E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekësia e çantës së zezë

Nga seria "Letra tim biri")


Sigurisht, që ke dëgjuar për doktorët e vjetër, të cilët mbanin me vete, kudo që shkonin, një çantë të zezë mjekësore. Ata fusnin atje gjithçka që u duhej për diagnostikimin e të sëmurëve. Ajo ishte çanta e zezë mjekësore e doktorit.


Tani, atë çantë, askush, nuk e do! Madje, shumica e mjekëve të sotëm, nuk e dinë se ajo ka ekzistuar! Por, ishte një kohë, kur ajo ishte shoqëruesja e përhershme e doktorit, një shërbyese e pandarë, mike dhe aleate e tij.


Ai e merrte me vete kudo, në zyrën ku bënte vizitat, në spital, në shtëpinë e pacientëve, madje, edhe kur ulej diku për të pirë ndonjë kafe. Ajo ishte çanta e veglave të doktorit, e veglave, që janë të domosdoshme për artin e diagnozës fizike.


Në ditët e mjekësisë së "çantës së zezë", diagnoza fizike, ajo që bënin mjekët me shqisat e tyre, ishte art i vërtetë. Ai nuk i ngjante, aspak, ritualit të sotëm mekanik. Tani, atë çantë, mjekët e kanë hedhur në një qoshe të errët të një dollapi plot pluhur.


E kanë hedhur me të gjitha testet diagnostikuese, që ata i quajnë "të dala jashtë mode". Doktorët e rinj, përpiqen t'i marrin të gjitha, ç'ishin brenda çantës së zezë, në xhepat e vegjël të bluzës së tyre të bardhë.


Për fatin e keq të të sëmurëve të sotëm, instrumentet kryesore që mbante ajo, tani janë lënë prapa listës.



E përfytyron dot ç'kishte ajo çantë brenda? Stetoskopin, aparatin për të matur tensionin arterial, një elektrik dore, otoskopin, oftalmoskopin, çekiçin e perkusionit, disa diapazonë, një metër role, një llupë zmadhuese, një kalibër për të lexuar EKG-në, një tabelë Snelleni të vogël, për të përcaktuar mprehtësinë e pamjes, një lente të kuqe, doreza, lubrifikant, lama për hemokult, një zhvillues dhe nuk harronte kurrë, të kishte edhe disa karamele për ndonjë fëmijë të sëmurë.


A ka xhep që të krahasohet me atë ?.


Si rezultat i flakjes së çantës së zezë, ekzaminimi i mjekut është reduktuar shumë. Është bërë mekanik. Një pseudoperformancë pa kuptim, e me pak vlera klinike.
Sot, mjekësia e çantës së zezë, është shndërruar në një art të humbur. Ajo është dënuar të qëndrojë në një dollap të errët, ose në një vend ku në botën e zhvilluar, njerëzit mbajnë vjetërsirat.


Teknologjia e ka zëvendësuar atë dhe ekspertizën që ajo përfaqësonte, tamam, ashtu sikundër testet e shumta moderne që i bëhen të sëmurit sot, kanë zëvendësuar kujdesin e doktorit për të. Doktorët janë kthyer në interpretues të testeve.


Por, artefaktet lulëzojnë bashkë me teknologjinë dhe ato fshehin të vërtetën. Këto artefakte janë autostradat që i çojnë, jo rrallë, të sëmurët drejt varrit.


Ja pse pacienti dhe jo fleta me analizat e tij, duhet të jenë gjithnjë, objekt i gjykimit final të mjekut. Afrimi i thjeshtë me të sëmurin, e bën mjekun të jetë mendjehapur, i pandikuar nga opinionet e të tjerëve, ose nga përgjigjet e gabuara të laboratorit.


Doktori, qoftë edhe ai i sotmi, duhet të ketë mençurinë, forcën dhe kurajën që të vërë në dyshim rezultatet e testeve dhe të analizave, veçanërisht, kur këto rezultate janë të paqëndrueshme dhe të papajtueshme me kushtet klinike aktuale të pacientit.


