E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitingu më i madh, më 23 qershor!

mitingu i ps ne tiraneNga Altin Ketro

Për të kuptuar më mirë ndryshimin midis mitingut të PS-së dhe PD-së si shembull po marr një bisedë për pagën. Kur të pyesin se sa e ke pagën, dikush, i cili sështë i kënaqur me atë që merr, të përgjigjet atypëraty, p.sh. 35.000 lekë. Kur tjetri këmbëngul se sa lekë merr në dorë, atëherë përgjigja është: 27.580 lekë. Kjo pra është diferenca midis pagës Bruto dhe pagës Neto. Kjo e fundit është ajo që çdo punonjës shton në buxhetin personal me të cilën blen të mirat dhe shtyn muajin. Nën këtë shembull mund të trajtohen edhe dy mitingjet e forcave më të mëdha politike.

Duke qenë se Tirana është qendra më e madhe në vend e zhvillimeve sociale, ekonomike dhe politike, çdo subjekt elektoral përpiqet që gjithë fuqitë e mbledhura gjatë një muaji fushate intensive ti zbrazë në kryeqytet, pse jo, për të treguar njëfarësoj edhe muskujt e forcës mbështetëse që ka në popull.

Në ndryshim nga kundërshtari, Partia Socialiste kish vendosur që pjesëmarrësit në mitingun e Tiranës të ishin vetëm qytetarë që më 23 qershor votojnë në Tiranë. Në dukje, një mision i rrezikshëm përsa i përket efektit televiziv, duke e ditur që Tirana është nga ato qytete që se kanë shumë të theksuar ndjenjën militanteske të pjesëmarrjes në mitingje, kjo edhe për shkak të përbërjes së lartë heterogjene. Të paktën, tek krahu i majtë kjo ndodh. Elektorati i Tiranës e jep verdiktin e tij pro të majtës në kutitë e votimit, por ndrydhet që mbështetjen ta shfaqë tej normales në mitingje të hapura. Tirana është qyteti që ka numrin më të madh të të punësuarve në administratë dhe ndjesia se dikush është aty pranë teje për të të spiunuar të shefi PD-ist ekziston dukshëm.

Megjithatë, mund të them se me atë pjesëmarrje, PS-ja tregoi se është një parti e vërtetë, që ndryshe nga PD-ja, si përdor njerëzit si mall që transportohen tranzit nga njëra doganë te tjetra. Ajo shpalosi një vlerë shumë të lartë qytetarie. Edhe në kushtet e një represioni të lartë psikologjik (që po u vjen fundi) nga falangat e qeverisë, arriti të mbush një shesh të madh si Nënë Tereza, tej parashikimeve më optimiste. Thjeshtësia dhe modestia në shpenzime ishin një vlerë e shtuar e atij mitingu.

Tani le të kthehemi te mitingu i PD-së. Ajo që binte në sy ishte se pjesëmarrësit në mitingun e PD-së ndaheshin në tri kategori:

1. Anëtarët, simpatizantët dhe militantët e thekur të kësaj partie ku të parët dhe të tretët janë pjesë integrale e mitingjeve, sepse janë të lidhur shpirtërisht me këtë forcë politike.

2. Të importuarit nga rrethet – këta janë kontingjente lëvizëse që shërbyen për të mbushur hapësirat. Kryesisht përbëhen nga anëtarë dhe militantë që nuk përtojnë të lëvizin në distanca të gjata për të treguar vendosmërinë e tyre për ti qëndruar besnik partisë në kohë të vështira për të. Pjesëmarrja e tyre në mitingun e Tiranës ishte shumë e rëndësishme për të dhënë idenë e një madhështie. Ishin qindra autobusë e furgona nga rrethe të ndryshme që pasi i zbarkonin mitingashët në bulevard, stacionoheshin pranë stadiumit Selman Stërmasi. Sa për shenjë po jap disa targa: SH9058E, SH9131E, SH3013E, SH0563E, FR3134D, etj., etj.

3. Pjesëtarët e administratës – këto ishin kontingjenti më i shumtë në numër dhe më i lehti për ti thirrur në miting. Kjo, pasi me ata luan bukën e fëmijëve, mbijetesën mujore, me rrogën që e marrin nga taksapaguesit shqiptarë, por që berishizmi e konsideron si shpërblim nga partia. Ky kontingjent është edhe më i pabesueshmi elektoratikisht, pasi aty marrin pjesë shumë nëpunës që më 23 qershor do të votojnë opozitën.

Për ta përmbledhur në një fjali, mund të thuhet se pjesëmarrja në mitingun e PD-së në Tiranë ishte artificiale, efekti i të cilës qe thjesht televiziv me qëllim propagandistik.

Në përfundim, smë mbetet ta mbyll ashtu siç edhe e nisa. Për një parti politike ashtu si për çdo punëtor, ka rëndësi sesa para Neto çon në fund muaji në shtëpi (sesa votues brenda qarkut marrin pjesë), dhe jo sa para bruto ke të shënuar në bordero (votues që nuk të hyjnë në punë ditën e votimit). Ashtu siç tha edhe një folës në mitingun e PS: Sali Berisha mitingun më të madh të opozitës do e ketë më 23 qershor, kur populli ta rrëzojë nga pushteti me votë plebishitare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›