E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekësia e Infermieria prioritet gjuhës angleze, vlerësohet me koeficientin 1.3

28/03/2011   Mesatarja e shkollës së mesme, 20% të rëndësisë për rezultatin final

Pranimet në universitetet për vitin e ardhshëm akademik do të vënë në garë rreth 40 mijë maturantë në të gjithë vendin.

Fakulteti i Mjekësisë dhe Infermierisë i japin prioritet gjuhës angleze, e cila është vlerësuar me koeficientin maksimal 1.3. Kështu të gjithë ata maturantë, të cilët kanë listuar anglishten si provim me zgjedhje, të shoqëruar me një nga lëndët e profilit biologji, kimi, apo fizikë, mund të arrijnë rezultatet maksimale në rezultatin final të maturës. Konkretisht, këta maturantë kanë të njëjtat shanse për të fituar studimet në këto fakultete, sikundër do të ndodhte me maturantët që kanë caktuar për provimet dy lëndë të shkencave ekzakte. Koeficienti i gjuhës angleze tashmë do të llogaritet me 1.3, po aq sa edhe lëndët kryesore që duhen për të fituar këtë program studimi: biologjia, fizika e kimia. Kjo do të thotë se një maturant, që ka zgjedhur si lëndë me zgjedhje anglishten, plus një nga tri lëndët: biologji, kimi apo fizikë, ka po të njëjtat mundësi për të fituar programin e studimit sa edhe një maturant, i cili zgjedh si provim me zgjedhje dy lëndë ekzakte, p.sh: kimi dhe biologji. Që pas datës 10 mars ka përfunduar procesi i dorëzimit të formularëve A1 dhe A1Z të plotësuar.

Degët më të kërkuara

Këta formularë do të dërgohen nga komisionet e drejtorive arsimore pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve, ku do të bëhet klasifikimi i tyre. Megjithatë, një shans për të mbledhur sa më shumë pikë në rezultatin final të maturës shtetërore e kanë të gjithë ata kandidatë, që kanë zgjedhur për të dhënë provim me zgjedhje dy lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Këtë raport ata duhet ta ruajnë edhe në plotësimin e formularit A2, ku do të listohen degët në të cilat kandidati do të vijojë studimet e larta për vitin e ardhshëm akademik. Pas analizës së zhvilluar mbi procesin e maturës së vitit të shkuar, ekspertët kanë konfirmuar se të 10 degët universitare më të preferuara nga studentët gjenden në universitetin e Tiranës, ndërsa prurjet më të mëdha të maturantëve vijnë nga Tirana dhe rrethi i Fierit. Ndërsa specialistë të APRIAL-it kanë treguar se ndër fakultetet e preferuara vijojnë të mbeten Mjekësia, Ekonomiku, Drejtësia dhe degët e inxhinierisë pranë Universitetit Politeknik.

Konkurrimi

Pranimet në universitetet për vitin e ardhshëm akademik do të vënë në garë rreth 40 mijë maturantë në të gjithë vendin. Këta të fundit do të përfshihen në provimet e maturës shtetërore si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Bazuar në kuotat e pranimeve të miratuara në vitet e shkuara, nuk mendohet që këtë vit fakultetet publike të pranojnë më shumë sesa 22 mijë studentë të rinj të shpërndarë në të gjitha universitetet e vendit. Ashtu si vitin e shkuar, teza përfundimtare e provimeve do të përmbajë pyetje të kombinuara ndërmjet atyre me alternativa dhe atyre me zhvillim. Vlerësimi me pikë për çdo pyetje do të bëhet në bazë të përgjigjes së dhënë, çka do të thotë se maturantët do të marrin pikë të plota, nëse përgjigjja është dhënë ashtu siç vlerësohet në skemën e korrigjimit, dhe pikë të përgjysmuara, në rast se përgjigjja është pjesërisht e saktë. Për përgjigjet e dhëna gabim apo në rastet kur nuk është kthyer fare përgjigje nuk do të ketë ndëshkim, por pyetja do të vlerësohet me zero pikë. Për të orientuar nxënësit në zgjedhjen e programeve të duhura në bazë të aftësive po zhvillohet procesi i këshillimit të karrierës. Ndërkohë në shkolla do të zhvillohen konsultimet sipas grafikëve të përcaktuar si për lëndët që janë provime të detyruara, ashtu edhe për provimet me zgjedhje.

Rëndësia e notave dhe mesatares

Për profilet e përgjithshme, ato të drejtimit natyror dhe shoqëror, secili nga provimet e detyruara do të ketë 20 për qind të rëndësisë në përcaktimin e fituesve. Po kaq do të jetë edhe përqindja që do tu korrespondojë dy provimeve me zgjedhje dhe mesatares së shkollës së mesme. Po sipas udhëzimit, përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale do të jetë e ndryshme.

Prodhimi i tyre të bëhet në shtypshkronja të veçanta

Agjencia Kombëtare e Provimeve do

lëshojë diplomat e shkollës së mesme

Përcaktohet formati i ri që do të ketë diploma për shkollat e mesme. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se maturantët e këtij viti do të pajisen me këtë diplomë vetëm pasi të kenë mbyllur me sukses të katër provimet e maturës shtetërore.

Për të garantuar sigurinë e këtyre diplomave është vendosur që prodhimi i tyre të bëhet në shtypshkronja të veçanta, duke minimizuar në maksimum rrisqet për falsifikimin e tyre. Ndërkohë që lëshimi i këtij dokumenti nuk do të jetë më atribut i shkollës së mesme, sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara. "Është një dokument që e lëshon jo më shkolla, por drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Shtypet në shtypshkronja të letrave me vlerë, pra është një karton që në brendësi përmban logon e ministrisë, është diçka që e vendos ministri me stafin e tij për të ditur se kush është elementi i sigurisë në trupin e diplomës", ka deklaruar kreu i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu.

Diploma e re do të përmbajë edhe një certifikatë të listës së notave, e cila vitin tjetër të maturës thonë specialistët pritet të ndryshojë. "Certifikata e notave ka elementë sigurie vetëm ID e nxënësit dhe përputhet me ID e nxënësit në diplomë, pra, ID që merr nxënësi në provimet e maturës shtetërore dhe janë të pasqyruara notat e 4 ose pesë viteve. Ka një kosto shumë më të lartë se të një dëftese pjekurie", shton më tej Vejsiu. Në përmbajte të saj diploma do të konfirmojë se është e vlefshme vetëm për këtë vit shkollor, 2010-2011. Kjo do të thotë se në maturën e vitit të ardhshëm formati do të jetë i ngjashëm, por do të ndryshojnë lëndët që do të listohen në të, duke qenë se do të diplomohen maturantët e parë pas aplikimit të sistemit të ri të arsimit të mesëm, i cili tashmë ka kaluar në trevjeçar, (duke qenë se arsimi i detyruar është bërë 9-vjeçar).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›