E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët: Shërbim 24 orë te greva e ish-të burgosurve, ndërrohemi çdo tre orë

TIRANE- Të gjesh vendin ku zhvil lohet greva e ish-të përndjekurve politikë në kryeqytet nuk është e vështirë. Banorët e zonës të adresojnë menjëherë. Parullat e shkruara nëpër mure e kartonë të konfirmojnë faktin se ti je pikërisht në vendin që po kërkon. Por, krahas grevistëve ajo që të tërheq vëmendjen është një autoambulancë që qëndron parkuar ngjitur me vendin e “famshëm”. Shoferi është në vendin e tij, mjeku e infermierja gjithashtu. Na bëjnë me dije se pothuajse që prej fillimit të grevës nuk janë larguar për asnjë çast, si dhe kanë qëndruar në gatishmëri të secilit prej grevistëve. 

Për të ofruar një shërbim më të specializuar ndërrohen me kolegët çdo tre orë, ndërsa orët e mbrëmjes e të natës sigurisht që nuk kanë dallim për bluzat e bardha. Asistenca shëndetësore pranë vendit ku po zhvillohet greva e urisë është siguruar nga Shërbimi i Urgjencës së Tiranës, ndërsa mjeku i turnit na garanton se në autoambulancë nuk mungon asnjë medikament apo pajisje e nevojshme për të ofruar shërbimin e nevojshëm. 

VIZITAT 
Sipas të dhënave që disponon Autoriteti Shëndetësor Rajonal, nga data 28 shtator deri në 2 tetor është kryer kontroll shëndetësor periodik tre herë në ditë për të gjithë grevistët (gjithsej 21 grevistë), të cilëve iu janë hapur kartela mjekësore, ku u shënohen rregullisht gjendja dhe mjekimet e bëra. Nga fillimi i grevës deri në ditën e 19-të të saj janë kryer 136 kontrolle dhe vizita, si dhe 21 transporte me autoambulancë për në QSUT. Problemet shëndetësore që janë hasur kryesisht tek grevistët kanë qenë: Hypotension, hypovolemi, dhimbje anginoze dhe spazma të traktit gastro-intestinal. Ndërsa në të gjitha rastet është dhënë ndihma mjekësore e duhur, pasi autoambulancat kanë të gjitha pajisjet e nevojshme dhe medikamentet. Ka qenë i njëjti ekip mjekësor, që në datën 7 tetor dërgoi në Spitalin e Djegie- Plastikës në QSUT, ish-të burgosurin Gjergj Ndreca, i cili tentoi të vetëflijohej duke i vënë flakën vetes. Edhe 47-vjeçari Lirak Bejko, i cili bëri të njëjtin veprim, është asistuar dhe transportuar nga ky shërbim. Ndërsa mjeku i turnit na garanton se ai do të vazhdojë të ofrohet deri në momentin e daljes nga greva.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›