E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekësi, shefat e shërbimeve rrezikojnë vendin e punës

“Lirohen” kriteret për t’u emëruar në krye të reparteve në spitalet universitare, përparësi për të rinjtë Drejtuesi i shërbimit duhet të jetë doktor me gradë të fituar jashtë vendit

Pakkush e di, por arsimi ka lidhje të ngushtë edhe me shëndetësinë. Madje më shumë se çdo gjë tjetër, politikat arsimore bashkohen në mënyrë të veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për shërbimet shëndetësore në spitalet universitare, aty ku studiojnë edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Kështu sipas ndryshimeve të kërkuara në ligjin e arsimit të lartë, një pjesë e mendimeve prekin edhe shërbimin mjekësor. Në mënyrë të drejtpërdrejtë prekin konkursin për emërimin e shefave në krye të shërbimeve shëndetësore. Ligji aktual kërkon që një shef shërbimi të ketë medoemos titullin profesor, ndërkohë që ndryshimet kërkojnë që shefi i shërbimit të ketë titullin profesor i asociuar ose doktor, por gradën ta ketë fituar në universitetet jashtë vendit. Ndërkaq, mandati i një shefi shërbimi, sipas ndryshimeve parashikohet të jetë jo më i gjatë se sa katër vite kalendarike. “Ndryshimet ligjore kanë prekur dhe Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë fakultet, deri tani, kemi pasur strukturën e departamentit dhe atë të shërbimit. Tani edhe shërbimi do të ketë të njëjtin status me departamentin. Në këtë mënyrë u jepet mundësi shërbimeve që të thithin më shumë forca të kualifikuara dhe të integrojnë më shumë të rinj në strukturën e tyre”, tha pak kohë më parë kreu i arsimit, Myqerem Tafaj.

Ndryshimet

“Në fakultetet e mjekësisë të institucioneve publike të arsimit të lartë që kanë spitale universitare, përgjegjës i shërbimit është titullari i shërbimit. Ai duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit dhe të ketë së paku titullin akademik ‘profesor i asociuar’ ose gradën shkencore ‘doktor’, të fituar në një universitet të njohur jashtë vendit”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë.

Po ashtu, në projektligj sqarohet se “përgjegjësi i shërbimit përzgjidhet me konkurrim të hapur. Kriteret e tjera të kualifikimit dhe modalitetet e organizimit të konkursit përcaktohen në statusin e IAL-së ose në rregulloren e njëjësisë kryesore të tij”. Ndërkaq, autoriteti drejtues i njësisë kryesore i propozon drejtorit të spitalit universitar dy kandidatura, të klasifikuara nga konkursi i hapur, në vendin e parë dhe të dytë. Mandati i përgjegjësit të shërbimit zgjat 4 vjet.

Spitalet universitare

Spitali universitar më i rëndësishëm në vend është qendra spitalore “Nënë Tereza”. Ndërkohë që dy maternitetet në kryeqytet janë spitale universitare. Një tjetër spital universitar që do t’i shtohet vendit do të jetë edhe Qendra Spitalore e Tiranës, që pritet të inaugurohet pranë spitalit universitar të sëmundjeve të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”.

Ndërsa në QSUT, për vite me radhë, drejtojnë për një kohë të gjatë shërbimet mjekësore mjekë të njohur në fushat e tyre. Me ndryshimet që pritet të pësojë ligji i arsimit të lartë, vendi i tyre i punës do të jetë në diskutim, për shkak të liberalizimit të kritereve përzgjedhëse, siç janë titujt, por edhe fazat e konkurrimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›