Mjekët ankohen për rrogat, pronarë klinikash superluksoze
Një pjesë e madhe e mjekëve të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, por edhe atyre që punojnë në Spitalin Ushtarak, disponojnë klinika private. Por pas tyre nuk mbeten edhe shefat e spitalit Gjinekologjik Nëna Geraldinë e gjithashtu edhe ata të maternitetit të ri.
Burime nga ky maternitet thanë për gazetën SOT se pjesa më e madhe e shefave të pavijoneve në këtë maternitet disponojnë klinika private që kushtojnë mijëra euro me shërbime tepër të avancuara dhe me mjete e trajtime që krahasohen me klinikat më të mira evropiane. Ndërsa pjesa tjetër që janë mjekë të thjeshtë e pa ndonjë status të veçantë janë pa përjashtim të gjithë të punësuar në klinika private. Mesa duket konflikti i interesit duket sikur është ulur këmbëkryq në QSUT, dhe askush nuk e vret mendjen, madje as vetë pacientët që në këtë rast janë të vetmit që dëmtohen. Vetë shefat e shërbimit i peshkojnë pacientët e tyre që në spital. Lidhur me këtë fakt një qytetar nga kryeqyteti tha për gazetën SOT se i është dashur që ta blejë lentet e syve rreth 250 euro në klinikën private të mjekut që i bëri operacionin. Përpara se të kryeja operacionin e syve mjeku më ka marrë veç dhe më ka thënë se duhet të shkoja në klinikën e tij private për të blerë lentet e syve, sepse atje trajtimi ishte shumë më i mirë se në spital dhe kushtet ishin shumë moderne, sqaroi më tej pacienti 28 vjeçar. Sipas tij ashtu si ai peshkohen edhe një pjesë e madhe e pacientëve të tjerë në të gjitha pavijonet e QSUT-së madje në krahasim me trajtimin dhe moskorrektësinë në klinikë mjekët e shefat e shërbimit të presin me mirësjellje e janë tepër të kujdesshëm gjatë vizitës ose ekzaminimeve. Gjinekologët radhiten ndër më të prirurit ndaj këtyre klinikave që kanë mbirë si kërpudha në për rrugët e kryeqytetit. Por jo vetëm kaq edhe një pjesë e madhe e shefave të pavijoneve në QSUT-së disponojnë klinika private sipas profilit të punës që kryejnë në spitale. Këto klinika private janë vërtet tepër luksoze e cmimet padyshim që i kanë më të majmet në treg, por jo vetëm nga mjetet moderne e ekzaminimet korrekte por edhe kushtet vërtet befasuese.
Klinikat
Shumica prej këtyre klinikave private që disponojnë vetë shefat e shërbimit ose vartësit e tyre ndodhen në mjedise të mbyllura që të krijojnë idenë që më shumë sesa të reklamohen duan të fshihen nga vetë pronarët e tyre. Edhe pse shumica e tyre ndodhen në katet e errëta të ndonjë pallati shumëkatësh mjediset e brendshme të këtyre klinikave që ofrojnë shërbime private në të paktën 6 specialitete, befasohesh nga luksi i aredimit, nga pastërtia dhe nga emrat e doktorëve të afishuar te recepsioni, të gjithë titullarë në specialitetet e tyre. Kjo ekzistencë e heshtur e këtyre mijëra klinikave të tilla private, si të vogla dhe të mëdha, më pak apo më shumë cilësore duket sikur nuk ju bën aspak përshtypje edhe instancave të larta shëndetësore dhe për vetë problematikën që ato krijojnë në sistemin shëndetësor shtetëror, pasi nuk kanë qenë të pakta rastet kur vetë mjekët gjenden për orë të tëra në orarin zyrtar në spital dhe ndodhen në klinikat e tyre duke kryer vizitën e rradhës. Sipas Zyrës së Liçensimit të këtyre subjekteve në Ministrinë e Shëndetësisë, rezulton se në Shqipëri ka 89 klinika mjekësore, pra klinika me shtretër ku kryhen edhe ndërhyrje kirurgjikale dhe ku janë të punësuar disa mjekë, ka 29 kabinete mjekësore ku është i punësuar vetëm një mjek, 69 laboratorë me staf të mesëm mjekësor, mbi 1000 farmaci si dhe 1172 mjekë të liçensuara e 1086 stomatologë, gjithashtu të liçensuara.
