Mjafton të mos jetosh me standard të dyfishtë

Enkela dhe Saimir Braho ne "Vdekja dhe virgjëresha"
Elsa Demo
Vdekja dhe virgjëresha e shkrimtarit agjentino-kilian është vënë dhe rivënë në teatrot kombëtarë të Tiranës e Prishtinës. Në çdo vënie skenike këndvështrimi i regjisorëve, konkretisht i Kiço Londo dhe Fatos Berishës, ka theksuar atë linjë që gjen jehonë në akualitetin shqiptar. Në thelb ajo trajton krimin politik. Paulina Salas, një vajzë e rrëmbyer një ditë të vitit 1976, e përdhunuar rregullisht në hetuesitë e shtetit që drejtohet nga gjenerali Pinoçet, ndodhet 15 vjet më vonë përballë persekutorit të saj. Një mjek, dr. Roberto Miranda, që këqyrte sjelljen e viktimave në hetuesi. Do të ndërrohen rolet? Çfarë urash kërkon të vendosë me të shkuarën një i tretë, bashkëshorti i vajzës, avokati Gerardo Eskobar, i emëruar nga presidenti në krye të komisionit që heton krimet e diktaturës?
Vdekja dhe virgjëresha në prodhimin e viteve dymijë të Teatrit Kombëtar të Tiranës, është luajtur nga Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa dhe Agim Qirjaqi.
Në Festivalin e Teatrit të të Rinjve, kjo dramë e vënë në skenë nga Kliton Hoxha, luhet nga bashkëshortët Enkela Braho (Paulina Salas), Saimir Braho (dr. Miranda) dhe Neritan Liçaj (Eskobar), aktor i Teatrit Kombëtar.
Bëhen vite që Enkela Braho (34 vje), pedagoge e jashtme e Fjalës Artistike në Degën e Regjisë në UA, nuk shfaqet në skenat e teatrit në Tiranë. Bashkë me Saimirin (37 vjeç) i cili veç muzikës (fitues i çmimit të dytë në Festivalin e 50-të në RTSH), bën teatër jashtë teatrove të mëdhenj, kanë një filozofi për karrierën dhe jetën private, për vendin ku jetojnë dhe kishën e vogël ungjillore që frekuentojnë. Janë bashkë prej dhjetë vitesh dhe kjo dalje në skenën e Teatrit Kombëtar ishte një shfaqje e heshtur pjekurie dhe rritjes së tyre profesionale.
Enkela, hera e parë në Teatrin Kombëtar?
Enkela Braho: Prej vitit 2000, po. Hera e parë ka qenë me Utopos, dramë e Stefan Çaplikut, e vënë në skenë nga Rikard Ljarja.
Me Saimirin kemi provuar si partnerë në Teatrin e Durrësit, Vajza pa prikë e Ostrovskit dhe Nuk paguajmë e Dario Fosë. Por asnjëherë bashkë në Teatër Kombëtar.
Saimir Braho: Kësaj radhe regjisori u detyrua të na bashkojë për shkak se aktorja kryesore kishte një problem shëndetësor.
Duke e njohur mirë njëri-tjetrin në jetë, kishte avantazh vendosja në skenë në një raport armiqësor e të dhunshëm?
E.B: Paulina Sales nisa ta njihja përpara se të mendoja se do ta bëja unë atë rol. E kisha lexuar, e kisha parë në skenë me Xhepën, Qirjaqin, Xhuvanin. Kur bën analizën e personazhit, besoj se nuk mund të ngatërrohesh dot me faktin se ai që ke përballë është bashkëshorti yt apo një person tjetër. Ishte me rëndësi procesi analizues që bënim në vazhdimësi me njëri-tjetrin, edhe pas provave.
S: B: … gjë që smund ta bësh me të gjithë partnerët në një vënie në skenë. Për shkak të marrëdhënies që kemi, unë jam i hapur të dëgjoj çdo lloj vërejtje dhe sugjerim të sajin. Te kjo pjesë, sfida është që unë ta shoh atë si viktimën time dhe ajo mua si torturuesin e saj. Kjo e bën thjesht, interesante.
Përveçse e vënë në skenë nga një i ri, drama tingëllon e re prej lojës që nuk është e shkollës së Teatrit Kombëtar. Teksti nuk interpretohet por thuhet, vëmendjen nuk e tërheq solemniteti i figurës dhe lëvizja e saj skenike, por drama e brendshme. Shkurt: aktorët e mirë nuk janë doemos brenda TK.
