E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, strukturat paralele pengojnë eksportet kosovare

Mitrovicë (start)-Shefi i degës në Mitrovicë, Bashkim Çitaku, gjatë mbledhjes së radhës së Komitetit për Siguri në qytetin verior, paraqiti problemin e pengimit të eksportit të mallrave kosovare nga strukturat paralele serbe në veri. Çitaku theksoi se strukturat paralele serbe nuk lejojnë që mallrat e Kosovës të eksportohen në Serbi.

"Strukturat paralele serbe nuk lejojnë që mallrat kosovare të eksportohen në Serbi me dokumentet që lëshohen nga Doganat e Kosovës, por vetëm me një dokument që lëshohet nga një zyrë e tyre në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës", njoftoi ai.

"Doganat kosovare po përballen me një gjendje delikate për shkak të mosfunksionimit të dy pikave doganore në veri, në kufi me Serbinë", theksoi Çitaku. Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi u shpreh se strukturat e sigurisë duhet të orientohen pikërisht nga burimi i problemeve dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë siguri për njerëzit që duan të kthehen në shtëpitë e tyre.

"Strukturat e sigurisë duhet të marrin masa ndaj atyre që e kërcënojnë situatën e sigurisë", tha ai, duke iu referuar pengesave që hasin shqiptarët për kthimin dhe rinovimin e shtëpive të tyre në veri.

Vlerësimi i Komitetit të Sigurisë ishte se situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë, por e tensionuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›