Inagurohet rruga Kozarë-Kuçovë, përfitojnë 25 mijë banorë
Kuçovë- Kryeministri Sali Berisha ka barë sot inagurimin e rrugës Kozare-Kuçovë, e cila sipas tij është me shumë rëndësi për këtë zonë. Kreu i qeverisë u shpreh se në mandatin e tretë të qeverisë do të bëjë ndërtimin e çdo rruge rurale.
Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë rurale. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë rurale që ka mbetur për tu ndërtuar. Në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kozarë, në Berat dhe kudo në Shqipëri rrjetin e ujitjes më modern që ekziston sot në ndonjë vend,- tha Berisha.
Rruga Kozarë-Kuçovë, 3.82 kilometra, lidh qendrën e komunës Kozarë, me qytetin e Kuçovës. Përfitues nga ky investim janë 25 mijë banorë të komunave Kozare, Kuçovë, Perondi. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 163 milionë lekë. Ky investim është pjesë e një ndërhyrjeje të integruar që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kryen në kuadër të strategjisë rajonale të zhvillimit në qarkun e Beratit. Së bashku me dy rrugët e tjera Grekan-Vlashuk 13.5 kilometra dhe Kozare-Fiershegan 18.1 kilometra, punimet e të cilave janë në zbatim, kjo zonë merr rëndësi, duke u bërë një pikë ku kryqëzohen rrugët që lidhin qarkun e Beratit me atë të Fierit dhe Elbasanit.
Në pjesën urbane, rruga ka një gjerësi asfalti prej 5-6 metra dhe është e pajisur me trotuare në të dy krahët dhe është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën rrugore. Pjesë e këtij investimi ka qenë dhe zgjerimi i urës ekzistuese të Kozarës, që sot është me dy kalime.