Në ditët e lavdishme të mjekësisë së çantës së zezë, kartela mbushej te shtrati i të sëmurit, jo në dhomën e mjekut, as tek dhoma e kompjuterëve dhe e infermierëve. Kjo bënte të rritej niveli i kujdesit personal, direkt nga mjeku.


Sot, shqisat e doktorit janë mpirë nga echokardiogramat, Ro-gramat e gjoksit, EKG-të, nga skanerët dhe rezonancat magnetike, që i kryejnë të tjerë dhe doktori i lexon dhe merr vendime, larg nga shtrati i të sëmuri.


Por, mjerisht, bashkë me shqisat janë mpirë edhe ndjenjat e tij për të sëmurin. Teknologjia e ka ndarë mjekun nga i sëmuri i tij. Të dhënat fizike klasike, shenjat "kardinale" të sëmundjes, siç i quanin mjekët aso kohe janë injoruar, ose mbeten të pazbuluara.


Kush i ka më në mend murmurimën e Gallupit, fërkimet perikardiale, ralet e njoma, përqindjen Velcro, mpirjen, hyper-rezonancën dhe një miriadë të tërë të të dhënave fizike, të cilat kanë mbetur të mbyllura brenda çantës së zezë, që ka humbur.


Mjeku i ri është shumë i nxituar, ai nuk ka kohë të presë të shfaqen këto shenja "kardinale" tek i sëmuri. Ai është shumë i stresuar, që të arrijë të kuptojë, ose të vlerësojë rëndësinë e shenjave fizike.

Historia e hollësishme e pacientit ishte me shumë rëndësi, për mjekësinë e çantës së zezë. Tradita e mjekësisë së çantës së zezë funksiononte sipas parimit: Pacienti, zakonisht, ia thotë vetë doktorit diagnozën e tij, po qe se ai e dëgjon mjaftueshëm dhe me kujdes.


-"Një diagnozë e arsyeshme, zakonisht, arrihet vetëm nga historia që tregon i sëmuri për sëmundjen e tij."

-"Duhet të dini të bëni pyetjet e duhura, të vini në shënjestër simptomat kyçe dhe të skarconi informacionin që nuk ka lidhje me sëmundjen dhe mjegullon të vërtetën".
Këto fjalë i mbaj mend të përsëritura mijëra herë nga mjekët e çantës së zezë, gjatë kohës që unë hidhja hapat e para në botën e mjekësisë.

Për fat të keq, mjekësia e sotme akademike, nuk e kërkon me forcën që e kërkonte mjekësia e çantës së zezë, shkathtësimin e mjekëve të rinj, për të mbledhur me kujdes dhe në mënyrë adekuate historitë mjekësore të pacientëve. Ajo nuk i ndihmon ata, që me shumë takt të futen në të fshehtat e thella të jetës dhe të psikikës të të sëmurëve të tyre.


Si pasojë e kësaj, mjeku i sotëm nuk insiston të dëgjojë një të sëmurë, që "nuk di të tregojë", "që është injorant", "që është i pakulturuar", "që është i pistë" e të tjera. Ata e kanë të vështirë t'i kapërcejnë barrierat kulturore që i ndajnë nga pacientët e tyre.

Po të zbatoheshin parimet e mjekësisë së çantës së zezë, raportet midis doktorit dhe pacientit do të ishin shumë më të mira.


Por sot, komunikimin midis tyre e pengojnë shumë pajisje dhe aparate mjekësore prej metali të ftohtë. Shumë herë i sëmuri nuk e sheh, nuk e ndjen dhe nuk e njeh doktorin. Ndërkohë që doktori e shikon të sëmurin në ekranin e ftohtë të kompjuterit, shumë larg nga i sëmuri.


Mungesa e kontaktit me anë të prekjes, të shikimit, të dëgjimit, bën që midis të dyve të mos këmbehen mesazhet e ngrohta të dashurisë, të përkushtimit, të simpatisë dhe të humanizmit. Pra, mungon shkëmbimi i atyre mesazheve, që përbëjnë atë që është çelësi i suksesit në procesin e mjekimit - njerëzoren.


