E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në plan të parë sigurimi nga aksidentet dhe shëndeti

28/03/2011  Tregu u dominua nga sigurimet e jo-jetës edhe në janar - shkurt 2011

Duket se sigurimi nga aksidentet personale dhe shëndeti ka qenë në plan të parë të vëmendjes gjatë muajve të parë të këtij viti. Raporti i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare bën me dije se treguesi i të ardhurave nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-shkurt 2011, të cilat përfshihen në sigurimet vullnetare arriti në rreth 168 milionë lekë. Kjo shifër është rritur me 202.13 për qind në krahasim me janar-shkurtin e vitit 2010. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 89.18% të të ardhurave të këtij grupi. Primet nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2011 arritën 202 milionë lekë, ose rreth 64.18% më shumë se janar-shkurti i vitit të kaluar. Megjithatë, muajt e parë të vitit nuk sollën ndonjë ndryshim të dukshëm sa i përket ndarjes së tregut të sigurimeve në vendin tonë. Ai mbeti sërish i orientuar drejt sigurimeve të jo-jetës, me rreth 86.26 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 13.74 për qind. Raporti i AMF-së bën të ditur se të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-shkurt 2011, arritën rreth 1,471 milionë lekë, ose 6.60% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-shkurt 2011 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 189,958 duke pësuar dyfishim krahasuar me periudhën janar-shkurt 2010. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 58.14% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 41.86% të totalit.

Sigurimi vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar arritën në 855 milionë lekë, ose 5.41% më shumë, me një trefishim të numrit të kontratave të sigurimit. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 392 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 45.24%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 23.34%. Në portofolin “Zjarri dhe rreziqet shtesë” ka rritje 26.92% në numrin e kontratave të sigurimit dhe ulje 2.83% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›