E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika deputetësh në Bruksel, PS-PD përplasen para eurodeputetëve

Debati Seanca e parë e Komitetit të Stabilizim-Asociimit. Situata e komplikuar, Mirel paralajmëron për pasoja

Në ditën e parë të punimeve të mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë është përcjellë në mënyrë direkte kërcënimi i Brukselit zyrtar se acarimi i krizës dhe moszgjidhja e saj do të ndikojë direkt në opinionin për statusin e vendit kandidat, që do të thotë shtyrje të mëtejshme të integrimit të vendit në BE. Deklaratat janë bërë në mënyrë të qartë nga kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Eduard Kukan, si dhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pierre Mirel. “Lajmet që vijnë nga Tiranë tregojnë se situata po bëhet gjithnjë e më shumë e komplikuar. Mendimi im është që zgjidhja duhet të bëhet në institucione demokratike, të cilat duhet të respektohen”, theksoi kreu i delegacionit, Eduard Kukan, i cili bëri të ditur se të gjitha apelet që kanë ardhur nga institucionet ndërkombëtare nuk po dëgjohen nga palët në vend. Ndërkaq, zyrtari i lartë i Brukselit, Pierre Mirel, deklaroi se “dua t’i bëj vetes një pyetje se në këtë fazë të procesit integrues të Shqipërisë, një grevë urie do të thotë të ecësh përpara në këtë fazë të procesit, kur ne po përgatisim opinionin për aplikimin tuaj në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Europian? Kjo nuk është një pyetje për analistët politikë, por në përputhje me kriteret politike që është funksionimi efikas i institucioneve demokratike. Si do t’i përgjigjeshim ne kësaj pike në opinionin tonë? Sigurisht që Parlamenti shqiptar nuk po funksionon prej tetë muajve dhe kjo do të reflektohet siç duhet në opinionin tonë”. Pas fjalimeve të drejtuesve të takimit ka nisur një përplasje deklaratash mes deputetëve të PS-së dhe PD-së në selinë e Parlamentit Europian, që është reflektuar më pas edhe nëpërmjet eurodeputetëve. Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi se greva e opozitës nuk është presion, pasi socialistët kanë dhënë prova që kërkojnë dhe duan një kompromis, ndaj kanë hyrë në Parlament dhe kanë njohur rezultatin legal të zgjedhjeve. Sipas Leskajt, ka qenë reagimi kryeneç i mazhorancës që e ka detyruar opozitën të hyjë në grevë urie. Pas Leskajt ka folur deputeti i PD-së, Jemin Gjana, i cili deklaroi se në “Shqipëri nuk ka krizë, por shah mat politik, ne jemi në ngërç që duhet ta zgjidhim sipas institucioneve. Nënkryetari i delegacionit të PE-së për Shqipërinë, Viktor Bostinaru, ka përkrahur protestën e opozitës dhe ka kërkuar që kriza politike të zgjidhet sa më shpejt, duke ulur në tryezë si mazhorancën ashtu edhe opozitën. Eurodeputeti rumun ka sjellë si shembull vitin 2001, kur zonja Doris Pack, atëherë kryetare e delegacionit, erdhi me mision special në Shqipëri për të gjetur konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, që si rezultat solli zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Zonja Pack ka replikuar menjëherë, duke thënë se nuk ishin faktet ashtu siç tha parafolësi. Më pas ka nisur një përplasje mes deputetëve shqiptarë me tone të larta, duke sjellë klimën e seancave tona plenare. Në seancë janë zhvilluar replika në mes deputetëve të PD-së dhe PS-së. Por pjesa më e rëndësishme e takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit do të zhvillohet ditën e sotme, ku do të diskutohet një draft-deklaratë e përbashkët, që do të miratohet në fund. Gjithashtu gjatë ditës së sotme do të ketë një deklaratë të posaçme edhe nga Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili do të mbajë një konferencë për shtyp. Në ditën e djeshme, është shpërndarë në mbledhjen e Komitetit edhe raporti i fundit i organizatës FRIDE. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, ka deklaruar dje nga Brukseli për mediat se vihet re një rritje e temperaturës për atë që po ndodh në Shqipëri. Sipas Bushatit, disa eurodeputetë kanë deklaruar se ishte zoti Berisha shkaktari i situatës, pasi ai ishte edhe autori i zgjedhjeve problematike të vitit 1996.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›