Kur komunikimi i ngrohtë i pacientit me doktorin e tij nuk ekziston, ose është i keq, kjo e çon punën deri në marrëdhënie armiqësie midis tyre. Sa raste ka që doktorët janë paditur në gjyq nga pacientët dhe sa herë të tjera doktorët ankohen për sjelljet e të sëmurëve të tyre. Në mjekësinë e çantës së zezë, doktori, gëzonte respektin e pakufishëm të pacientit.


Unë nuk mbaj mend të ketë ndodhur, që doktori të kërcënohej dhe të sulmohej nga i sëmuri i tij. Nuk ka ndodhur që doktorët e çantës së zezë të kërkonin bodyguardë, për t'u mbrojtur nga të sëmurët e tyre, të cilëve u shërbenin me përkushtim.

Një arsye tjetër, pse krijohen marrëdhënie konfliktuale midis doktorëve dhe pacientëve, veç atyre që të thashë më sipër, është edhe ajo që ka të bëjë me edukimin e studentëve në shkollën mjekësore dhe me modelin që ata duhet të imitojnë kur të dalin në profesion.


Studentët nuk mësojnë për atë, që mjekët e çantës së zezë i jepnin shumë rëndësi dhe që akoma vazhdon të quhet "Inhibicioni social normal". Ky frenim social, është i domosdoshëm. Ai i ruan mjekët nga ndërhyrjet e tyre brutale në "hapësirën" e një personi tjetër, siç është i sëmuri. Askush nuk ndjehet mirë kur i preket "hapësira" e tij private.


Këtu duhet takt dhe shumë kujdes, ndryshe, marrëdhënia mjek-pacient tronditet seriozisht. Në këtë drejtim ka shumë për të mësuar nga mjekët e çantës së zezë. Ata, ishin mjeshtër të sjelljes me të sëmurët, sepse ata e respektonin shumë të sëmurin e tyre.


Shumë shpesh, në bisedat dhe diskutimet e tyre përsëriteshin shprehjet latine: "primum non nocere est" (e para është të mos bësh dëm), ose "medicus curant, natura sanat" (Mjeku kuron, natyra shëron), ose " Si juvatur natyra laudatur, si non juvatur medicus acusatur"(po qe se shërohet, natyra lavdërohet, kur nuk shërohet mjeku akuzohet).


Këto shprehje kaq kuptimplote dhe me vlerë absolute edhe për mjekësinë moderne, thuajse janë harruar në mjekësinë tonë. Ato nuk i dëgjon më, në pavijonet e spitaleve, ku mjekët më të vjetër duhet t'ua përsëritin, pa pushim, më të rinjve.

Të ndërhysh në zakonet dhe veset intime personale të të sëmurëve, siç janë alkooli, drogat, seksi e të tjera, do të thotë të prekësh hapësirën e tyre. Kjo ndërhyrje është edhe më e rëndë kur bëhet pa takt dhe pa kujdesin e duhur, veçanërisht, kur bëhet nga mjekë që nuk e kanë fituar besimin e të sëmurit. Mjekët, në asnjë mënyrë nuk duhet të abuzojnë me të drejtën që u jep profesioni.


Kush tjetër veç mjekëve, ka të drejtën të bisedojë nga pozita paternaliste me persona të rritur, madje, më të moshuar se ata vetë? Kush tjetër veç mjekëve jep urdhra që i sëmuri, ose e sëmura të zhvishet, të vihet në pozicione groteske, ose të bezdisura për ta?!


Te kush tjetër, veç te mjeku, i sëmuri zbulon çdo vend privat të trupit të tij dhe e lejon doktorin ta prekë, ta përkëdhelë dhe ta shtypë pa shqetësim, kudo në trupin e tij ose të saj?! Mjeku, kurrsesi, nuk duhet të abuzojë me bindjen e vullnetshme të të sëmurëve, që e lejojnë atë t'u shkaktojë dhimbje dhe të prekë ku dhe si të dojë mbi trupin e tyre.

Këto shprehi të domosdoshme, që i duhen një mjeku për të funksionuar mirë, nuk arrihen dot në mënyrë intelektuale, as duke studiuar librat e shkollës mjekësore, as edhe pse formalisht bën "betimin e Hipokratit" kur merr diplomën. Ato duhet t'i kesh pranuar në mënyrë thellësisht emocionale dhe t'i zbatosh në praktikën mjekësore në mënyrë të pasforcuar. Pra, të jenë bërë reflekse jetësore të doktorit.

