E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitushi, militanti i dëshpëruar

ANTENA BRENDA FAMILJES

Një grup banorësh të fshatit Qerret dolën dje në protestë kundër zaptimeve të hapësirave publike në plazh nga ata që banorët i quajnë pushtetarë. Qerretasit, me origjinë nga Kosova, një shekull më parë janë vendosur buzë detit midis Golemit dhe Kavajës dhe i janë gëzuar gjithmonë kontaktit me detin. Me atë kanë jetuar duke peshkuar dhe duke zhvilluar biznesin e plazhit familjar. Por protesta e djeshme dëshmonte se ëndrra e tyre me detin ka marrë fund. Njerëzit e rinj që kanë pushtuar detin nuk i lënë të afrohen më atje. Mitushi, një nga peshkatarët që tashmë i kanë prishur dhe kioskën e vetme që ka patur buzë detit pa i prishur punë askujt, është më i revoltuari. Antena jonë kapi thirrjet e dëshpëruara të tij kundër qeverisë dhe u lidh me të. Mitushi na sqaroi përnjëherë gjithë hallin e tij. Kishte një jetë të tërë peshkatar, kishte një varkë me leje, kapte peshk dy -tri herë në javë dhe e tregtonte te një kioskë ambulante pa themele buzë detit. Te vendi ku dilte me varka ca kohë, zbuluan se do bëheshin ca pallate përmbi ujë. Ne nuk e besuam, por, kur shkuam e pamë, ishin vërtet pallate si në Venecia, sipër ujit. Mitushi, i cili është një militant i flaktë i PD, u revoltua dhe i kërcënoi ndërtuesit se do t’i denonconte te Ylli Pango. Ndërtuesit qeshën dhe Mitushi i shkretë u nxeh më shumë. Bëri namin, duke marrë gjithë qeverinë në telefon, por, në fund, inspektori i Policisë Ndërtimore i dëshpëruar i la në dorë një letër, ku lexohej qartë se një nga investitorët e kishte mbiemrin Pango. Mitushi jonë nuk u dorëzua. Bëri çmos ta verifikonte dhe doli që ky njeri me mbiemrin Pango e kishte nisur pallatin, para se zoti Pango të bëhej ministër dhe spekulonte me emrin e ministrit. Mitushi, si militant i flaktë i PD, nuk u dorëzua. Ia përplasi në fytyrë ndërtuesit, por ai nuk u mërzit shumë. “Po ia mbajti inspektorit, le ta verifikojë ç’e kam unë Ylli Pangon, - tha, - se e shikon ç’e gjen.”

Mitushi i dëshpëruar se mos talleshin fqinjët me të dhe pushtetin e tij u zhvendos pak më lart. Një kunati i vet i fali një copë tokë dhe i tha ta shiste aty peshkun. Por dhe aty mbërritën pushtuesit. Një pallat mbiu nga toka me shpejtësi. Pas ca kohësh i zoti i pallatit bashkë me djalin shkuan t’i prishnin kioskën. U përlesh Mitushi i shkretë. “Nuk ju lë të më prekni në tokën time”, - tha. Por pronarëve të pallatit as iu bëri syri tërr. “Do të të heqim me lecka këtej, - i thanë, - se toka jote i zë pamjen pallatit tonë dhe ne kemi pushtetarë në pallat. S’mund t’iu japim shtëpi me kioskë përpara.”

“Ua tregoj unë ju pushtetarët, - tha Mitushi i shkretë i revoltuar si militant i PD. - Tani i bëj telefon Ridvan Bodes, të vijë t’ju bllokojë pallatin, se keni zaptuar tokë pa leje shfrytëzimi dhe s’i paguani taksë qeverisë.” Qeshi i zoti pallatit. “Po i kujt është pallati, mor tutkun?! Ka shtëpinë Ridvani këtu. Ja kati ku e ka. Dhe kioska jote i zë pamjen. Hajt, zhduku.”

I mërzitur Mitushi i shkretë, se po i shanin pushtetin, kapi disa klientë që kishin blerë në pallat dhe që shisnin naftë. “Vërtet ka Ridvani shtëpi këtu?” - i pyeti.

- Po, po, - iu përgjigjën ftohtë ata, - dhe t’i duhet të ikësh andej.

I dëshpëruar Mitushi i shkretë se mos e merrnin vesh në fshat që dhe një ministër tjetër po e përzinte, vendosi të rezistojë. I kërkoi ndihmë Sokol Olldashit. I premtoi se do të pyeste ai. Pas ca ditësh i shkoi prapë inspektori i ndërtimit dhe ia hoqi kioskën.

Tani, Mitushi i shkretë nuk ka ku të shesë. Dje, bashkë me disa fshatarë të tjerë nisën protestën, duke sharë qeveritarët. Antena jonë që dëgjoi thirrjet e tyre u lidh me Mitushin dhe i kërkoi adresën e saktë si shkohet atje me makinë. “Si t’ua shpjegoj? - tha Mitushi i shkretë;

- Ejani deri te Mali i Robit! Kthehuni poshtë për te “Mak Albania”, bëni djathtas, kaloni atë fshatin ku rri Pandeli Majko, kaloni dhe atë ku rri Ruli, Imami Bashkim Fino dhe Frangaj, kaloni dhe shtëpinë ku ka qenë Ilir Meta, pastaj fillon fshati i Fatmir Mediut. Ku mbaron fshati i Fatmir Mediut, ktheu djathtas, në fund të rrugës është pallati i Ridvan Bodes. Aty ka një ndalim kalimi, se e kanë vënë ata të Ylli Pangos. Aty zbrisni, se u shikojmë ne dhe vijmë ju marrim.

- Faleminderit, - i thamë, - për adresën, - dhe nisëm grupin tonë të flasë me ta.

(Shënim: Në këtë faqe do të ketë çdo ditë një rubrikë të tillë, ku qytetarët mund të denoncojnë veprimtari korruptive ose të japin informacione të rezervuara. Ne do t’i bëjmë ato publike, duke ndihmuar të vërtetën të verifikohet përmes operimit me mjete publike. Për çdo informacion ju mund të dërgoni e mail në adresën letra@tema.al ose të kontaktoni me telefonat e gazetës.)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›