Në total, subjektet e liçensuara private mjekësore në Shqipëri kapin një shifër rreth katër herë më të madhe se numri i këtyre subjekteve private në një shtet fqinj me Shqipërinë, në Maqedoni, një vend ky i ish-Jugosllavisë, ku shëndetësia u konsiderua si prioritet qysh 20 vjet më parë.
Mjekët harrojnë etikën në spital, vrapojnë në klinikat private
Në krahasim me spitalet shtetërore këto klinika private që disponohen nga shefat e shërbimit në QSUT apo edhe nga mjekë të thjeshtë ndryshojnë si dita me natën si për nga kushtet por edhe nga qëndrimi i mjekëve në lidhje me sjelljen e tyre. Një ndër faktorët që të bën vërtet përshtypje është edhe trajtimi i të sëmurëve. Edhe pse ndodh shpesh që janë vetë mjekët ata që në ambientet e QSUT-së ankohen pambarimisht nga sjelljet e pacientëve dhe nuk kanë qenë të pakta rastet e acarimit por edhe të konfrontimit me një fjalor të ashpër e aspak korrekt nga ana e tyre kundrejt të sëmurëve, në klinikat private mjekët i sheh gjithmonë të buzëqeshur e të sjellshëm në maksimum. Madje në shumë raste nuk mungon edhe afrimiteti i theksuar midis pacientëve i shprehur me biseda të çfarëdoshme e ndonjë kafe mbi tavolinë. I vetmi ndryshim i mjekëve është që në klinikat private pacienti është i detyruar të paguajë dy ose tre herë më shumë se në spital dhe se mjekëve në këtë rast ju intereson më tepër të sillen e të shëndrrohen në persona tepër të kulturuar në klinikat e tyre. Realisht një pjesë e madhe e këtyre klinikave private sigurojnë një higjienë të admirueshme e cila ka në borderonë e vet emra të njohur doktorësh që punojnë në spitalet shtetërore. Por nga ana tjetër cmimet që janë vërtet të kripura e që variojnë nga 3500 lekë deri në 5000 lekë rëndojnë tepër xhepat e pacientëve edhe pse këtyre të fundit ju bëhet më shumë qejfi në klinikat e pastra e moderne të doktorëve të tyre. Edhe pse në këto klinika kushtet janë bashkëkohore dhe ekzaminimet kryhen nga mjete tepër të sofistikuara ka raste që dhe shkeljet që janë evidentuar nuk kanë qenë të pakta. KA ndodhur shpesh që në pjesën më të madhe të klinikave është gjetur personel, i cili ishte i palicencuar dhe pa asnjë kontratë pune. Ndërkohë ka edhe klinika që ju mungon kontrata e punës, ku të përcaktohen ditët e javës dhe orari i vizitave për mjekët ose personelin tjetër mjekësor, të cilët janë licencuar dhe punojnë në disa klinika.
Rregullat për licencimin e klinikave private
Në licencën e klinikës mjekësore duhet të saktësohet aktiviteti që kryen klinika. Në rregulloren për licencimin e shërbimit privat të saktësohet që edhe punonjësit që merren në provë nga klinika të kenë kontrata të përkohshme me afate kohore të përcaktuara. Gjithashtu dokumentacioni i aktivitetit, për të cilin janë licencuar klinikat, duhet të gjendet dhe ti vihet në dispozicion menjëherë kontrolleve të autorizuara nga dikasteri. Në afatin kohor për rilicencim duhet të parashikohen masa administrative. Ndërsa në rregulloren për licencimin e shërbimit privat duhet parashikuar si do të veprohet për ato klinika që pranojnë studentë të Fakultetit të Mjekësisë për të kryer praktikën mjekësore, Në rregulloren për licencimin e shërbimit privat duhet të saktësohet qartë roli dhe detyrat e drejtuesit teknik. Rregullorja për licencimin e shërbimit privat duhet të ketë prioritet saktësimin e përkufizimit klinikë mjekësore, kabinet, etj., pasi ka klinika që quhen të tilla, por dhe ato ofrojnë vetëm një aktivitet me 2 persona e trajtohen si biznes i madh, dhe janë njësoj me ato klinika që kanë disa aktivitete dhe numër më të madh të punësuarish. Adresa e vendndodhjes së klinikave, duhet saktësuar me emër rruge. Gjithashtu duhet të përcaktohet së në sa klinika private mund të punojë një mjek, si dhe vendosja e protokollit diagnostik.
Arta AGOLLI