Një shembull i madh në këtë drejtim, është trashëgimia kulturore e mjekësisë shqiptare të çantës së zezë. Ata nuk abuzonin dhe i ruanin sekretet e jetës e të sëmundjeve të të sëmurëve të tyre, në mënyrën më perfekte. Kjo ishte arsyeja pse ata gëzonin respektin e pakufishëm të të sëmurëve, të familjarëve të tyre dhe të të gjithë shoqërisë.

Si mund të ndodhë që një person që të ka dhënë lejen ta shposh e ta presësh; që të ka besuar t'ia marrësh jetën e tij në duart e tua; që pa e pyetur atë, t'ia shtypësh gjoksin deri sa t'i thyesh brinjët; që të ka dhënë lejen të vendosësh ty për të ndërmarrë veprime drastike, shpesh, pa e pyetur atë fare; që të ka dhënë ty të drejtën të vendosësh në duhet ta vazhdosh reaminimin, apo ta ndërpresësh atë dhe ai të vdesë; si dhe mijëra veprime të tjera si këto, të sillet me doktorin kaq keq?!


Ta shajë, ta godasë deri dhe ta vrasë?! Këtu nuk ka asnjë dyshim, që marrëveshja e heshtur, mbi të cilën duhet të bashkëpunojë doktori me të sëmurin, diku është prishur.

Jeta e sotme plot stres, i ka tjetërsuar doktorët. I ka bërë ata të ndjehen të huaj për të sëmurët e tyre. Në shikim të parë, kjo duket si një shoqëruese e pashmangshme dhe fatkeqe në shërbimin mjekësor.


Dhe për këtë, ka shkaqe të forta të brendshme. Nuk është vetëm stresi, por ka edhe faktorë të tjerë që e bëjnë mjekun ta ndjejë pacientin si shkak të shqetësimit të tij, në të njëjtën kohë edhe si burim për pasurimin e tij. Midis këtyre shkaqeve mund të përmendim, lodhjen, pagjumësinë, rrogat e vogla të mjekëve dhe të tjera.


Kjo "pakënaqësi" e mjekut ndaj pacientit, bën që këta të dy, në vend që të bashkëpunojnë, të shkëputen prej njëri-tjetrit. Dhe kjo shkëputje e të dyve, nuk është vetëm objektive, por është edhe shumë e dëmshme. Në një farë mase, ajo e bën të sëmurin sikur të jetë një "armik" për doktorin.

Një faktor tjetër që ndikon negativisht në raportet mjek-pacient, është vlerësimi që i bën shoqëria marrëdhënieve doktor-pacient. Në një shoqëri si kjo e jona, ku korrupsioni ka hyrë në çdo qelizë, kuptohet, që edhe mjekësia është prekur thellësisht nga kjo murtajë dhe marrëdhëniet mjek-pacient janë bërë korruptive.

Të gjithë, doktorët, pacientët dhe stafi i spitalit, mendojmë se doktorët janë doktorë dhe mund t'u lejohet të bëjnë çfarë të duan. Kjo është pasojë e procesit ngurtësues të edukimit mjekësor dhe në të njëjtën kohë, i asaj se çfarë gjejnë mjekët e rinj sot nëpër ambientet e spitaleve tona.


Këtë fuqi doktorëve ua kanë dhënë të gjithë ata që e shohin punën e mjekëve, ashtu siç ajo është në të vërtetë, e dhimbshme, stresuese dhe shkatërruese për jetën e tyre.


Dhe kjo, jo për pak ditë e vite, por për të gjithë jetën. Ja pse opinioni, me të drejtë, e quan të justifikuar forcën e shënuar që u ka dhënë doktorëve, natyrisht, mbi gjithë profesionistët e fushave të tjera. Por me forcën nuk duhet abuzuar.


Po abuzove me forcën ke humbur respektin. Nuk mund të fitojë respektin e njerëzve, ai që mendon vetëm për veten.

