E Shtunë, 31 Tetor 2026

Binomi elektoral Tiranë - Kabul

Në dy vende të botës protestohet aktualisht për votën: Shqipëri, ku në 28 qershor 2009 u mbajtën zgjedhje parlamentare dhe Afganistan, ku në gusht u mbajtën zgjedhje presidenciale.


Ende në tetor, të dyja vendet janë të trazuara politikisht dhe pushtetmbajtësve u kërkohet të rihapin kutitë.
Në vendin aziatik ka zhvillime më të avancuara, kryesisht të ndikuara nga faktorët e jashtëm.

Dje u njoftuan zbulimet e bëra nga hetimi mbi kutitë e votimit. Hetimi tregoi se rezultati është manipuluar dhe se është i nevojshëm një raund i dytë votimesh. Numri i votave reale të Presidentit Hamid Karzai, ka rënë poshtë numrit të mjaftueshëm për të qeverisur.


Rezultatet paraprake të raundit të parë në gusht, i dhanë zotit Karzai mbi 50 për qind të votave. Komisioni Elektoral për Ankesat deklaroi se z. Karzai nuk kishte fituar kaq. Vetë Karazai këmbënguli se i ka fituar votat e duhura.


Raporti i vëzhguesve të BE-së vuri në dukje se gati një ndër katër vota ishin të dyshimta. Sfidanti kryesor në zgjedhje, Abdullah Abdullah, e akuzoi Presidentin, Hamid Karzai, se ka manipuluar Komisionin e Numërimit. Votat ishin "numëruar", madje edhe në vende për të cilat ishte e bërë e ditur që kishin qëndruar mbyllur në ditën e zgjedhjeve.


Në Shqipëri, sipas raportit përfundimtar për zgjedhjet nga OSBE/ODIHR-i, i publikuar tre muaj nga përfundimi i procesit zgjedhor, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nuk realizuan standardet më të larta për zgjedhje demokratike.


Sipas raportit, ato shënuan progres në lidhje me regjistrimin e votuesve, procesin e identifikimit, kuadrin ligjor, të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, etj, por këto përmirësime substanciale u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, si dhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore, duke përfshirë procesin e numërimit.


Vëzhguesit u shprehën se kishte presion ndaj administratës publike, me qëllim pjesëmarrjen në aktivitetet zgjedhore të PD-së, ku nuk u kursyen as të miturit. Nga ana tjetër qeveria përdori buxhetin e shtetit dhe inaugurimet e projekteve infrastrukturore për qëllime fushate.


Ana më e errët e zgjedhjeve shqiptare mbeti numërimi i votave, i cili u vlerësua si i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 qendrat e numërimit. Pra, një e treta e rezultateve përfundimtare është në pikëpyetje.


Përveç këtyre, në një numër qendrash numërimi, kutitë nuk u numëruan ose rezultatet nuk u përfshinë në tabelën agregate. Sistemi i ri elektronik i monitorimit, shërbeu më shumë si alibi për të thënë se procesi ishte pa njolla. Rezultate, si ato 300 me zero në disa zona, treguan se si partia në pushtet e kishte lëshuar dorën lirshëm.


KQZ-ja, ashtu siç pritej, bëri lojën e qeverisë. Ai nuk ndërhyri vendosmërisht kur u vunë re probleme dhe në raste deçizive u tregua proqeveritar. Se sa është masa e vjedhjeve në zgjedhjet e Shqipërisë, do ta tregojë hapja e kutive, proces që qeveria shqiptare e mohon si ëndrrën më të keqe. Ndryshe nga zgjedhjet në Afganistan, në Shqipëri, nuk ka një komision hetimi të huaj.


Dje një koleg nga Italia sillte rastin e "magjistarit" Carlos de Valenzuela, që kishte zgjidhur misterin e kutive afgane, duke numëruar kutitë dhe duke nxjerrë 200 mijë vota më pak për Karzain.


Ai hidhte idenë që një rrugë të tillë të ndjekë edhe opozita për të zgjidhur maskaradën e 28 qershorit.
Por, ndoshta nuk është nevoja të shkojmë aq larg.


Për një vend që prej prillit 2009 është anëtar i NATO-s, ka trupa paqeruajtëse edhe në Afganistan dhe ka aplikuar për në BE, "magjia" e vetme është rruga ligjore. Është e drejtë ligjore, që kutitë të hapen, për të treguar se në pushtet nuk është fituesi, por rrëmbyesi i fitores.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›