E.B: Falemnderit. E kemi theksuar në fillim të punës me regjisorin Kliton Hoxha: ajo që do ta bënte pjesën më të kuptueshme dhe të vërtetë, ishte që ne të luanim në mënyrë realiste, që të mos ekzistonte ai muri i katërt që krijon distancën me spektatorin. Salla e Teatrit të Metropolit ishte perfekt për këtë. Ndërsa në Teatër Kombëtar u luajt në avant-scene.
S.B: Ne e kemi mësuar nga ata zotërinjtë çfarë do të thotë të jesh i vërtetë në skenë. Agim Qirjaqi dhe Ndriçim Xhepa kanë qenë pedagogët tanë. Pika e fortë e teatrit tonë ka qenë aktrimi. Po nga ana tjetër, Vdekja dhe virgjëresha është vepër që ka aktualitet. Ne jemi këtu në këtë vorbull, 20 vjet pas rënies së diktaturës.
Motivi i krimit politik mjafton për tu marrë me dramën e Dorfmanit, po edhe thelbi i pakuptueshëm i dhunës ciklike dhe raporteve midis gjinive. Nuk janë më shumë të lidhur me këto personazhet tuaj?
S.B: Kjo është një dramë që Dorfman e ka shkruar edhe për të zezën e vet. Komentuesit e Vdekja dhe virgjëresha gjejnë kuptime që vetë autorin e habisin. Edhe nga ana dramaturgjike nuk është se ia lavdërojnë shumë, sepse shumë gjëra lihen hapur, dhe publiku do ndihej më rehat po të qartësoheshin. Vepra ka një pasuri ku mund të bësh prioritet cilën linjë tju pëlqejë. I është mëshuar linjës së xhelatit me viktimën e cila ekziston në çdo marrëdhënie njerëzore, në format nga më të ndryshme. Zgjatimi i diktaturës i veshur me vellon e demokracisë e nxjerr në pah këtë linjë dhe atë që për mua është shumë e rëndësishme në këtë dramë: raportet që kanë torturuesi dhe viktima e tij me vetveten. I pari ka disa herë mundësi të bëjë katarsis, kurse e dyta vihet përballë dilemës të pranimit ose mospranimit të realitetit, të ngrihet në këmbë dhe të vazhdojë të ecë apo të hakmerret, të tejkalojë kështu të drejtën dhe të bëhet xhelat. E kur në mes tyre hyn një politikan për arbitër, kjo e zbërthen situatën.
Paulina të mban në suspansë, ndërsa shkon drejt ekstremit të vetëpërmbajtjes.
Si është rruga për ta realizuar këtë grua?
E.B: Natyra ime është impulsive. Reagimet e mia janë të shpejta. Kurse Paulina duhet të gëlltisë shumë. Besoj se është normale që gjen këtë mospërputhje mes vetes dhe personazhit deri sa të mund ta realizosh. Me mua funksionon edhe ana vizive: në qoftë se unë do të shikoj një figurë, një pikturë, një foto të dikujt që do të më japë menjëherë imazhin se mund të jetë karakteri, unë menjëherë punoj duke pasur parasysh këtë lloj figure. Në këtë formë kam shkuar te Paulina. Nuk e di se si mund të ishte ndryshe, por unë do të bëja një Paulinë ashtu siç mund ta kuptonte dhe luante Enkela.
S.B: Po nuk ka ardhur me lehtësi. Gjithë diskutimet i kemi bërë mbi këtë gjë: kjo është një kufomë që po ecën me një fije jete. Si mund të shpërthejë?
E.B: Nuk donim të kishte reagime të menjëhershme, emotive.
S.B: Ne kemi një ndryshim bashkë që mbase mund të jetë gjinor. Kela është praktike. Kur ajo e ka të qartë figurën artistike, fiton një forcë shumë të madhe për të shkuar në mënyrë konsekuente nga detajet te thelbi i figurës. Kurse meshkujt kanë një pasiguri të brendshme gjatë gjithë kohës. Në rastin tim, vetë i jap konkluzionet edhe vetë i hedh poshtë.
Ndërsa një mjek që dikur ka asistuar në seancat hetimore e tani dëgjon Shubert, dhe mbledh guaska buzë detit, është i parashikueshëm doktori yt?
S.B: Donim tiu jepnim mundësi njerëzve që të ngrinin pyetje. Sepse në momentin që demaskohet armiku, nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe.
Me persekutorët e djeshëm, sot në demokraci ndodh që fjalën falje e kanë më të papërdorshmen. Ky është problemi i personazhit tim. Ai e ka mundësinë të tregojë, por falja e tij është krejt formale. Kjo ndodh herë pas here tek ne, vlen për të gjitha nivelet. Të themi të drejtë