Është ky abuzim me forcën që e ka prurë punën deri atje, sa doktorëve u duhet të kërkojnë mbrojtje me policë e roje speciale. Që atyre u duhet të kryejnë kurse trajnimi për mënyrën si t'i trajtojnë rreziqet e marrëdhënieve të këqija me të sëmurët.


Madje, provimi i shtetit, që parashikohet të vendoset për mjekët që duan të marrin licencën, mund të ketë pyetje lidhur me aftësinë e mjekëve, për të evituar padinë prej pacientëve në organet e drejtësisë.


Tradita e mjekësisë së çantës së zezë na mëson, se procesi i shërimit nuk është vetëm shkencë. Më shumë se shkencë ai është art. Ai ngjan më shumë me pikturimin e një pikture, ose me krijimin e një pjese muzikore. Mjeku duhet të derdhë zemrën e tij brenda këtij procesi.

Procesi i shërimit është shumë i vështirë të arrihet, po nuk pati mirësinë brenda tij. Të sëmurët duan të ndjejnë se doktori dëshiron me gjithë zemër t'i ndihmojë ata, jo vetëm që të bëjë detyrën dhe t'u marrë paratë, por, para së gjithash, ata duan të kuptojnë se ai dëshiron që ata të përmirësohen e të shërohen.


Ata duan të ndjejnë se doktori është i interesuar për përmirësimin e tyre dhe se i vjen shumë keq kur kjo nuk arrihet. Mjekimi për disa është i dhimbshëm, por për të gjithë ai është i lodhshëm. Asgjë tjetër, nuk mund të zvogëlojë vështirësitë, dhimbjen dhe lodhjen, sa e bën këtë mirësia dhe dhembshuria e një doktori të ditur.


Çdo mjek, si çdo njeri, bën gabime, por po qe se këto gabime bëhen shpesh, qofshin edhe ato që lidhen me marrëdhëniet e mirësjelljes me të sëmurët, atëherë, ky mjek, ose do të ndryshojë karakterin e tij, ose po nuk e bën dot këtë, ai, patjetër, duhet të ndërrojë punën.


Unë e kuptoj, që në artin e shërimit, mjeku, ashtu si të gjithë të tjerët, duhet të marrë disa shpërblime nga puna e tij:


Shpërblimi i parë, që merr mjeku është që ai punon pa u ngutur. Ky është një shpërblim i domosdoshëm, sepse i jep doktorit mundësinë të ndjejë kënaqësinë e punës së tij.


Shpërblimi i dytë është, që doktori me punën që bën, ndjen se i përdor mendjen dhe energjitë e tij për një çështje shumë të vlefshme, mbase, më të vlefshmen nga të gjitha çështjet e tjera, ruajtjen e jetës.


Shpërblimi i tretë që merr mjeku është lumturia që ai ndjen, ngaqë me punën e tij po arrin diçka shumë të rëndësishme.

Të gjitha shpërblimet e tjera, përfshi këtu edhe paratë që fiton nga të sëmurët, unë do t'i radhisja pas këtyre tre kryesoreve.

Sipas mjekësisë së çantës së zezë, mjeku duhet të ketë disa cilësi:

-Cilësia më e domosdoshme nga të gjitha, është që ai duhet ta njohë mirë specialitetin ku punon.


Arti i shërimit është i pandarë nga mësimi. Çdo mjek i mirë duhet të mësojë gjithnjë e më shumë për subjektin e tij, çdo vit, çdo muaj, çdo javë, çdo ditë (po qe se është e mundur).

-Ai duhet të ketë shumë vetëbesim dhe të jetë i interesuar për shërimin e të sëmurit të tij.

- Ai duhet ta dashurojë profesionin e tij. Nuk ka dyshim, se çdo mjek ka gjëra që nuk i pëlqejnë në specialitetin e tij, por të mos i pëlqejë i gjithë subjekti, kjo do të thotë që të jetë vazhdimisht në dhimbje, ose i mpirë nga narkoza.

- Ai duhet t'i dojë të sëmurët e tij. Ata kërkojnë prej tij që t'u shpëtojë jetën. Kjo nuk bëhet pa dashuri. Sa më shumë dashuri të ketë doktori për të sëmurët e tij, aq më shumë rezultate të mira do të arrijë.

