E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Qaeda pohon vdekjen e Osama Bin Laden- paralajmëron sulme kundër perëndimit

06-05-2011 / Gazeta 55

Bin Laden do sulmonte sërish në 10 vjetorin e goditjes së Kullave Binjake në New York


Obama përgëzon forcat e SEAL- ekzekutuan Osama Bin Laden


Al Qaeda pohon vdekjen e Bin Laden


“Osama Bin Laden, kreu i rrjetit terrorist Al Qaeda, ka vdekur”. Kështu pohon përmes një komunikate zyrtare organizata terroriste Al Qaeda, të cilët si rrallë herë kanë pranuar se truri i tyre, Bin Laden është vrarë nga forcat amerikane. Al Qaeda kërcënon SHBA-në, duke deklaruar se “kjo lumturi do t’i kthehet në trishtim të madh për qytetarët amerikanë”. Pas 5 ditësh, kur teoritë e konspiracionit po vlonin prej komenteve të çuditshme, duke hedhur dyshime të mistershme rreth mënyrës se si u ekzekutua Bin Laden dhe se si Uashingtoni nuk publikoi asnjë foto të ekzekutimit të tij, është vetë Al Qaeda që pranon se Osama Bin Laden nuk është gjallë. Një deklaratë e shpërndarë në internet nga “udhëheqja e përgjithshme” e Al Qaedës u bën thirrje qytetarëve të Pakistanit që të ngrihen kundër qeveritarëve të tyre, në mënyrë që prej aty të zhbëhen amerikanët. Origjinaliteti i këtij mesazhi nuk mund të konfirmohet, por vetë fakti që është publikuar në një faqe interneti që përdoret rregullisht nga një zëdhënës i grupit, e bën atë të mirëqenë si dhe një pjesë kërcënimi që duhet të trajtohet me seriozitet. “Gjaku i sheikut të shenjtë, luftëtarit, Osama Bin Lande, Zoti e bekoftë atë, është i shenjtë për ne, për të gjithë myslimanët dhe nuk do të shkojë kot. Ne do të mbetemi me vullnetin e zotit, një mallkim për amerikanët, ata dhe agjentët e tyre do t’i ndjekim brenda e jashtë vendit të tyre. Së shpejti me vullnetin e zotit, lumturia e amerikanëve do të kthehet në trishtim...gjaku i tyre do jetë i përzier me lot”- thuhet në deklaratën e terroristëve të Al Qaedës. Po ashtu në komunikatë thuhet se video-mesazh i Bin Laden, i regjistruar një javë para se ai të ekzekutohej, do të publikohet së shpejti.


Zbulimi/Rrjeti terrorist Al Qaeda kishte planifikuar sulme në SHBA në 11 shtator 2011


Eliminimi fizik i kreut të terroristëve Osama Bin Laden duket se ka shërbyer për të shpëtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga një tjetër sulm, i ngjashëm me atë të 10 viteve më parë në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Në bazë të dokumenteve të gjetur nga ekipi special SEAL në fortesën e Bin Ladenit në Pakistan, Al Qaeda po arkitektonte një atentat të njëkohshëm në disa trena në zona të papërcaktuara të SHBA-së. Plani ishte menduar të vihej në zbatim pikërisht në 10-vjetorin e sulmeve mbi kullat binjake, 11.09.2011. Sipas televizionit amerikan ABC, ky informacion ka dalë nga dokumentet e gjetura në shtëpinë ku strehohej Bin Ladeni para se të vritej nga forcat speciale amerikane. Eleminimi i kreut të terroristëve, duket se po shërben për shpëtimin e botës nga sulmet barbare të Al Qaedës. Pritet që zyrtarë të Pentagonit të publikojnë të tjetra detaje rreth organizimit të sulmeve të ardhshme terroriste të Al Qaedas. Ajo për të cilën SHBA-të hedhin dritë është nëse celulat e Al Qaedës do jenë në gjendje apo jo të ndërmarrim sulme terroriste ndaj perëndimit, vecanërisht SHBA-ve.


Pas operacionit/Obama takon privatisht komandot që vranë Bin Laden


Zyrtarët amerikanë thonë se pritet që presidenti Barak Obama, gjatë ditës së sotme, do të takohet me disa nga komandot elite amerikane, që depërtuan në Pakistan dhe e kryen ndërhyrjen, e cila rezultoi me vrasjen e liderit të al-Kaidës, Osama bin Laden. Zyrtarët thanë se Obama planifikon që privatisht t’i falënderojë anëtarët e grupeve komando, kur ai të takohet me ta në Fort Campbell, në shtetin Kentaki. Ekipi SEAL ndërhyri në kompleksin e bin Ladenit në Abbottabad në Pakistan të hënën, dhe e vrau shefin e al-Kaidës, duke e përfunduar kështu ndjekjen e Shteteve të Bashkuara për terroristin, që fajësohet për sulmet kundër Amerikës, më 11 shtator 2001. Dje Obama vizitoi qytetin e Nju Jorkut dhe vendosi kurorë në vendin ku u shkatërruan kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë, pas sulmit me aeroplanat e rrëmbyer, më 11 shtator 2001. Obama tha se amerikanët kurrë nuk do t’i harrojnë këto sulme dhe afro 3 mijë njerëzit e vrarë gjatë këtyre sulmeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›