Kryeministri slloven: Konferenca e Ballkanit Perwndimor, e suksesshme
Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor e vlerësoi konferencën mbi Ballkanin Perëndimor në Bërdo si një takim të suksesshëm pasi, sipas fjalëve të tij, rreth një tryeze ishin ulur liderët e shteteve që ende nuk njiheshin. Ai në mënyrë të veçantë falënderoi kryesuesin e Këshillit ministror të BeH, Nikola Spiric, i cili është serb. Dhe i cili mbase ka qenë nën presion për të mos ardhur në konferencë, por megjithatë i ka dhënë përparësi dialogut e jo vërejtjeve nacionaliste, u shpreh ai. Pahor u shpreh para gazetarëve se konferenca në Bërdo quhet procesi Bërdo, dhe kjo për tiu hapur dyert edhe atyre që nuk kanë marrë pjesë. Konferencat e ardhshme, siç bëri të ditur ai, do të zhvillohen në nivel të ministrave, kurse njëra ndër to dhe e para do të jetë konferenca për trafikun dhe infrastrukturën, pasi është konstatuar se në këtë pjesë të Evropës nuk është duke u zhvilluar asnjë projekt i përbashkët infrastrukturor dhe kjo për shkak të problemeve që shtetet e rajonit i kanë ndërmjet tyre. Sa i përket problemit ndërmjet Kosovës e Serbisë, Pahor tha se as BE nuk ka qëndrim të përbashkët, pasi disa shtete ende nuk e kanë njohur Kosovën. Kemi të bëjmë punë edhe me Evropën, e cila po i nënçmon shanset e rajonit. Në njërën anë ky është një rajon përplot probleme, por në anën tjetër edhe përplot shanse, u shpreh ai. Si paralajmëroi Pahor, ai do tiu bëjë me dije bashkëbiseduesve evropianë këto shanse. Ndërsa kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Pohor shpreson, se në takimin e radhës do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha vendeve. Ajo e quajti takimin e djeshëm si një urë të rëndësishme. Ura që kemi ndërtuar këtu në Bërdo, paraqet një mbështetje të qëndrueshme, të sinqertë dhe të vërtetë në rrugën e Evropës Juglindore drejt anëtarësimit në BE, u shpreh ajo. Kosor theksoi, se çështja e kufijve duhet të ndahet nga ajo e integrimit, me qëllim që procesi të zhvillohet sa më shpejt. Në Bërdo u miratua edhe deklarata e përbashkët, e cila forcon obligimin e përbashkët për përfshirje në BE, fton BE që të nxisë mekanizmat e bashkëpunimit rajonal, thekson nevojën për vazhdim të mëtejshëm të procesit të liberalizimit të vizave në mbarë rajonin, sërish thekson obligimin për nxitjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore e me këtë edhe për takime të ardhshme të rregullta në kuadër të procesit Bërdo. Në fund të deklaratës, pjesëmarrësit e konferencës përshëndetën takimin BE-Ballkani Perëndimor, të cilin e ka paralajmëruar presidenca spanjolle e radhës.