Shtetasit e Republikës Sërbska kërkojnë paqësisht ndryshim
Ish-ushtarë profesionistë, punonjës të papunë, studentë e qytetarë të tjerë të Banja Lukës po kërkojnë një sërë ndryshimesh nga qeveria e Republikës Sërbska (RS), që shkojnë nga një përmirësim në kushtet e jetesës së studentëve në shkarkimin e disa zyrtarëve qeveritarë. Nikola Dronjak, president i bashkimit të studentëve të RS-së, tha se studentët e universitetit kanë qenë të pakënaqur për një kohë të gjatë me mungesën prej qeverisë të përpjekjes për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. "Për disa vjet kërkuam një godinë më shumë në fjetoren e universitetit të Banja Lukës sepse kapacitetet e tanishme nuk janë të mjaftueshme për të strehuar të gjithë studentët. Në dy vitet e fundit ndoqa disa takime me ministra, kryeministra e të tjerë përgjegjës për të zgjidhur këtë problem, por pamë vetëm premtime," tha Dronjak. Më parë këtë muaj, qytetarë të pakënaqur kryesuar nga një grup prej 2,500 studentësh, marshuan në Banja Lukë për të tërhequr vëmendje ndaj kërkesave të tyre. "Protesta nisi si demonstratë studentësh, por shumë qytetarë, ish-ushtarë profesionistë dhe të papunë u bashkuan me ne, kështu që pasqyroi një pakënaqësi të përgjithshme të shtetasve të RS-së me gjendjen në shoqëri," tha Dronjak. Studentët kërkojnë ndërtimin e një pavioni shtesë në qendrën e studentëve të Banja Lukës dhe zgjerimin e strukturave të strehimit për studentët në Universitetin e Sarajevës Lindore. Ata kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e Ministrit të Arsimit të RS-së Goran Mutabxhija, uljen e kostos për studimet e nivelit master dhe kontrolle për kolegje private. Kryeministrja Zheljka Cvijanoviç vuri në dukje se qeveria nuk i ndaloi protestat, duke shtuar se një shprehje e tillë pakënaqësie tregon se RS është një shoqëri demokratike. Qeveria e RS-së njoftoi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e pavionit përpara protestave, por udhëheqësit e studentëve vazhduan demonstratat sepse kërkesat e tjera nuk u përmbushën. Një çështje tjetër në qendër të protestave është mosmarrëveshja midis familjes Vuliç në Banja Lukë dhe pushtetit vendor. Në korrik 2012 qeveria e qytetit miratoi plane për të kthyer një park në qendër të Banja Lukës në një qendër shitjeje e biznesi. Ndërtimi është pranë shtëpisë dhe dyqanit të familjes Vuliç. Muajin e kaluar kompania e ndërtimit urdhëroi shkatërrimin e një pjese të rrugës që familja Vuliç përdor si të vetmen hyrje në shtëpinë e tyre. Zheljko Vuliç tha se është i kënaqur me mbështetjen nga studentë e veprimtarë protestues. "Shpresoj se zëri i tyre do të lëvizë disa gjëra e do të ndihmojë në marrëveshjen time me pushtetin vendor e kompaninë e ndërtimit. Vitin e kaluar pata mbështetjen të veprimtarëve që u përpoqën të shpëtojnë parkun, por pa sukses," tha Vuliç. Ai shtoi se do të vazhdojë bisedimet. "Banja Luka nuk ka numrin e madh të qytetarëve për protesta që do të ishin aq të forta sa të shtynin qeverinë të zgjidhë probleme sociale, ekonomike e të tjera në RS , duke përfshirë problemet e njerëzve si unë," tha Vuliç.
...