Mjaft!: Ja si spekulon qeveria me buxhetin në prag fushatash
Lëvizja Mjaft publikoi sot raportin e monitorimit publik të ministrive për vitin 2011, pjesë e programit Unë Votoj.
Raporti nënvijëzon se qeverisë i mungon transparenca financiare ndërsa shumë nisma ligjore të ndërmarra gjatë vitit 2011 kanë pasqyruar interesa të padeklaruara biznesesh.
Sa i përket aksesit të publikut në informacion për dokumentet zyrtare, situata paraqitet mjaft shqetësuese për vitin 2011. Duke e krahasuar me vitin 2010 ku nga 92 kërkesa të dërguara u kthyen 20 përgjigje, për vitin 2011 janë dërguar 100 kërkesa dhe janë kthyer vetëm 5 përgjigje.
Ndërkohë gjatë një analize të buxhetit të ministrive të linjës vihet re se totali i fondeve të djegura nga 14 ministritë gjatë vitit 2011 është 6.9 miliard lekë. Ndërsa po të matet diferenca e buxhetit fillestarë të shpallur nga ekzekutivi me buxhetin real të shpenzuar nga ministritë kjo diferencë thellohet në 16 miliard lekë, shqetësues është fakti se pjesa më e madhe e këtij fondi ishte i paracaktuar për investime, tashmë të munguara.
Raporti vëren gjithashtu se para zgjedhjeve vendore të 8 majit, ka patur spekulime me karakter politik të buxhetit të shtetit, shtim të pazakontë të investimeve para zgjedhjeve si dhe ndarje të pabarabartë të grantit për pushtetin vendor në favor të njësive të qeverisjes vendore të kontrolluara nga qeveria.
Para zgjedhjeve për pushtetin vendor vihet re rënie drastike e të ardhurave nga taksat vendore, gjë që reflekton shkallën e angazhimit politik të të punësuarve në këto njësi në mbështetje të krerëve që më së shumti kanë rikandiduar dhe rizgjedhur.
Raporti vë në dukje se qeveria rriti taksat mbi qytetarët për të përballuar shpenzimet e veta me karakter politik, siç qe rritja e pagave dhe pensioneve e pambuluar me rritje të të ardhurave të buxhetit.