhe “Edi Rama”
“Jemi angazhuar të përgjysmojmë tvsh për ushqimet bazë dhe ta bëjmë zero tvsh për bukën, qumështin, vezët sepse nuk mund të ketë një fëmijë që në 2011 të mos ketë qumësht të lagi buzët, kjo është e pafalshme” – vazhdoi më tej Rama.

Ai bëri thirrje të votojnë për Ramën, për PS-në dhe për kandidatët e “Aleancës për të Ardhmen” që “Ti japim fund kaosit territorial e ti hapim rrugë ndryshimit të Shqipërisë që dikur quhej zonjë e rëndë dhe që sot po sakatohet nga një pushtet i vjedhur dhe një pushteti që vrau se do të vjellë”

Më tej Rama premtoi se “Ne do ta përmbushim këtë pakt në harkun e 4 viteve sepse kjo është e vetmja rrugë“

Duke iu drejtuar prindërve Rama tha se duhet të votojë për Aleancën për të Ardhmen e kandidatët tanë “Sepse asnjë prind që vërtet dëshiron më të mirën për fëmijën e tij nuk mund të tolerojë kërcënimin e mesuesit të fëmijës së tij.”

“A imagjinoni dot një prind që i thotë fëmijës se kur të rritesh dua të bëhesh si Iliri”- ironizoi Rama kryetarin E LSI-së. Ndërsa të papunët duhej të votonin PS si e vetmja rrugë për të gjetur një punë. “Një i papunë duhet të votojë sepse sot në Shqipëri janë 1 milionë të papunë, që është një shifër që dhe e vetme do mjaftonte që kryeministri të kishte kërkuar të largohej si i paaftë për ta bërë detyrën”- nënvizoi Rama.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë të lirë, sepse vota është e fshehtë dhe askush nuk mund ua kontrollon dot.“As mos u shqetësoni fare, asnjë lloj droje asnjë lloj meraku. Vota është e fshetë kërkush nuk ua kontrollon dot. Këtë ua them mjekëve, policëve, ushtarave të gjithëve që Saliu kërkon ti mbajë lidhur me bukën e gojës. Ju themi të shkoni në kutitë e votimit e votoni të lirë... u them dhe demokratëve të votojnë për të cliruar flamurin e idealeve të dhjetorit, merrjani hakun Saliut me votë,.. shkruani historinë e qytetit tuaj me votë. Dhe jeni të sigurtë se jemi këtu për të respektuar votën tuaj.”- tha Rama.

Rama sulmoi kryeministrin duke thënë se “ka fyer qytetet me kandidatët e tij” dhe se koalicioni i Berishës është “koalicioni që turpëron Shqipërinë”.
Ai quajti Ferdinand Xhaferrajn, kandidatin e PD-së për qytetin e Durrësit “një injoran që nuk di ku është varri i Ismail Qemalit dhe që premton se do ndryshojë cilësinë e diellit”. Ndërsa duke iu referuar kandidatit në Elbasan tha se “Berisha ka marrë një matrapaz nga oborri i Ilirit.
(s.g/m.a/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Neser heshtje zgjedhore FOTO: Foto nga mitingu PD FOTO: Foto nga mitingu PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›