E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët dëmtojnë pacientët, nuk ndëshkohen

Enea, nëntëmuajshe, po lufton për të mbijetuar në spitalin për fëmijë në Zurich të Zvicrës, ku mjekët, sipas prindërve të saj, janë duke bërë maksimumin për ta shpëtuar, jo vetëm nga sëmundja, por dhe nga pasojat e (mos) mjekimit në Kosovë. Tërë shpenzimet e mjekimit vazhdojnë të mbështeten me përkrahjen e familjes, pasi babai i Eneas, Agimi, jeton në Kosovë, dhe të ardhurat tona, për standardin e këtij spitali ende mbesin shumë larg.

Pas deklarimit të rastit të Eneas, nga ana e prindërve të saj, e cila u ndesh në neglizhencë të mjekëve, ndonëse gjendjen e kishte të rëndë, të enjten për rastin e saj nuk ka reaguar askush publikisht, qoftë nga krerët e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Spitalit Rajonal në Gjilan, si dhe as nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), e nuk është njoftuar për ndonjë procedurë disiplinore ndaj mjekëve të përmendur nga prindërit, ashtu siç do të ndodhte në një shtet funksional.

Për Enean kanë kërkuar hetim vetëm prindërit e saj, kurse përgjegjësi më të madhe shtetërore nga KMDLNJ-ja. Babai, Agimi, ka thënë se mospërgjegjësia e mjekëve të përfshirë në këtë rast e la Enean pa pesë gishta të dorës dhe shumë maltretime që u desh të përjetojë në gjendje të rëndë shëndetësore prej mjeku në mjek në Kosovë, pastaj udhëtimet në Beograd e Zvicrës për t’ia shpëtuar jetën, të cilat askush nuk besoi se ajo do t’i mbijetonte me gjendjen në të cilën kishte rënë. “Në Beograd është bërë amputimi i gishtave, por nuk është intervenuar me kohë në Prishtinë, sepse ishte evituar amputimi”, ka theksuar Zuzaku.

Ai ka thënë të enjten për gazetën se tani mjekët zviceranë janë duke intervenuar jo vetëm në luftimin e sëmundjes, por edhe ndaj baktereve që vajza, siç i kanë deklaruar mjekët, “i ka fituar sidomos gjatë qëndrimit në spitale (të Kosovës), e të cilat kanë përfshirë trupin e saj”.

Enea të mërkurën i është nënshtruar edhe një operacioni kirurgjikal dhe mjekët zviceranë u kanë konfirmuar prindërve se mund të ndodhë të ketë nevojë sërish. Përveç prindërve, zërin e ka ngritur vetëm KMDLNJ-ja që ka kërkuar ndërhyrje nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, sipas kryetarit të saj, Behxhet Shala, puna për hetimin e mjekëve sikurse ka ndodhur me rastin Enea dhe të tjerë duhet të bëhet nga prokuroria. “Humaniteti i mjekut ka rënë”, ka vlerësuar ai.

Sipas Shalës, vetëm sistemi prokurorial dhe ai i gjykatave me punë efikase mund ta luftojnë gjendjen e trashëguar në shëndetësi, por edhe ndikimi institucional për të përmirësuar këtë gjendje. Shala ka theksuar se shëndetësia dhe arsimi janë dy sektorë që funksionimi i tyre varet se sa ka vullnet shteti të ndryshojë gjendjen. Ndërkaq, kontaktuar nga gazeta, përfaqësues të MSH-së kanë apeluar tek qytetarët që të reagojnë me kohë ndaj shkeljes së të drejtave të tyre në sistemin shëndetësor.

“MSH do të dëshironte që qytetarët çdo ankesë që e kanë ta adresojnë me kohë në komisionet etiko-profesionale të institucioneve shëndetësore, në Inspektoratin Shëndetësor, në mënyrë që të veprohet sa më parë në parandalimin e dukurive që janë në kundërshtim me normat etike dhe profesionale”, ka thënë për “Zërin” drejtori i Zyrës për komunikim në këtë ministri, Faik Hoti. Ai ka kërkuar besim tek qytetarët duke i orientuar që të adresohen tek institucionet që kjo ministri ka themeluar të dedikuara për monitorim të zbatimit të ligjit dhe standardeve profesionale në institucionet shëndetësore, siç është Bordi Etiko-Profesional dhe Inspektorati Shëndetësor.

Ndërsa, ka theksuar se gjatë vitit 2012, Inspektorati Shëndetësor i MSH-së ka mbyllur 72 institucione shëndetësor të niveleve të ndryshme, për shkak se të njëjtat nuk iu kanë përmbajtur ligjeve gjatë ushtrimit të veprimtarive të tyre mjekësore. “Inspektorati Shëndetësor, përveç mbylljes së tyre, ka shqiptuar edhe 34 dënime, ka ngritur 4 kallëzime penale dhe ka lëshuar 412 rekomandime për institucionet shëndetësore të inspektuara”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, sa i përket rastit të Enea Zuzakut, ai ka bërë të ditur se “prindi i vajzës tek sot (e enjte) në mënyrë elektronike ka vendosur kontakt me Ministrinë, për të denoncuar rastin, i cili do të shqyrtohet me kujdesin e duhur”.

Enea Zuzaku është diagnostikuar me “sepsis meningococcal”, por prindërit një ditë më parë kanë bërë publike se vajza e tyre nuk është diagnostikuar me kohë nga mjekët në Kosovë, duke akuzuar mjekët e Gjilanit për joprofesionalizëm dhe papërgjegjësi, që e diagnostikuan me “linë” që me vonë rezultoi se nuk e kishte, kurse mjekët në QKUK për jokomunikativë, inatosje mes veti, mungesë respekti dhe dështim pas dështimi dhe po ashtu joprofesionalizëm.../Zëri/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›