Policia nuk njeh ligjin për tubimet
Policia e Tiranës ka gabuar në korrespondencën me Partinë Socialiste, ku deklaron se ligji për tubimet nuk lejon zhvillimin e tubimeve disaditore. Kjo nuk është përcaktuar në asnjë nen të këtij ligji, duke sjellë dyshime se policia nuk e njeh. Pikërisht në nenin 5 të ligjit për tubimet, ku policia përqendron argumentet e saj, nuk ka asnjë pikë ku përcaktohet afati i një tubimi.
Afati për tubimetNë ligjin për tubimet, pikërisht në nenin 5, është përcaktuar njoftimi që i bëhet Policisë së Shtetit. Në pikën 1 të tij deklarohet se në rast tubimi në sheshe ose vendkalime publike, organizatori dhe drejtuesi janë të detyruar të njoftojnë me shkrim shefin e komisariatit të policisë jo më vonë se tri ditë para datës së zhvillimit të tubimit. Ndërsa në pikën 2 deklarohet se njoftimi duhet të përmbajë identitetin dhe adresën e drejtuesit dhe të organizatorit të tubimit, qëllimin e tubimit, datën, vendin, orën e fillimit dhe të përfundimit të tubimit dhe itinerarin e tij (nëse ka të tillë). Gjithashtu, në njoftim duhet të jetë edhe numri i përafërt i pjesëmarrësve, numri i personave ndihmës në mbarëvajtjen e tubimit dhe personat që do të flasin në tubim. Pra, në asnjë pikë nuk deklarohet afati. Në një nga këto pika njoftohet për vendin, datën dhe orën, por nuk përcaktohet se duhet të jetë vetëm një ditë apo më shumë. Një kërkesë të tillë Partia Socialiste e ka bërë dhe ka kërkuar që protesta të zhvillohet nga data 30 prill deri më 30 maj. Në ligjin për tubimet deklarohet se vetëm në rast se njoftimi me shkrim nuk i përmban elementet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, ai i kthehet për plotësim organizatorit dhe drejtuesit të tubimit, të cilët duhet ta riparaqesin atë të plotësuar jo më vonë se 24 orë para kohës kur do të zhvillohet tubimi.
Tubimet urgjenteNdërsa në nenin gjashtë të këtij ligji janë parashikuar detyrimet e policisë. Aty deklarohet se shefi i komisariatit të policisë, ose drejtori i policisë së qarkut, brenda 24 orëve nga marrja e kërkesës sipas pikës 2 të nenit 5, ose brenda 8 orëve nga marrja e kërkesës sipas pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji, me vendim të arsyetuar duhet t'i komunikojë organizatorit ose drejtuesit të tubimit ndalimet dhe kufizimet e mundshme ose kushtet e tjera, duke përshirë edhe numrin e personave që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e tij dhe t'u japë një kopje të urdhrit zyrtar për caktimin e oficerit të policisë që do të jetë përgjegjës për të ndihmuar e vëzhguar zhvillimin e tubimit. Drejtuesi i policisë njofton me shkrim drejtuesin e pushtetit vendor dhe prefektin për zhvillimin e tubimit. Duke kontrolluar gjithë ligjin, në asnjë nen të tij nuk deklarohen afate, por mbetet në dorë të policisë që të vendosë lejimin ose jo të tubimit. Madje, sipas nenit 7 për tubimet urgjente, deklarohet se kur ka rrethana urgjente, tubimi mund të zhvillohet pa respektuar afatin e parashikuar në nenin 5 të këtij ligji, po detyrimisht duhet të bëhet njoftimi me shkrim, i cili përmban elementet e përcaktuara në nenin 5, pika 2 e këtij ligji, si dhe arsyen e urgjencës. Njoftimi duhet të bëhet menjëherë, po jo më vonë se 3 orë përpara kohës së zhvillimit të tubimit. Në lidhje me këtë nen, policia ka kërkuar që Partia Socialiste të bëjë çdo ditë nga një njoftim urgjent, pavarësisht se ajo ka kërkuar një muaj për tubime.
Ndalimi i tubimeveMegjithatë, edhe për ndalimin e një tubimi është shprehur qartë ligji se kur mund të kryhet një veprim i tillë. Në nenin 8 të ligjit thuhet se kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, apo mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit, ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit. Policia mund të shpërndajë një tubim në një shesh ose vendkalim publik vetëm në tre raste. Sipas nenit 9, kjo mund të ndodhë kur mënyra e zhvillimit të tubimit është e tillë që mund të dëmtojë në mënyrë konkrete rendin publik dhe sigurinë e personave; gjatë zhvillimit të tij kryhen krime; ose ekziston një situatë emergjente që lidhet me sigurinë publike, kur vendi i zënë nga tubimi kërkohet nga shërbimet e emergjencës.
#