Jo pastrim figurash, por dënim të krimeve të komunizmit
Referuar projektligjeve që janë depozituar, miratimi i tyre do të rrezikonte karrierën e ndonjë personi aty-këtu, do të hapte mundësi për disa të tjerë, por nuk do të sillte ndryshime rrënjësore pozitive në skenën politike dhe, më e rëndësishmja, nuk do të ndryshonte asgjë në perceptimin e shoqërisë shqiptare për të shkuarën e vet dhe për regjimet kriminale në përgjithësi. Siç kanë ecur deri tani punët në këtë vend, edhe kësaj radhe duket se gjithçka do të bëhet e mangët, por një gjë e tillë na kërcënon të ardhmen. Shembujt i kemi para syve: me hapjen e dosjeve sot po bëjmë diçka që duhet ta kishim bërë që në vitet e para pas demokracisë. Në fakt, diçka u nis nga qeveria ‘Meksi’ në këtë drejtim, shumë më serioze seç premtojnë projektligjet e sotme, por erdhi ‘97 dhe tani na u shtuan shumë dosjet që na duhet të hapim.
Shqipëria ka shumë punë për të bërë për të pastruar figurën e saj në lidhje me të shkuarën komuniste dhe kjo bëhet me operacione të thella dhe jo me sajime kozmetike. Hapja e dosjeve, tërësisht apo pjesërisht, është veç një detaj i vogël i reformës për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Përvoja e botës nuk mungon, le të hedhim sytë nga vendet e tjera ish-socialiste që tani janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Në fillim duhet dënuar regjimi totalitar komunist si një regjim kriminal, njëlloj si edhe nazizmi. Duhet të nxirren ligje që ndalojnë çdo tentativë për ta glorifikuar atë. Personat përgjegjës për vendosjen e atij regjimi monstruoz duhet të shpallen kriminelë kundër kombit shqiptar dhe kundër njerëzimit. Nëse kanë vdekur, të shpallen të tillë pas vdekjes. Historia e kombit shqiptar dhe gjithë individëve nuk mbaron aty ku merr fund jeta e disa kriminelëve.
Megjithatë, dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet parë si hakmarrje. Dje dëgjova një deputet që thoshte se, hapjen e dosjeve ua kemi borxh viktimave të komunizmit – të vrarëve, të burgosurve dhe të persekutuarve - dhe më erdhi keq që shihet kaq ngushtë problemi nga një përfaqësues kaq i lartë. Nuk duhet parë kaq ngushtë problemi dhe nuk duhet shitur kjo iniciativë ligjore – qoftë edhe pa dashje – si larje hesapesh. Ata që vdiqën prej regjimit komunist, nuk ngjallen më, pavarësisht si do të sillen brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë me komunizmin. Ata që bënë burg, nuk rinohen më, ata që lindën në kampe internimi, nuk do të kenë kurrë foto fëmijërie në ballkone vilash. Ligji, nëse miratohet, nuk do të përmirësojë asgjë në të shkuarën. Ai është i rëndësishëm për të ardhmen dhe jo vetëm për një grup të caktuar njerëzish, por për të gjithë shqiptarët. Duhet të orientohemi mirë për të ardhmen, ky duhet të jetë qëllimi. Dhe, kur flasim për të ardhmen, duhet të shikojmë shumë larg përpara, jo për larje hesapesh prej ndonjë mërie të muajve të fundit.
Lufta kundër krimeve të komunizmit duhet të jetë një proces i gjerë, i gjatë dhe i vazhdueshëm, derisa ta pastrojmë shoqërinë nga kjo e keqe që rezultoi katastrofike për shqiptarët. Pastrimi duhet të nisë, aty ku nisi edhe pisllëku dhe në të gjitha fushat ku ai u shfaq. Dhe kjo nuk bëhet me ligje me mangësi, me rreze shumë të ngushtë vështrimi, por me një reformë të përgjithshme dekomunistizimi.
Drejtësia shqiptare duhet të pastrohet nga juristët e diktaturës, arsimi duhet të pastrohet nga mësuesit e shkollës komuniste, tekstet shkollore duhet të pastrohen rrënjësisht në shumë aspekte, historia duhet të shkruhet tërësisht nga e para dhe me një këndvështrim të ri, sheshet duhet të pastrohen nga bustet dhe rrugët nga emrat e kriminelëve komunistë etj.
Ja një shembull fare i shkurtër, pse hapja e dosjeve nuk do të sjellë ndonjë ndryshim nga gjendja e tanishme.
Në Shqipëri ende vazhdon të glorifikohet e ashtuquajtura Luftë Nacionalçlirimtare, e cila ishte – kjo është e dokumentuar – thjesht një luftë civile që nisi me nxitjen e komunistëve jugosllavë. Asnjë nga politikanët e sotëm që drejtojnë vendin nuk e ka artikuluar kurrë shprehjen “luftë civile” në lidhje me këtë ngjarje dhe ligji për pastërtinë e figurave nuk premton asgjë në mënyrën se si ne do ta shikojmë historinë. PS, pas ardhjes në krye të saj të Edi Ramës, thuajse është pastruar nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, por rrotull tij janë afruar pinjollët e komunistëve – prej gjaku apo ideologjie, ata që mendojnë se e shkuara jonë, me protagonistë prindërit e tyre, ka qenë e lavdishme. Ata vazhdojnë ta mbajnë lart Qemal Stafën, këtë personazh terrorist politik të mbetur në tentativë. S’kemi fakte ta akuzojmë, do të thotë dikush, sepse ai vdiq herët. Dakord, por kemi arsyetimin alternativ, gjithë shokët e tij që nuk e hëngrën aq shpejt kokrrën e plumbit u bënë pjesë e makinës terroriste që erdhi në pushtet dhe vrau edhe të vetët. Një gjë është e sigurt, po të kishte jetuar ose do të kishte qenë pjesë e pushtetit dhe do të zhytej në krime, ose do të zhytej në krime, derisa t’i vinte radha atij, ashtu siç i erdhi Koçi Xoxes, Kadri Hazbiut, Mehmet Shehut etj. E përmenda Qemalin, sepse me emrin e tij po bombardohet psikika kombëtare, gjithandej rrugët, shkollat etj., janë mbushur me emrin e tij, ndërsa figura me kontribute të jashtëzakonshme për kombin – Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra e shumë të tjerë - nuk i përmend kush, se janë antikomunistë. Lufta kundër komunizmit duhet të mbërrijë deri në këto detaje.
Si mund të bëhet kjo?
Fare thjesht, për ata që njohin problemin: Fillimisht të krijohet Instituti i Dënimit të Krimeve të Komunizmit dhe prej këtej do të nisë gjithçka tjetër. Ky institucion duhet të përgatisë edhe projektligjet për hapjen e dosjeve.