- Ai duhet t'i njohë të gjithë pacientët me emër dhe me fytyrë. Kjo është domosdoshmëri për një mjek. Çdo i sëmurë është një njeri real, një individualitet. Po qe se dëshiron të influencosh tek ata në çfarëdo drejtimi, ti duhet t'i kesh bindur ata se i njeh si individë.

- Ai duhet të jetë me vullnet dhe të jetë i determinuar. Çdo mjek ndeshet me shumë lloj të sëmurësh. Ata prezantojnë vështirësi nga më të ndryshmet, që duhet të kapërcehen gjatë procesit të shërimit. Këto vështirësi, çdo mjek i ka ndeshur dhe i njeh. Këto vështirësi nuk kapërcehen dot pa vullnetin dhe determinimin e mjekut.


Sot, mjekët e rinj janë të detyruar t'i bashkohen një profesioni që është, vërtet, në krizë. Në një krizë, ku luftën për pakësimin e rasteve të malpraktikës mjekësore, e ka marrë lumi.


Ku kujdesin impersonal e gjenerik për pacientin, e kontrollojnë "menagerët", në vend të doktorëve. Ku kostoja e barnave është bërë astronomike. Ku nuk funksionon mirë sistemi i inshurancave mjekësore. Ku studimet kryhen në një shkollë mjekësore me plot boshllëqe.

Shkaku më i madh i kësaj krize është dështimi i vetë profesionit të mjekut. Publiku shqiptar, i ka dhënë profesionit tonë një notë pakaluese. Sistemi ynë i edukimit duhet të korrigjojë mangësitë e tij të dukshme.


Ai duhet të krijojë ndihmës dhe shërues të të sëmurëve, në vend që të klonojë një gjeneratë arrogante mjeshtrish të testeve insensitive, që e shohin pacientin, vetëm, si një enë që mban sëmundjen. Është koha për ndryshim. Euforia dhe pranimi i status quo-së është e pafalshme.

Doktorët e rinj, duhet të jenë instrumente të këtij ndryshimi. Ata duhet të jenë udhëheqës të së ardhmes. Ata nuk duhet të pranojnë gjendjen ekzistuese dhe mangësitë që ka profesioni i mjekut. Ata duhet të inspirojnë ndryshimin dhe të krijojnë një front të ri, në mbrojtje të pacientit.


Të rritin përgjegjësitë e tyre sociale dhe morale. Të kërkojnë drejtësi në botën e biznesit mjekësor dhe të luftojnë kundër lakmisë së pandalshme për pasuri, si prej kompanive të insurancave mjekësore, prej kompanive farmaceutike, ashtu edhe prej vetes së tyre.


Ata duhet të jenë idealistë. Të jenë aleatët dhe zëri i të sëmurëve të tyre të heshtur e të dëshpëruar. Të jenë ndihmësit natyralë për të moshuarit, për të dobëtit dhe për të varfrit. Për të gjithë ata që, vetëm mund të qajnë me ulërimë të heshtur.


Ka ardhur koha që profesioni ynë t'i rikthejë sytë te rrënjët e tij, tek mjekët praktikë të hershëm. Ata ishin baballarët e të mësuarit te shtrati i të sëmurit. Ata kurrë nuk e lanë çantën e tyre të zezë të zinte pluhur në dollap.


Me veprën e tyre, ata na mësojnë këtë të vërtetë të madhe: "Të praktikosh mjekësinë është art, jo tregti; është mision, jo biznes. Është punë e nderuar, në të cilën truri i doktorit duhet të ushtrohet në mënyrë të barabartë me zëmrën e tij."


Me këtë nuk dua të them të mos përdoren avantazhet e mjekësisë moderne, siç janë skanerët, rezonancat magnetike, laseri e shumë teste e shpikje të tjera, por me këtë dua të them që mjekët e sotëm duhet të inspirohen edhe nga e kaluara nobël e mjekësisë shqiptare.


Kjo do t'u shërbejë atyre për të përmirësuar të ardhmen e mjekësisë shqiptare dhe marrëdhëniet e tyre me të sëmurët. Ata duhet të rihapin dollapin e errët dhe ta lejojë çantën e zezë mjekësore të shohë dritën e një dite të re.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›